Policia e Kosovës në Veri duhet të forcohet, as të reduktohet dhe assesi të largohet

Policia e Kosovës në Veri duhet të forcohet, as të reduktohet dhe assesi të largohet
Policia e Kosovës në Veri duhet të forcohet, as të reduktohet dhe assesi të largohet

Gani Qarri

  • 12 June 2023 - 07:37

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Vet deklarimi i KFOR-it, pas tensioneve të fundit në veri, se prapa këtyre trazirave, qëndronin bandat kriminale, të cilat vepronin me porosi nga jashtë, apo thënë shkurt dhe shqip, pjesa më brutale e tyre kishin ardhur nga Serbia me porosi dhe dirigjim të Aleksandër Vuçiqit për ta destabilizu gjendjen në veri të vendit tonë, dëshmon katërçipërisht se policia e Kosovës kishte plotësisht të drejtë dhe veproi me shumë profesionalizëm të lartë në funksion të ruajtjes së rendit e të ligjit dhe zbatimit të kushtetutshmërisë edhe në këtë pjesë të territorit legjitim të Kosovës.

-Prandaj, Policia e Kosovës jo vetëm që nuk guxon të largohet nga kjo pjesë e ndjeshme e vendit tonë, por në gjendjen e krijuar, edhe duhet të angazhohet medoemos në mënyrë konstante e me të gjitha mjetet dhe kapacitet mbrojtëse, për të ruajtur rendin e ligjin dhe mbajtur të paprekura objektet institucionale, të cilat nuk janë shtëpi private të minoritarëve, por pasuri shtetërore e Republikës së Kosovës, dhe rrezikohen nga bandat kriminale serbe të ardhura nga Serbia, që me porosi të Vuçiqit veprojnë në veri të vendit tonë.

Kjo për faktin se mbrojtja e rendit dhe e ligjit si dhe ruajtja e objekteve institucionale të shtetit, nga veprimet vandaliste të bandave kriminale, në krye me kriminelin Milan Radojçiq, janë kompetencë e patjetërsueshme e Policisë së Kosovës, e cila ka për detyrë edhe për ti neutralizuar kriminelët dhe kapur e nxjerrë para drejtësisë, në mënyrë që, ata të marrin dënimin e merituar! Kështu që siç po shihet e dëshmohet tanimë edhe publikisht, përkundër uverturës së inskenuar për orkestrimin e sinkronizuar të kritikave tërësisht të pabaza dhe sulmeve krejtësisht të paarsyeshme, nga disa anë, Kryeministri Kurti me qëndrimin e burrështetasit të pa lëkundur dhe konsistencën e vazhdueshme të një udhëheqësi të fortë e serioz, duke lënë mënjanë kritikat dhe kërkuar mbështetjen ndërkombëtare për fuqizimin e rendit dhe sundimin e Ligjit, edhe në veriun e Kosovës, me deklaratën e fundit, të lëshuar nga KFOR-i, po dëshmohet katërçipërisht, se ai i vetëm, përsëri ka arritur ta thyej propagandën dashakeqe dhe negative, të krijuar në mënyrë të dyshimtë, që nga Serbia fashiste deri te opozita e inkriminuar shqipfolëse e Kosovës, të cilët që të gjithë përpiqeshin si në kor, ta ngarkonin padrejtësisht, me përgjegjësi shtetin e Kosovës, për gjendjen e tendosur të krijuar nga bandat kriminale serbe në veri. Madje sa i takon situatës së tensionuar më 29 maj, KFOR-i në prononcimin e vet, dëshmoi publikisht se ajo erdhi nga veprimi i orkestruar i bandave kriminale serbe të cilat dirigjimin për tensionimin e gjendjes dhe komandën për veprime të rënda penale-banditeske e kanë në Beograd, në shërbimin informativ BIA-së së Serbisë hegjemoniste, dhe kabinetin e presidentit kriminel serb, Aleksandër Vuçiq.

Vet deklarimi i fundit kritik i KFOR-it mbi trazirat që shkaktuan bandat kriminale serbe, se përgjegjësinë për ruajtjen e rendit e të ligjit dhe sigurisë publike në këtë pjesë të territorit të vendit tonë, e ka Policia e Kosovës, dëshmon edhe njëherë më tepër se Policia e vendit tonë, ishte plotësisht në funksion të zbatimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë. Prandaj një polici e tillë e aftë dhe profesionale me motiv të lartë veprimi, për ruajtjen e rendit e të ligjit dhe sigurisë publike në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, as që guxon të dorëzohet para bandave serbe të ardhura nga Serbia dhe të largohet nga kjo pjesë legjitime e shtetit të Kosovës.

Kjo për vet faktin e ditur nga të gjithë se parandalimi i veprimeve banditeske të grupeve kriminale serbe vendore dhe atyre që herë pas here vijnë nga Serbia, për ta tensionuar gjendjen në veri, nuk janë kompetencë e KFOR-it, por e Policisë së Kosovës, e cila e ka për detyrë, ti neutralizoi e mundësisht edhe ti eliminoi ato, si dhe ti kap kriminelët e nxjerr para drejtësisë, për të marrë, sipas veprës penale që kanë kryer, dënimin e merituar! Se garantimi i sigurisë publike dhe ruajtja e rendit dhe e ligjit në veri, është kompetencë e Policisë së Kosovës, e vërtetoi edhe zëdhënësi i Shtabit të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, i cili duke folur në një konferencë për media, lidhur me protestat e dhunshme të 29 majit në veri të Kosovës dhe arrestimin e dy protestuesve të dhunshëm për vepra të rënda kriminale, ai tha troç se përgjegjëse për sundimin e rendit e të ligjit në veri, është Policia e Kosovës e jo KFOR-i, Policia është e obliguar edhe për ndërhyrje dhe arrestim të kriminelëve që provokojnë akte dhune e të ngjashme, në veri të Kosovës.

Duke folur për aktivitetet e KFOR-it, lidhur me gjendjen e krijuar me 29 maj, kolonel Gallieni, tha që u pa qartë se ata të cilët sulmonin, prapa njerëzve që donin të protestonin në mënyrë paqësore, ishin pjesëtar të grupeve të organizuara kriminale, kështu që është detyrë e Policisë së Kosovës, për ndjekjen, hetimin dhe arrestimin e tyre, si dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme, për mirëmbajtjen e rendit e të qetësisë publike dhe sundimin e ligjit, në këtë pjesë të vendit”, shtoi ai ndër të tjera. Kështu që pavarësisht të gjitha kritikave të pabazuara nga ndërkombëtarët, dhe fajësimeve farsë e të orkestruara, padrejtësisht nga McGonigalët aktual si Hill e Eskobar, kundër Qeverisë së Kosovës për kinse "veprime të pa matura", në situatën e krijuar, kryeministri Kurti, me plot të drejtë, vazhdon të mbajë qëndrim serioz dhe të pa ndryshuar, i cili mbetet i palëkundur në faktin se rendi dhe ligji duhet të zbatohen edhe në veri, si në çdo Cep të Kosovës, për çka e gëzon edhe përkrahjen e të gjithë qytetarëve të vendit tonë! Kryeministri i Kosovës, i fokusuar thellësisht për rend e ligj, duke parë tendosjen artificiale të gjendjes në veri të Kosovës nga bandat kriminale të Milicisë fashiste të Vuçiqit të ardhura nga Serbia, deklaron në vijimësi, me plot të drejtë, se para institucioneve të drejtësisë duhet të përgjigjen të gjithë elementet e krimit dhe ata që shkelin ligjin, provokojnë gjendjen politike, keqtrajtojnë qytetarët, si dhe paraqesin rrezik për shtetin e Kosovës.

Po këto mesazhe të fuqishme dhe të drejtpërdrejta e pa ekuivokë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka përcjellë edhe nga konferenca e Dubrovnikut duke folur për tensionet e orkestruara në veri të vendit, me ç`rast ai ka sqaruar para të gjithë të pranishmëve, se Kosovës ende i duhet të merret me ekstremistë të dhunshëm, ultra nacionalistë dhe të djathtë fashist serb nga Serbia, që mëtojnë ngritjen me dhunë të “Botës Serbe” dhe të ashtuquajturën “bota ruse”, prandaj edhe numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri, mund të reduktohet, vetëm kur të largohen ekstremistët e dhunshëm dhe kthehen në Serbi, apo kapen nga organet e rendit dhe dënohen në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".