Kosova në një linjë me Amerikën, mesazh i qartë i kryeministrit Kurti për BE-në nga Samiti i Berlinit në Tiranë

Kosova në një linjë me Amerikën, mesazh i qartë i kryeministrit Kurti për BE-në nga  Samiti i Berlinit në Tiranë
Kosova në një linjë me Amerikën, mesazh i qartë i kryeministrit Kurti për BE-në nga  Samiti i Berlinit në Tiranë

Gani Qarri

  • 18 October 2023 - 07:47

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Në samtimin e Berlinit në Tiranë, përfundimisht edhe Bashkimi Evropian mori mesazhin e qartë dhe kuptoi qëndrimin e duhur nga Qeveria e Kosovës, lidhur me mundësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, proces ky që është bllokuar dhe futur në një qorrsokak total, pas Sulmit terrorist të grupit kriminal të ardhur nga Serbia në veri të Kosovës!

-Madje në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë, sepse kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë hegjemoniste, përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen direkt të Serbisë. Ndërsa në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar edhe Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, ku gjatë takimit u diskutua ekskluzivisht rreth situatës aktuale në vend dhe procesin e dialogut.

Andaj është me rëndësi të ceket se në këtë samit, Kryeministri i Kosovës, e ka thënë troç, që nuk mundë të ketë dialog me pozicionim të njëanshëm të përkëdheljes dhe kompromiset ndaj Serbisë, por vetëm proces ku palët do të jenë plotësisht të barabarta dhe një rrugëtim drejtë finales me njohje. “Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotëni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial, ka deklaruar Kryeministri Kurti. Fakti se vërtetë ka ardhur moment kritik, për ndryshimin strategjik të politikës evropiane dhe gjithë perëndimore ndaj Serbisë, së fundi e ka thënë publikisht edhe vet ish ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Filip Kosnet.

Madje ish ambasadori amerikan ka deklaruar se për vite të tëra është udhëhequr politikë e gabuar ndërkombëtare në raportet Kosovë Serbi sepse Kosova u trajtua si një fëmijë i padisiplinuar, përderisa Serbia është e futur thellë në krahët e Rusisë dhe të Kinës, pavarësisht përpjekjeve të perëndimit për përafrimin e saj në BE. “Kjo ide e gabuar, e kombinuar me mendimin perfid se Serbia është më e rëndësishmja në rajon dhe ne duhet ta “fusim, medoemos në vathën evropiane dhe jo ta shtyjmë në krahët e Rusisë dhe Kinës”, shihet se nuk ka funksionuar as nuk ka qenë qasja më e mençur”, shtoi ai. Ish-ambasadori i SHBA-ve ka thënë troç se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk u është bashkuar as sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, qysh kur Moska pushtoi Ukrainën dhe tanimë është koha e fundit, kur nga të gjithë, kjo duhet të kihet parasysh dhe Serbia të sanksionohet në mënyrë të merituar. “Unë mendoj se Serbia është qartazi e futur thellë në krahët e Rusisë dhe Kinës dhe çfarëdo përpjekjesh që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve për të tërhequr Beogradin drejt Perëndimit nuk kanë treguar ende ndonjë rezultat”, tha ish ambasadori Kosnet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".