Hetimi profesional i Interpolit për furnizimin me armë të bandës së kriminelit Radojçiq, do ta godet ashpër edhe Vuçiqin

Hetimi profesional i Interpolit për furnizimin me armë të bandës së kriminelit Radojçiq, do ta godet ashpër edhe Vuçiqin
Hetimi profesional i Interpolit për furnizimin me armë të bandës së kriminelit Radojçiq, do ta godet ashpër edhe Vuçiqin

Hajrullah Ternava

  • 07 October 2023 - 08:59

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Prapaskenat e sulmit terrorist ndaj sovranitetit të territorit të Kosovës, tani po tentohen të manipulohen për opinionin ndërkombëtar, si në këtë rast që tani pretendohet se ato armë janë blerë nga Tuzlla e Bosnjës dhe Hercegovinës, nga ana e Millan Radojçiqit, i cili ishte ai që e ka marrë mbi veti organizimin e sulmit dhe komandimit të grupit terrorist. Tani krejt këtë invazion të Serbisë ndaj një shteti të pavarur, sikur që është Kosova duhet ta investigojnë-hulumtojnë ndërkombëtarët përmes INTERPOL-it, dhe të konstatohet e vërteta e këtij sulmi terrorist.

-Sikur të ishte ky sulm i vetë organizuar nga disa grupe terroriste, sikur pretendohet tani, si është e mundur që kryetari i një shteti në këtë rast i Serbisë Vuçiq, ti shpallë tri ditë zie për atë grup kriminel, sikur që po i apostrofon vetë, prandaj loja që po luhet në këtë rast nga ana e Serbisë së shpejti do të jetë vdekjeprurës për karrierën politike të Aleksandër Vuçiqit, si rezultat hetimi ndërkombëtar nga INTERPOL-i të mënyrës së organizimit të sulmit terrorist nga paramilitarë serb në veri të Kosovës, dhe hetimi e zbardhja e kanaleve të furnizimit të tyre me armë, për të cilat shteti serb nuk po e pranon përgjegjësinë, duke hedhur e duke u përpjekur që ta hedh topin tek vetë organizatorët e grupit, kinse armët janë blerë dhe kontrabanduar nga Bosnja e Hercegovina, dhe kanë bërë gjithë atë rrugë deri në Kosovë, pa u zbuluar dhe fare pa u penguar.

Autoritetet e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës e kanë demantuar në momentin e parë këtë lajm spekulativ të autoriteteve serbe, duke theksuar se armatimi i grupit terrorist të Milan Radojçiqit nuk është bërë me armë të siguruara, blerja nga Bosnja dhe Hercegovina. Madje për këtë tentativë mashtrimi nga Vuçiq dhe vartësit e tij, ka folur edhe Ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake serbe i cili ka thënë se dyshon në krejt skenarin e Serbisë për mbrojtjen e Milan Radoiçiqit duke humbur gjurmët e zbulimit të së vërtetës lidhur me sigurimin e armatimit të cilin grupi e ka futur në Kosovë me skenar të realizimit të aksionit ushtar terrorist. Pretendimet e prokurorisë serbe se organizatori i sulmit terrorist në Kosovë, Milan Radoiçiq, ka siguruar armë nga Tuzla, janë demantuar dhe hedhur poshtë nga ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, Momir Stojanoviq, i cili në një intervistë për Nova.rs ka thënë se dyshon në versionin e ngjarjeve të paraqitur nga prokuroria. Ai ka thënë se nuk beson në një mundësi të tillë sepse distanca hapësinore ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës është e madhe, edhe nëse ka kaluar përmes Beogradit, nuk ka pasur mundësi të bëhet pa e ditur shërbimet e sigurisë. “I dyshuari ka të drejtë për tu mbrojtur por unë nuk besoj fare në këtë mundësi, nëse e kam gabim dhe nëse është e vërtetë ka vetëm dy mundësi. E para është që do të thotë që sistemi ynë i sigurisë ka dështuar plotësisht.

E dyta është që e gjitha është bërë me pëlqimin e vendeve tona dhe autoriteteve të sigurisë. Nuk ka alternativë të tretë”, thotë Stojanoviq dhe shton se sipas tij, ka më shumë gjasa që shumica e armatimit të jenë armë nga Serbia, të mbetura nga lufta në vitet 1990. Madje Stojanoviq thekson se në gjithë këtë çështje vazhdimisht po tentohet të mos pranohet një e vërtetë e madhe, ajo e ekzistimit të hershëm dhe përgatitjes së grupeve të armatosura në veri të Kosovës, për të cilat me kohë është alarmuar dhe raportuar, kurse tani po provohet të anashkalohet e vërtetë, të “kapërcehet” një fakt. “Të gjithë e mbajmë mend kur është shfaqur historia për Brigadën e Veriut. Çfarë është Brigada e Veriut? Kush janë këta? Nuk është e vërtetë që nuk e kemi ditur se disa të rinj në veri të Kosovës organizohen ushtarakisht. Prandaj mendoj se është shumë më mirë të tregojmë menjëherë gjithçka që dimë për organizimin ushtarak të serbëve në veri të Kosovës, në mënyrë që autoritetet e Kosovës të mos na lëshojnë herë pas here ndonjë filmim”, ka deklaruar Ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake serbe Momir Stojanoviq.

Pas pohimeve të prokurorisë serbe se organizatori i sulmit terrorist në Kosovë, Milan Radoiçiq, kishte siguruar armë nga Tuzla, menjëherë janë ndërmarrë disa aktivitete nga Administrata Federale e Policisë atje dhe kontrolle janë duke u bërë nga Interpoli, ndërsa informata të caktuara janë kërkuar edhe nga MPB-ja e Serbisë dhe prokuroria kompetente. Një sulm terrorist në përmasa kaq të mëdha nuk mund të fshihet apo të zvogëlohet kur për këtë sulm ka edhe incizime satelitore për pjesëmarrësit në këtë aksion terrorist, dhe ekzistojnë dyshimet se KFOR-i edhe ndërkombëtarët kanë ndërmjetësua që policia e Kosovës të ndërpresin përdorimin e armatimit

që mos të vriten ata sulmues terrorist më, sepse proceset e ndërmjetësimit të Ohrit, nga ndërkombëtarët për një pajtim të mundshëm premtonin suksese, dhe që të mos vie deri te një përshkallëzim më i lartë me vrasjet e atyre sulmuesve është bërë ndërhyrja nga jashtë. Prandaj tani është momenti që faktori ndërkombëtar në mënyrë më të ashpër dhe të shpejtë ta përfundoj këtë proces që po zgjat mbi 24 vite, dhe njëherë e përgjithmonë ta detyroj Serbinë që ishte shkaktare kryesore e shkatërrimit të Jugosllavisë, që tash të pajtohet edhe me pavarësinë e Kosovës, e sidomos duke e pasur parasysh sulmin e tanishëm terrorist të kryer në brendësinë e territorit të Kosovës, edhe që KFOR-i ishte garantues i sovranitetit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".