Është koha e fundit për tu dëshmuar angazhimi serioz, me vepër dhe jo me fjalë, peshqit e mëdhenj të politikës në burg për korrupsion dhe krim të organizuar

Është koha e fundit për tu dëshmuar angazhimi serioz, me vepër dhe jo me fjalë, peshqit e mëdhenj të politikës në burg për korrupsion dhe krim të organizuar
Është koha e fundit për tu dëshmuar angazhimi serioz, me vepër dhe jo me fjalë, peshqit e mëdhenj të politikës në burg për korrupsion dhe krim të organizuar

Dardan Grapci

  • 31 July 2023 - 16:40

Shkruan: ANALISTI: Dardan Grapci

Bashkimi Evropian nuk i pranon në “familje” shtetet të cilat nuk kanë treguar dhe nuk vazhdojnë të tregojnë gatishmëri të lartë veprimi për ndëshkim dhe distancim të shtetit nga krimi. Për tu anëtarësuar në BE shtetet kandidate duhet të pastrohen nga liderët e korruptuar nga të gjitha strukturat që kanë qenë apo vazhdojnë të jenë akoma pjesë e krimit të organizuar. Kjo qasje tani kërkohet edhe nga Republika e Kosovës që synon të bëhet më shpejtë anëtare e BE-së.

 

Tani më është koha që jo vetëm institucionet e drejtësisë , por edhe klasa politike në pushtet, të vetëdijesohen maksimalisht, për ta lejuar të funksion në mënyrë të pa varur sistemin e drejtësisë, krejtësisht profesional e të pa ndikuar për të zhvilluar në mënyrë efikase luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në të gjitha nivelet e shtetit e të pushtetit, sikur që po ndodhë e po intensifikohet në shtete fqinjë, rasti më i freskët me Malin e Zi. Ka kohe që në këtë shtet po ndiqen, arrestohen dhe po ndëshkohen pa hezitim dhe pa kursim njerëz që kanë qenë në strukturat e larta drejtuese të shtetit. Në këtë shtet, ditën e hënë, pra java e re ka filluar me ish zyrtar të lartë të arrestuar për korrupsion e krim të organizuar gjatë kohës së kaluar në pushtet. Ka përfunduar në arrest, nën pranga ish-drejtori i Policisë në Mal të Zi Vesellin Veljoviq. Ky është një veprim i guximshëm që do të duhej të ju shërben për model veprimi dhe intervenimi kundër shumë ish figurave të larta shtetërore në qeverisjet e kaluara në Republikën e Kosovës dhe jo vetëm ndaj disa individ, në të gjitha institucionet e shtetit, edhe në ato të drejtësisë kosovare. Nuk është pak e rëndësishme kur arrestohet dhe ndiqet ish shefi i organit kryesor të sigurisë së shtetit, i akuzuar për korrupsion. Veselin Veljoviq raportohet se ka qenë drejtor i Drejtorisë së Policisë nga vera e vitit 2007 deri në vitin 2011 dhe më pas në periudhën prej 30 korrikut 2018 deri më 17 dhjetor 2020 ka qenë njeriu i parë i policisë malazeze në mandatin e tij të dytë. Pra njeri i karrierës në fushën e sigurisë por i pa kursyeshëm nga ndjekja dhe hetimi i vazhdueshëm për dyshimet e bazuara, lidhur me veprimtarinë kriminale, nga institucionet e drejtësisë. Shtrohet pyetja tani pse akoma në Kosovë nuk po arrestohen dhe nuk po gjykohen koka të ngjashme të përfshira në korrupsion gjatë periudhave të ndryshme të qeverisjes në të gjitha nivelet, nga ai lokal edhe deri në kupolat kryesore drejtuese të shtetit, Kuvend, Qeveri e Presidencë. Prokuroria Speciale e Shtetit, Malit të Zi, e ka konfirmuar se ishdrejtori i Policisë së Malit të Zi, Veselin Veljoviq, është arrestuar të hënën, dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “akte kriminale të krijimit të një organizate kriminale, abuzim me pozitë zyrtare dhe kontrabandë”. Mes tjerash, autoritetet e Malit të Zi, kanë paralajmëruar se aktivitetet e tyre në këtë drejtim, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, dhe nuk do të ketë “pardon” për asnjë individ, zyrtar I cilit do nivel qoftë, që zbulohet e konstatohet me fakte se është I përfshirë në veprimtari të paligjshme, në korrupsion e krim. Kosova duhet ta merr pa vonesë guximin e shtetit fqinjë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin. Qytetarët me padurim presin dhe pyesin se kur do ti shohim edhe në shtetin e Kosovës të pranguar dhe arrestuar një kolonë të gjatë të ish zyrtarëve të shtetit, nga niveli lokal komunal, nga Karlamenti, Qeveria e Presidenca, madje dhe nga institucionet e drejtësisë, prokurorë e kryeprokuror, gjyqtar e kryegjyqtar të instrumentalizuar që ja bëjnë shërbimin dhe avokatinë mbrojtëse një rrjeti të gjerë të nëntokës së krimit të organizuar që ka zënë vend për dy dekada në të gjitha nivelet e pushtetit, ngritur deri në kupolën drejtuese të shtetit? Përfundimisht dhe urgjentisht duhet vepruar. Kosova nuk guxon të mbetet dele e zezë në mes të Evropës, të mbetet peng i mungesës së guximit për ti luftuar e pastruar nga sistemi të gjitha strukturat e krimit, edhe me vonesa në rrugën e integrimit evropian.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".