Vetëm fshesa e VETTING-ut e pastron sistemin e kapur të drejtësisë nga merimanga e madhe e nëntokës së krimit

Vetëm fshesa e VETTING-ut e pastron sistemin e kapur të drejtësisë nga merimanga e madhe e nëntokës së krimit

Hajrullah Tërnava

  • 14 June 2023 - 07:40

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Tani kur kjo qeveri e ka fillua luftimin e krimit ligjshëm, po i zbardhë rastet e krimeve të organizuara të mëhershme që i kanë krye dhe që kanë qenë në lidhshmëri me krime të organizuara zyrtar të ndryshëm të institucioneve shtetërore, e sidomos ata zyrtar që kanë qenë si të autorizuar që në mënyrë të pamëshirshme ta luftojnë krimin në përgjithësi, dhe po shihet ashiqare se në vend që të luftohen krimet në fjalë, ata janë shndërrua si pjesëmarrës në ato krime, ku kanë përfitua për fillimisht veti, sepse e kishin si qëllim të parë pasurimin e tyre personal.

Ka ardhur koha që kjo qeveri në pushtet që ti zbardhi, dëshmoj dhe vulosi rastet e zvarritura të krimit me vite e dekada nëpër gjykatat e Republikës, lidhjen dhe kapjen e fuqishme të kësaj shtylle të shtetit nga strukturat e krimit, që në emër të ligjit, ja bëjnë avokatinë krimit. Rasti më i freskët, jo për tu befasuar është ai para dy ditëve kur edhe pas 5 vitesh nga mbajtja e seancës së fundit, për të pestën herë dështon gjykimi për fajde, një fenomen ky që jo vetëm po i zbraz xhepat e qytetarëve por po injorohet dhe nuk po ndiqet nga Prokuroria Speciale, e nuk po gjykohet as nga Gjyqësori që është bërë vegël e strukturave mafio kriminale. Edhe pse kanë kaluar 5 vite nga mbajtja e seancës së fundit, të mërkurën ka dështuar sërish në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi për fajde ndaj katër të akuzuarve për këtë vepër penale. Në këtë rast, të akuzuarit E. A. Rr.S, F.A dhe B. A, ngarkohen se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit K. M., gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma edhe kishin marrë fajde.

Pas këtij dështimi të rastit që është futur në një gjysmë dekade, Seanca e radhës për këtë çështje, pritet të mbahet më 17 korrik 2023. Se drejtësia në rastet e tilla bashkëpunon ngushtë më krimin e organizuar e dëshmon e dhëna sipas së cilës për këtë rast edhe seancat e caktuara më 16 janar 2023, 14 shkurt 2023, 16 mars 2023 dhe 17 maj 2023, nuk ishin mbajtur. Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të 2016-ës, ka ngritur aktakuzë kundër E. A., Rr.S, F. A dhe B. A, nën dyshimin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit K. M gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh. I akuzuari E. A. akuzohet se nga shuma që i dëmtuari kishte marrë borxh 19,200 euro, i pandehuri ka llogaritur borxhin në shumën prej 64,100 euro, të cilës shumë po ashtu i shtohen edhe vlerat e veturave “Opel Corsa”, në vlerë prej 3,300 euro (viti 2012), “Fiat Punto” në vlerë prej 2,100 euro (viti 2013), “Golf 5” në vlerë prej 10,000 euro (viti 2013) dhe një “Audi A6”, në vlerë prej 12,500 euro (viti 2014), ku përpos të gjitha këtyre, i pandehuri kërkon në emër të fajdesë edhe shumën prej 8,000 euro, i cili raport ka mbetur i hapur. I pandehuri R. S. se gjatë periudhës 2012 e deri në ditën e arrestimit, i dëmtuari kërkon dhe merr 7,000 euro borxh, i cili borxh pas tre muajve, në emër të fajdesë bëhet 10,000 euro, pastaj më vonë merr edhe shumën prej 4,000 euro, për t’ia kthyer 4,400, për çka si garancion lë veturën e tipit “Golf 5”, në vlerë prej 6,500 euro.

Pastaj, gjithnjë sipas aktakuzës, në shkurt të vitit 2014, prapë i dëmtuari kërkon dhe merr borxh nga i pandehuri S. shumë prej 20,000 euro, me kamatë mujore prej 5%. I pandehuri F. A. akuzohet se gjatë periudhës 2011-2015 i jep borxh të dëmtuarit shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike, në të cilat llogaritë dhe merr fajde. Sipas aktakuzës, i dëmtuari ka marrë nga i pandehuri para borxh në shumën totale prej 37,700 euro, derisa është dashur t’i kthej 80,350 euro. Me këtë, E. A, Rr. Dhe F. A po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet. Kurse, të pandehurit E. A dhe B. A në bashkëkryerje për periudhën 2014-2015 kishin marrë në emër të fajdesë shumën 7,700 euro, ndërsa në vitin 2013 shumën prej 3,300 euro. Në bashkëkryerje këta po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë ( vjet.

Sidoqoftë kjo zvarritje e vazhduar për më shumë se gjysmë dekade lë shumë për të dëshiruar për zbatimin e duhur të ligjit dhe ndëshkimin e krimit, sepse zvarritja e pa arsyetuar nuk jep shpjegim tjetër veç se dëshmon katërçipërisht se sa thellë është i kapur sistemi i drejtësisë nga nëntoka e krimit të Organizuar, prandaj edhe pastrimi, futja sa më parë e ligjit Vetting në procedurë për miratim dhe zbatim mbetet zgjidhja e vetme për të shpresuar në një drejtësi të pastër e të pa korruptuar, me njerëz që kanë profesionalizëm dhe integritet në zbatimin e ligjit dhe janë të përkushtuar që pa kompromis ti shpallin luftë secilës formë të krimit.

Marrë në tërësi sikur u shpjegua deri me tani, spastrimi zyrtarëve të involvuar në krim të organizuar kërkon një kohë të konsiderueshme të zbardhjes dhe luftimit të këtij lloji të krimeve, sepse në këto krime janë të kyçur njerëzit profesionist që e dinë se si kryhen ato krime, por edhe si prolongohen zbardhja e atyre krimeve dhe mbrojtja nga zbardhjet e atyre krimeve, sepse ata zyrtar që janë involvuar në ato krime ka kohë që kanë përfituar nga ato krime në mënyra të organizuara, dhe tani grupi i atyre njerëzve të involvuar në ato krime është i madhe, sepse ata zyrtar që kanë përfitua me vite të tëra nga ato krime, gjithnjë janë munduar me e shtri atë ndikimin e tyre edhe te tjerët zyrtar, prandaj një spastrim i këtyre institucioneve nuk do të jetë i lehtë, por ka indikacione që veç po fillohet me zbardhjet e tyre e sidomos tani kur po përgatitet ligji i Vettingut për miratim dhe fillim zbatimi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".