Azerbajxhani dhe Armenia në luftë, mos është radha në Kosovë?

Azerbajxhani dhe Armenia në luftë, mos është radha në Kosovë?
Azerbajxhani dhe Armenia në luftë, mos është radha në Kosovë?

Gurakuç Kuçi

  • 20 September 2023 - 09:01

 

Shkruan: Dr-Gurakuç Kuqi

Gjendja e atjeshme pas luftës që po ndodhë në Ukrainë, sikur po jep sinjal që vatra e radhës për luftë mund të jetë Kosova! Kush po i nxit dhe përgatit këto mendësi të hyjnë në luftë në kohën e shakullimave gjeopolitike?

-Azerbajxhani dhe Armenia tashmë për ditën e dytë më radhë janë në luftë, azerët mund ta bëjnë një invazion potencialisht edhe në shkallë të gjerë duke e pushtuar të gjithë Armeninë. Këto dy shtete ishin shumë afër paqes, kur Armenia pranoi që rajoni i njohur si malet e Karabakhut të mbetet nën sovranitetit e Azerbajxhanit por që korridori i Lashinit të jetë i hapur. Mirëpo, kjo nuk solli paqe, Armenia nuk i ofroi qasje më të mirë Azerbajxhanit në korridorin e Zangezurit dhe enklavës së Nakshivanit në kufi me Iranin edhe pse kjo ishte pjesë e paqes së vitit 2020.

Armenia në shtator të këtij viti kishte marrë pjesë në ushtrimin e përbashkët ushtarak me SHBA-në, që i bie rreth një vit pas invazionit të Azerbejxhanit që kishte ndërmarrë me 11 shtator 2022. Mirëpo aleatin më të mirë tani për tani azerët e kanë Iranin pasi Rusia është e zënë në Ukrainë dhe nuk do dëshironte të përplasej me Turqinë e cila është pro Azerbajxhanit. Irani së fundi ka bërë një marrëveshje për rritjen e prodhimit të naftës me SHBA-në dhe shkëmbimin e disa pengjeve, përderisa Rusia dhe Arabia Saudite në anën tjetër janë përgjigjur me shkurtimin e prodhimit. Mirëpo, në Iran 1/3 e popullsisë janë azer dhe këta të fundit kanë përkrahje edhe nga Izraeli e Turqia edhe pse religjioni i tyre është mysliman shia. Izraeli e ka ndihmuar Azerbajxhanin të ndërtoi kapacitete ushtarake që nga 1990, Izraeli si duket nxiti protestat në Iran anti-hixhab.

Armenia ka një përkrahje nga Rusia, përkrahje të lodhtë nga BE-ja e cila hoqi dorë nga anëtarësimi i saj në këtë organ, dhe një përkrahje nga India. Pra, Armenia vështirë se mund të llogarisë në përkrahjen e Rusisë, Indisë, Iranit apo BE-së, dhe këtu mund të ndërhyj vetëm SHBA-ja sikur në rastin e Bosnjës (boshnjakët ishin lënë nga të gjithë evropianët vetëm). Në këtë përplasje brenda përplasjeve kush po i nxitë këto palë që të shkojnë drejt luftës? A janë llogaritë e tyre bazuar në strategji të huaja apo interesa të brendshme? Rusia si ndërmjetësues pothuajse është tërhequr bashkë me trupat e saj në korridorin e Lashinit! Gjendja e atjeshme pas luftës që po ndodhë në Ukrainë, sikur po jep sinjal që vatra e radhës për luftë mund të jetë Kosova! Kush po i nxit dhe përgatit këto mendësi të hyjnë në luftë në kohën e shakullimave gjeopolitike? Nëse lufta është mjeti i vetëm e vendeve si Kosova, Serbia, Armenia e Azerbejxhani, fitorja u takon vetëm fuqive të mëdha!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".