Delegacioni i madh evropian në Prishtinë dhe Beograd, një rast vendimtar për shtensionim

Delegacioni i madh evropian në Prishtinë dhe Beograd, një rast vendimtar për shtensionim
Delegacioni i madh evropian në Prishtinë dhe Beograd, një rast vendimtar për shtensionim

Hajrullah Ternava

  • 20 October 2023 - 19:16

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Politikat ndërkombëtare që po zhvillohen në këto kohëra e kanë rrolin kryesor se si i parashohin që problemet e ndryshme të zgjidhen, prandaj edhe në këtë situatë në të cilën tani gjendet Kosova, angazhimi i ndërkombëtarëve është tepër i nevojshëm por edhe vendimmarrës për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe vizita e pesëshes perëndimore gjatë kësaj të shtune, do të jetë shumë e rëndësishme e paralajmëruar për në Prishtinë dhe në Beograd, e sidomos vendimtare për shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për ti hapur rrugë rifillimit të shpejtë të dialogut pa kushte për të bërë përparim të prekshëm.

Rezultati që duhet të arrihet pa vonesë në mes Prishtinës dhe Beogradit nënkupton veprimet e dyanshme për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit, pa parcializim dhe pa sekuencim, ashtu sikur po insiston pala serbe e cila nuk ka pranuar deri më tani zbatimin e plotë të marrëveshjes në pako, shkurt sikur që është akorduar. Sikur që është paralajmëruar nga zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano, të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së, si dhe këshilltarët e sigurisë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do të vijnë në Prishtinë dhe Beograd të shtunën me qëllim të “bërjes së përparimit të prekshëm” në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe uljen e tensioneve, veçanërisht pas ngjarjet në Banjskë në veri të Kosovës. Stano ka deklaruar se Miroslav Lajcak, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e sigurisë së presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe kryeministrit të Italisë, Emmanuel Bon, Jens Pletner dhe Francesco Talo, do të takojnë dhe bisedojnë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiq “me pritshmëri të qarta se të dyja palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe do të zbatojnë detyrimet e tyre pa vonesë dhe pa kushte”. Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe duhet të bëjnë gjithçka për të zbardhur sfondin, autorët dhe organizatorët e dhunës në Banjskë”, ka thënë zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell. “Vuçiq duhet ta bëjë shpejt, sepse nuk ka durim të pafund në Bashkimin Evropian dhe disa masa tashmë po diskutohen në qarqet evropiane në rast se Beogradi nuk e bën atë që pritet”, kanë thanë burime diplomatike evropiane. Në të njëjtën kohë, burime diplomatike evropiane i thanë Beta-s se zyrtarë të lartë të vendeve kryesore perëndimore po shkojnë në Prishtinë dhe Beograd me kërkesën që jo vetëm të ndalet përshkallëzimi në Kosovë, por edhe “fjalë për fjalë, sa më shpejt të jetë e mundur, të organizohen zgjedhjet komunale në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe konkretisht të fillojë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për Themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”. Tani ky rasti është ideal për Prishtinën për ta zbuluar edhe ofertën qe fletë për çështjen e Asociacionit, e cila deri më tash ka munguar dhe nuk është zbuluar, së pakut për opinionin publik. Meqenëse bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për një pajtim të mundshëm janë stërzgjatur tepër, është momenti që të finalizohen këto bisedime dhe të arrihet pajtimi mes veti, i këtyre shteteve dhe të vij deri te njohja reciproke mes veti, që do të ishte një e arritur e madhe për të gjithë rajonin, sepse luftërat në përgjithësi janë të dëmshme për gjithë globin, prandaj populli i Ballkanit duhet sa më pare ti bashkëngjitet shteteve të BE dhe në këto troje të mbretëroj liria dhe qetësia e përhershme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".