Rikonsolidimi i strukturave paralele serbe në Kosovë dhe kontrabandimi i armatimit, skenar tinar serb për provokim dhe destabilizim të ri të gjendjes në veri

Rikonsolidimi i strukturave paralele serbe në Kosovë dhe kontrabandimi i armatimit, skenar tinar serb për provokim dhe destabilizim të ri të gjendjes në veri
Rikonsolidimi i strukturave paralele serbe në Kosovë dhe kontrabandimi i armatimit, skenar tinar serb për provokim dhe destabilizim të ri të gjendjes në veri

Gani Qarri

  • 16 August 2023 - 07:55

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Duke parë tendencën e trishtë të ndërmjetësve evropian, për tërheqjen jo-proporcionale me gjendjen dhe vendin, të Policisë së Shtetit nga komunat veriore, krijohet frika se, pas shpalljes organizata terroriste të "brigadës së veriut" dhe të ashtuquajturës "mbrojtja civile" këtu ka jo vetëm një uverturë plotësisht të paqartë me një "Pse" tepër të madhe prapa, por edhe një qëllim aspak dashamirës dhe të rrezikshëm, që ndoshta veriu i rehatuar-pothuajse tërësisht, pas më tepër se dy dekadave, serish të kthehet në arenë të çmendurive të bandave të Radojçiqit dhe ribarrikadimit të rrugëve nga grupet kriminale serbe të veriut dhe ato të ardhura nga Serbia.

-Kjo për faktin, se siç u dëshmua edhe në terren, Policia e Kosovës, për herë të parë pas mese 23 vitesh, e ka vendosur gjendjen 100% nën kontroll edhe në veri, dhe në prezencën e policisë së Kosovës, nuk po mundet të shkaktohet më gjendje e nderë, nga kriminelët e shkërmoqur të Radojçiqit dhe grupeve terroriste të dërguara enkas nga Serbia për shkaktimin e problemeve dhe tendosjen e situatës, siç ndodhte në vijimësi, gjatë sundimit të partive të inkriminuara, të cilat edhe vet kooketonin ngushtë me Serbinë dhe bandat kriminale serbe të Radojçiqit dhe atyre të "postuara" nga Serbia.

Prandaj dhe lind pyetja e patejkalueshme aktuale, se sa i rrezikshëm, mund të jetë për gjendjen në veri, akti i zvogëlimit kaq rapid dhe i njëpasnjëshëm i numrit të Policisë së Kosovës ne veri, përderisa në këtë pjesë të territorit të shtetit tonë, përveç bandave të njohura kriminale, janë zbuluar edhe sasi të mëdha armësh të cilat grupet terroriste serbe, qoftë nga e ashtuquajtura "brigada e veriut" qoftë nga "mbrojtja civile" i kanë sjellë nga Serbia, me skenarin e armatosjes graduale të grupeve mercenare dhe terroristëve të "fjetur" potencial, brenda vet territorit tonë, për përdorimin e tyre në aksionet e mundshme të para-planifikuara, për veprime të armatosura sipas porosive të Vuçiqit dhe BIA-s serbe, kundër institucioneve të sigurisë së Kosovës!

Për aq më tepër, përkundër letrës së dërguar nga 56 politikan botëror me kërkesën drejtuar SHBA-ve dhe BE-së, për ndryshim të qasjes ndaj Serbisë dhe trajtim të barabartë të Kosovës, këmbëngulja e BE-së për zvogëlimin kaq të vrullshëm të numrit të policëve në komunat veriore, qoftë ky edhe i imponuar nga SHBA dhe BE, krijon pasiguri tejet të madhe edhe te qytetarët e pjesëve tjera të vendit, se në rast rreziku, a do të jetë në gjendje Policia e Kosovës, që edhe me numër kaq të kufizuar të njësive të ruajtjes së rendit e të ligjit, siç po insistojnë Borell, Lajçak e Eskobar, të arrij, për të zbuluar depot e fshehta të armëve të grumbulluara ilegalisht në veri, për ti konfiskuar e neutralizuar ato, si dhe të arrij, ti dëboi grupet kriminale dhe terroriste serbe, jashtë kufijve të shtetit të Kosovës.

Madje, sikur mos të mjaftonte presioni nga përfaqësuesit e BE-së Borell e Lajçak dhe emisari amerikan Gabriel Eskobar, Serbia për ringjalljen e gjendjes së tensionuar në veri, shkaktimin e problemeve të reja dhe zgjerimin e tyre edhe në pjesët tjera të Kosovës, po ripërtërin ilegalët dhe strukturat paralele të Serbisë, gjithandej Kosovës, veprim ky që, megjithëse është edhe një shkelje tepër flagrante e marrëveshjes së Brukselit, askush nga BE dhe SHBA, nuk reagoi pas këtij lajmi të shpërndarë me pompozitet, nga vet qeveria e Serbisë. Dhe përderisa Kosova u pajtua që pas verës, të ketë një proces tjetër të ri-zgjedhor në veri, për t’i hapur rrugë rikthimit të serbëve në institucionet lokale, për habi, Beogradi zyrtar ka ripërtërirë dhe zgjeruar publikisht dhe pa kurrfarë droje për masa apo sanksione nga BE, gjithandej strukturat ilegale.

Vet kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, me vendime ekzekutive ka emëruar bartësit e ri të të ashtuquajturave autoritete të përkohshme komunale e cila, krahas komunave në jug të Ibrit, ka emëruar Dalibor Millunoviqin në krye të komunës më veriore- atë të Leposaviqit, në vend se edhe kryetari i kësaj komune të dilte nga zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në komunat veriore, siç po insiston BE dhe SHBA. Me këtë rast, emërime të zyrtarëve të organeve ilegale të Serbisë, janë bërë edhe në Klinë, Fushë Kosovë dhe Podujevë, përkundër faktit se aty nuk jeton asnjë minoritar serb. Kështu që pikërisht këto zhvillime të pazakonta dhe tërësisht të kundërligjshme, janë skenari më i ri dhe më i rrezikshëm i provokimit të hapur të shtetit të Kosovës dhe vet bashkësisë ndërkombëtare, nga Serbia hegjemoniste, me tendencën publike të rebelimit të strukturave paralele, të cilat, siç është raportuar nga mediet ndërkombëtare janë pajisur edhe më sasi të ndryshme të armatimit, të deponuar në kisha dhe institucionet tjera fetare serbe, në lokalitetet e banuara me pjesëtar të pakicës serbe.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".