Veprim dhe vendim i i drejtë i shtetit për shpalljen e organizatave ilegale e kriminale, të kundërligjshme dhe terroriste

Veprim dhe vendim i i drejtë i shtetit për shpalljen e organizatave ilegale e kriminale, të kundërligjshme dhe terroriste
Veprim dhe vendim i i drejtë i shtetit për shpalljen e organizatave ilegale e kriminale, të kundërligjshme dhe terroriste

Gani Qarri

  • 01 July 2023 - 07:44

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Në fakt sa i takon të ashtuquajturës "Mbrojtja Civile" dhe grupit fantom të ashtuquajtur "Brigada e veriut" që mendohet se udhëhiqet nga krimineli Milan Radojçiq, vendimi i Qeverisë së Kosovës, për shpalljen e këtyre dy fantazmave ilegale, organizata terroriste, përveçse është shumë i drejtë dhe i bazuar në akte kriminale si plagosja me armë të gjata e policëve tanë dhe ushtarëve të KFOR-it, hedhja e shok bombave dhe mjeteve tjera eksplozive, djegia e veturave, lokaleve, qendrave statike të Policisë, qendrave zgjedhore komunale, frikësimi dhe sulmet e pareshtura ndaj personave të gatshëm për integrim, ishte një gamë e gjatë veprash kundërligjore, që e bënë të domosdoshëm këtë akt të detyrueshëm të Qeverisë së Kosovës.

-Vendim, i cili mund të jetë vetëm i vonuar, por gjithsesi, është vendim i duhur dhe i mirëseardhur, për të gjithë qytetarët dhe sigurinë e vendit tonë, për ta ndarë përfundimisht edhe me ligj, shapin nga sheqeri dhe bërë diferencimin e qytetarëve të pakicës serbe, nga kriminelët e vendosur në Listën e Zezë të SHBA-ve, si Veselinoviq, Radojçiq etj. Përderisa për të ashtuquajturën "Mbrojtja Civile, është ditur që "moti" edhe në të kaluarën, për organizatën terroriste "Brigada e veriut" na ka njoftuar me pompozitet vet presidenti kriminel serb Aleksandër Vuçiq, i cili para rreth një viti, në konferencë për gazetar, nga Beogradi na ka njoftuar jo vetëm për ekzistencën, por edhe për emërtimin e organizatës tashmë të shpallur terroriste, "Brigada e veriut"! Veçanërisht organizata ilegale e ashtuquajtur "Mbrojtja Civile" , alias ish "Mbrojtësit e Urës" që nga viti 2000 e këtej kanë bërë kërdi ndaj shqiptarëve të pambrojtur në veri, jo vetëm duke bllokuar urën, dhe ndaluar kalimin e banorëve shqiptar në pjesën tjetër të qytetit të Mitrovicës dhe veriut, por më 2004 vranë e plagosën disa, ndërsa dëbuan mbi 14 mijë shqiptar me zjarr e hekur nga tokat e veta autoktone dhe veriu i vendit tonë.

Organizata terroriste "Mbrojtja Civile" në bashkë-koordinim me organizatën tjetër terroriste të ashtuquajtur "Brigada e Veriut", ka rreth një vit që në veri të vendit tonë, dita zbardh e pështirosur natën me grafitë dhe parullat ogurzeza, të këtyre organizatave terroriste, shkruar në mure, rrugë dhe sheshe me shprehjet kërcënuese; "Ne jemi këtu"! “Po ju presim!”, “Mos u shqetësoni! "KM do të ekzistoj" "Nuk ka dorëzim" etj.

Të gjitha këto veprime të kundërligjshme, dhe kërcënime të hapura, për të shprehur gatishmërinë e tyre cinike edhe për konfrontim fizik me organet e rendit si dhe konflikt të armatosur me strukturat e shtetit të Kosovës, e bënë të patejkalueshëm dhe të domosdoshëm, vendimin e Qeverisë së Kosovës. Prandaj Akti i 29 qershorit i ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për shpalljen e të ashtuquajturës "Mbrojtja Civile" dhe asaj fantome të ashtuquajtur "Brigada e veriut", organizata terroriste, është hapi më i guximshëm deri më tani, i miratuar me qëllim të spastrimit përfundimtar të veriut të Republikës së Kosovës, nga strukturat e krimit të organizuar dhe grupet terroriste paramilitare, të ardhura nga Serbia, për ti frikësuar qytetarët e pengu vendosjen e rendit e të ligjit dhe pamundësuar shtrirjen e shtetësisë së Kosovës, duke vepruar me vite, për tendosjen e vazhdueshme të gjendjes dhe destabilizimit të pareshtur të kësaj pjese jetike dhe të pandashme e legjitime të Republikës së Kosovës!

Organizata të cilat me aktet e tyre kriminale e terroriste, provokonin në vijimësi, përveç organeve të rendit e të ligjit edhe institucionet e shtetit, duke kërcënuar publikisht dhe ndërmarrë akte kriminale, veçanërisht kundër qytetarëve lojal, për pengimin e integrimit të tyre në organet e shtetit të Kosovës, respektimin e ligjeve e të kushtetutës dhe përfitimet nga benefitet që ju ofronte atyre si qytetar të vet, shteti i Kosovës.

Duke pas parasysh faktin që vet Ministri i Punëve të Brendshme, deklaroi se vendimi i sotëm, është akt i ndërmarrë në koordinim edhe me aleatët e Kosovës, gëzon fakti që, përveçse ishte një vendim i pashmangshëm dhe një obligim ligjor e kushtetues i Qeverisë, shteti i Kosovës, organet e sigurisë dhe vet institucioni i drejtësisë së vendit tonë, edhe në hapat e mëtejmë, do ta kenë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, brenda dhe jashtë vendit. “Ne megjithëse ndodhë ndonjëherë edhe të mos pajtohemi, në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë dhe veçanërisht për ketë hap ne jemi koordinuar ngushtë me ta, ndërsa me kohë do të ndajmë edhe detaje të këtij procesi me partnerët tanë strategjik, që janë vende dhe ente demokratike si; BE, EULEX dhe misioni i KFOR, me të cilat Kosova, realisht ndan vlera të përbashkëta, u shpreh Ministri Sfeçla!

Ministri i Brendshëm ka bërë, po ashtu të ditur, se përmes këtij vendimi, grupeve të shpallura si organizata terroriste, u ndalohet urgjentisht dhe në mënyrë të menjëhershme veprimtaria, ku nuk përjashtohet mundësia që në të njëjtat grupe të ketë edhe pjesëtar vullnetar apo mercenar të paguar, të ardhur nga Rusia. Dhe përderisa shteti i Kosovës, ndahet me një vijë të gjatë, kufiri me Serbinë hegjemoniste, edhe hyrja e ndonjë elementi kriminal, është e mundshme dhe as që mund të garantoj se nuk është futur askush”- tha ministri Sfeçla.

Qëllimet dhe veprimtaria kriminale e të ashtuquajturave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut”, dy organizatave tashmë të shpallura edhe zyrtarisht-terroriste, janë të njohura dhe dëshmuar në veriun e Kosovës edhe gjatë të premtes së javës kaluar, me ç`rast në veturën e zbuluar, janë gjetur armatim, bomba, minahedhës, granata dore, municion, eksploziv, uniforma ushtarake dhe emblema të “Brigadës së veriut”!.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".