Nuk duhet vonuar, të veprohet urgjentisht për ta dekriminalizuar këtë sistem të drejtësisë së korruptuar dhe të shantazhuar nga krimi i organizuar

Nuk duhet vonuar, të veprohet urgjentisht për ta dekriminalizuar këtë sistem të drejtësisë së korruptuar dhe të shantazhuar nga krimi i organizuar
Nuk duhet vonuar, të veprohet urgjentisht për ta dekriminalizuar këtë sistem të drejtësisë së korruptuar dhe të shantazhuar nga krimi i organizuar

Gani Qarri

  • 23 October 2023 - 17:29

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Vërtetë është akt shumë i turpshëm dhe tërësisht i papranueshëm se si po sillen institucionet e drejtësisë në Kosovë, me të dyshuarit për krim të organizuar dhe madje edhe me të akuzuarit për veprime terroriste, pikërisht në veri të Kosovës, territor ky që për gati dy dekada ka qenë si tokë e pa shkelur për institucionet e rendit e të ligjit, të shtetit të Kosovës, për vet faktin se përkundër ndërprerjes së këtij zinxhiri, nga organet e rendit të Republikës së Kosovës, drejtësia është duke kooketuar kaq ngushtë me krimin, sa që është duke e amnistuar jo vetëm kriminelët e rëndomtë por edhe serbët e akuzuar dhe të dyshuar për terrorizëm si polici Dejan Pantiq, që për turpin e pa-"drejtësisë" së vendit, sipas Ministrit të Brendshëm, bleu lirinë me parat e krimit të organizuar.

 

Pra përveç kontrabandës nga nëntoka e krimit të organizuar, së fundi nga drejtësia e kapur, është liruar me dorëzani edhe ish i dyshuari për kryerjen e veprës penale terrorizëm, si ish pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, të cilit çuditërisht, është ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak, qysh më 6 shtator, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës më atë të dorëzanisë, duke paguar shumën prej vetëm 30 mijë eurosh, ndoshta nga Vuçiqi dhe Serbia hegjemoniste. Ky vendim madje është mbajtur sekret dhe tërësisht larg mediave, pa asnjë informim, për më shumë se një muaj dhe vetëm me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit Lubomir Pantovic, Gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, në mënyrë që me datën 05.09.2023 Gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK-ja ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit për terrorizëm Dejan Pantiq, të zëvendësohet me masën e dorëzanisë prej 30.000.00, eurove, pas deponimit të shumës së lartcekur”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Siç dihet Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022, në pikën kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe kishte qëndruar në paraburgim tri javë, andaj lidhur me lirimin e tij të paprecedent, kanë reaguar ashpër me shumë të drejtë, dy ministra në Qeverinë e Kosovës, Ministri I Punëve të brendshme Xhelal Sveçla dhe Ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu. Pas lirimit të Pantiqit, Haxhiu ka thënë se është veprim i paprecedent skandaloz, i Prokurorisë dhe gjyqësorit se si të gjithë kriminelët të cilët me paramendim dhe në mënyrë të organizuar, kanë sulmuar policinë dhe cenuar publikisht rendin kushtetues, po lirohen nga Gjykata me dorëzani. Dhe sipas Ministres Haxhiu, nuk është fare larg mëndësh, që gjykatat e kapura e të korruptuara edhe terroristët e sulmit të 24 shtatorit, t’i lirojnë me dorëzani. Andaj kjo vërtetë siç thotë edhe vet Ministrja Haxhiu, kjo vetëm drejtësi nuk është dhe as që mund të quhet fare drejtësi kur të gjithë kriminelët të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, Gjykata i ka liruar me dorëzani, sepse siç ka nisur kështu, nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit, gjykatat e tilla, t’i lirojnë me dorëzani. Kështu që Ministrja Haxhiu i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, t’i trajtojë këto raste dhe të mos lejojë keqpërdorimin e dorëzanisë, kurse edhe më i ashpër ka qenë reagimi nga Ministri I Punëve të brendshme Xhelal Sveqla i cili ka deklaruar se kjo sjellje e pa precedent e Prokurorisë dhe gjykatës është sabotim direkt, i punës shembullore që ka bërë policia për kapjen dhe dorëzimin e të dyshuarve për krim dhe akte terroriste. Ai ka thënë se nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, pasi që Policia arreston terroristët, kurse këta me paranë e krimit e blejnë edhe lirinë me dorëzani, “sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata, tha MInistri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”, ka deklaruar Sveçla. Ministri i Brendshëm thotë se një pjesë e madhe e këtyre kriminelëve kanë vepruar në të njëjtën mënyrë. “Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan institucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë, nga gjykata e Kosovës, po në këtë formë. Veprat për të cilat akuzohen Pantiq dhe të tjerët nuk janë çfarëdo veprash, andaj mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”, kur dihet se veprat e Pantiqit dhe të tjerëve janë mjaft të rënda dhe me këto vendime dëmtohet rëndë drejtësia dhe ligji, po ashtu. Duke pasur parasysh se ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal, këto lloj masash nuk u shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun e vendit tonë dhe as drejtësisë, përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër në veprat e krimit dhe aktet terroriste. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokë qarës ndaj punës së paepur, të përditshme, e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës”, andaj puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, ka deklaruar tutje Sveçla. E sikur që dihet, terroristi Dejan Pantiq, është arrestuar nën akuzën se ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar në veri të Mitrovicës, prandaj vet këto fakte, flasin fort dhe shumë zëshëm për nevojën emergjente bërjes së Vettingut dhe fillimin e dekriminalizimit të plotë të sistemit të drejtësisë sepse veçanërisht në këtë sektor të kapur e shumë problematik për vendin, nuk ka shpresë për reformim dhe vetëpastrim pa forcën e ligjit. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".