Modeli kroat i asociacionit mbetet zgjidhja e vetme e pranueshme për shtensionim të situatës në veri

Modeli kroat i asociacionit mbetet zgjidhja e vetme e pranueshme për shtensionim të situatës në veri
Modeli kroat i asociacionit mbetet zgjidhja e vetme e pranueshme për shtensionim të situatës në veri

Hajrullah Ternava

  • 22 September 2023 - 12:49

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Është e kuptueshme se në krejt këto procese politike që janë duke u zhvilluar për një gjetje të zgjidhjes së problemit negociues mes Serbisë dhe Kosovës, që po zgjatë tani e shumë gjatë, gjithsesi se ndërkombëtaret që i ndërmjetësojnë këto dy shtete i kanë planet e tyre dhe duan për ti arritur qëllimet që i kanë në plan, prandaj gjithsesi se faktori ndërkombëtar konkretisht Bashkimi Evropian, është duke e shfrytëzuar edhe përçarjen e thellë të skenës politike kosovare, për lakmi të pushtetit dhe interesa të ulëta politike, për ti bërë presion të pa drejtë qeverisë Kurti, dhe për të provuar, për ta nënshtruar dhe detyruar që ta pranon nën presion Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sipas asaj që pikërisht nga Serbia është propozuar dhe prezantuar edhe në takimin e 14 shtatorit.

-Tani më edhe zyrtarisht, “Skenari Lajçak-Vuçiq” është bërë kërkesë zyrtare e Perëndimit, me të cilën Kurtit i kërkohet Asociacioni pa vonesë dhe si hap i parë i veprimit në funksion të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Pra, Asociacioni së pari, kjo tash është kërkesë zyrtare e BE-së për Kosovën. Kryeministrit Albin Kurti i kërkohet ta nisë punën menjëherë. Ky lloj ultimatumi vjen një ditë pasi shefi i Qeverisë foli për një skenar të koordinuar ndërmjet ndërmjetësit Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e ku Perëndimi e ka hequr çdo dilemë, duke konfirmuar mbështetjen për planin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes, të cilin Kurti e refuzoi në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u tha se të enjten e ka refuzuar një propozim të Bashkimit Evropian për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ai tha se në takimin e së enjtes me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq pati “asimetri drastike” nga ndërmjetësit evropianë. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili e ndërmjetësoi takimin bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se Kurti nuk ishte i gatshëm të ecte përpara, ndryshe nga Vuçiqi, për të cilin tha se “e ka pranuar propozimin” e BE-së për zbatim, por që sipas Kurtit, ai plan ka qenë i ndërtuar dhe ofruar nga Vuçiq, i harmonizuar njëanshëm me Borel dhe Lajcak. Propozimi i BE-së, që sipas Kurtit është propozim i Vuçiqit, e kishte si bazë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nisja e procesit negociues rreth statutit të tij është vendosur në krye të hapave për implementimin e marrëveshjes.

Ndërsa do të niste puna për statutin e Asociacionit, Serbia parashihej të mos insistonte më në përdorimin e asteriksit dhe fusnotës në emrin e Kosovës në forumet rajonale. Më tej parashihej që palët të mos ndërhynin në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe të përmbaheshin nga dhuna apo nxitja e saj. Strukturat ilegale që veprojnë në Kosovë, sipas propozimit të BE-së, do të ndërprisnin veprimin vetëm pasi punët e tyre do të transferoheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më pas parashihej njohja e dokumenteve dhe simboleve, formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme ndërmjet dy vendeve. Serbia, sipas propozimit, më pas nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe do të kompletohej procedura e brendshme në Kosovë për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe. Në fund, propozimi i BE-së parasheh nisjen e negociatave për marrëveshjen finale për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Bashkimi Europian sot, më 19 shtator, e lëshoi një deklaratë zyrtare, ku përmes krye diplomatit evropian, Joseb Borrell i bën thirrje Kosovës që ta nisë pa vonesa të reja dhe pa asnjë parakusht punën për themelimin e Asociacionit. “BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për t’i zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhet në deklaratën e bllokut evropian. Po ashtu, aty shprehet mbështetja e plotë e 27 vendeve anëtare të BE-së për Lajçak.

“BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajcak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dy rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në deklaratë. Deklarata e sotme e BE-së e pason një akuzë të rëndë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai doli të hënën në një konferencë për media bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi dhe e akuzoi emisarin evropian, Miroslav Lajçak se ishte koordinuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për ta vënë atë përballë një skenari të cilin tha se “dukej se e kishte dizajnuar kohë më parë”. Krejt këto zhvillime janë të kuptueshme për opinionin i cili me vëmendje po i përcjell zhvillimet e këtyre proceseve, dhe duke e njohur të kaluarën e serbëve në situata të ndryshme, e që popullit shqiptar i kanë kushtuar shumë shtrenjtë ato veprime nacionaliste të tyre, edhe insistimi ndërkombëtarëve për një Asociacion që po e kërkojnë serbët, është i pa arsyeshëm sepse me një Asociacion të tillë në Kosovë, do të krijohej një Srpska Republikë si në Bosnjë, prandaj kryeministri Kurti po insiston që edhe nëse formohet Asociacioni ai duhet të jetë më i “emancipuar” që nuk shkakton probleme të mundshme ndëretnike, i ngjashëm sikur që vet Kurti po e përmend Asociacionin kroat, me të cilin do të arrihej qëllimi i fundit e që nuk rrezikohet asnjëra palë, prandaj ky Asociacion do të ishte përfundimi i negociatave mes këtyre dy shteteve, dhe Serbia si çdoherë duhet ta kuptoj këtë situatë njëherë e përgjithmonë, dhe ajo vetë ta jep kontributin e saj për një pajtim të përhershëm me Kosovën, dhe të distancohet nga e kaluara e saj nacionaliste.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".