Sulmi terrorist nga bandat e armatosura serbe në veri, e godasin edhe planin për autonomi administrative

Sulmi terrorist nga bandat e armatosura serbe në veri, e godasin edhe planin për autonomi administrative
Sulmi terrorist nga bandat e armatosura serbe në veri, e godasin edhe planin për autonomi administrative

Gani Qarri

  • 07 October 2023 - 09:05

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Ashtu siç shprehet me plot të drejtë eurodeputeti kroat në Parlamentin evropian, tanimë BE dhe SHBA duhet ta kenë të qartë njëherë e mirë, se pas sulmeve të fundit terroriste serbe kundër Policisë së Kosovës, asnjë lloj autonomie për pakicën serbe në Kosovë, më nuk është e mundur, ngase do të shndërrohej në katalizator destabilizimi, shkas paqëndrueshmërie dhe faktor nën telekomandën e Beogradit, ndaj të çarat e oktapodit të Serbisë hegjemoniste, duhet urgjentisht të mbyllen dhe shansi ti jepet një Kosove demokratike, ashtu siç shprehet edhe eurodeputeti Ilçiç Ladislav dhe përfaqësues i Kroacisë në Parlamentin evropian.

Pra pas sulmit terrorist serb në veri të Kosovës, si dhe rastit Radojçiq, Bashkimi Evropian përfundimisht duhet ta ndryshojë busullën e adresimit dhe të qëndrimit kritik në raporte mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që tashmë gjithçka është publike dhe e dëshmuar me argumente autentike, që flet hapur se shteti serb me projekt zyrtar nga institucionet e sigurisë, shërbimeve sekrete dhe të ushtrisë, ka punuar vazhdimisht për të krijuar një situatë të tillë të përshkallëzuar në Kosovë, si dhe i ka mbajtur nën kërcenim e kushtëzim të vazhdueshëm edhe qytetarët minoritar, serb, të cilët me kalimin e kohës, sapo kishin filluar të integrohen ne realitetin e ri të krijuar në shtetin e Kosovës. Edhe deputetja britanike, Alicia Kearns pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, është deklaruar sërish për situatën në Kosovë, duke theksuar se nuk ka asnjë kuptim që të heshtet pas lirimit të Radojçiqit nga paraburgimi, i akuzuar me fakte për terrorizëm kundër policisë së Kosovës. Kearns ka shprehur serish shqetësimin për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë nga ndërkombëtarët, përkundër faktit se edhe terroristi “Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi, përderisa Kosova ende vazhdon të jetë padrejtësisht e sanksionuar nga BE-ja.

Pra, ende nuk ka masa për Beogradin nga Britania e Madhe, SHBA, as BE, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë së Kosovës nga terroristët serb, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve të Kosovës para disa muajve, as rolit të kriminelëve serb, në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s, megjithatë, vetëm Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së, ka shkruar zonja Kearns në platformën X. Kështu që këto janë sinjale të fuqishme se edhe në parlamentin evropian tanimë janë duke u shtuar zërat të cilët po kërkojnë një rishikim të plotë të pozicionimit të BE-së, përballë zhvillimeve në Kosovë dhe raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt zonja Kearns edhe më parë kishte shkruar për rastin e 24 shtatorit, derisa kishte kërkuar që të vendoset drejtësia dhe jo të anohet në anën e Serbisë. Por akoma më ashpër është shprehur eurodeputeti kroat Ilçiç Ladislav i cili me arsyetime të pamohueshme, ka kërkuar që BE medoemos të heq dorë nga trysnia ndaj Kosovës për një autonomi ndaj serbëve të Kosovës, pasi që ajo autonomi do të abuzohet nga Serbia dhe do të destabilizohet i gjithë rajoni më pastaj, siç e dëshmoi edhe sulmi I fundit terroristë në Banjsk të Zveqanit.

Pra, është momenti vendimtar kur duhet thënë qartë dhe prerë se, pas sulmeve të fundit terroriste serbe, nuk është e mundur asnjë autonomi serbe në Kosovë, sepse kjo do të ishte thjesht një faktor paqëndrueshmërie nën telekomandën e Beogradit, ndaj le ti japim shansin një Kosove demokratike, me prerjen e të çarave të oktapodit të Serbisë së madhe, nëse duam paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, ka deklaruar eurodeputeti Ilçiç Ladislav përfaqësues i Kroacisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".