Ekstradimi i kokave organizatore të sulmit nga grupi terrorist serb më 24 shtator kundër shtetit të Kosovës kusht i parë në tavolinën e dialogut

Ekstradimi i kokave organizatore të sulmit nga grupi terrorist serb më 24 shtator kundër shtetit të Kosovës kusht i parë në tavolinën e dialogut
Ekstradimi i kokave organizatore të sulmit nga grupi terrorist serb më 24 shtator kundër shtetit të Kosovës kusht i parë në tavolinën e dialogut

Gani Qarri

  • 25 October 2023 - 18:11

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Vet fakti se sulmi terrorist i 24 shtatorit, përveçse dëshmoi publikisht se sa të rrezikuar janë qytetarët e Kosovës nga terroristët serb, e që vetëm pak kohë më parë, po ata terrorist, pothuajse njëjtë ishin rrezikuar edhe forcat e NATO-s dhe BE-së, duke mbetur mbi 93 ushtar të KFOR-it të plagosur rëndë e lehtë, bëri që akti terrorist serb i 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, të dënohet ashpër dhe njëzëri, nga SHBA dhe BE, si dhe të kërkohet sa më parë ekstradimi në Kosovë i terroristëve të ikur në Serbi.

 

Një kërkesë e tillë e drejtë u parashtrua madje edhe në forumin më të lartë ndërkombëtar, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga Robert Wood, zëvendës përfaqësues i përhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, i cili ka bërë thirrje publikisht që terroristët serbë përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit në Banjë të ekstradohen para autoriteteve të Kosovës. ShBA e dënon ashpër sulmin e 24 shtatorit, akt që zbuloi një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve të Kosovës dhe vuri në rrezik gjithashtu edhe trupat e NATO-s dhe të BE-së, ndaj terroristët që ikën në Serbi duhet të ekstradohen dhe të ndiqen penalisht”, tha Wood. Prandaj kjo i ka rritur shumë gjasat reale, që faktori ndërkombëtar me presion të shtuar të ndikojë në qeverinë e Serbisë, për ta pranuar përgjegjësinë lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit, dhe si kompromis për këtë të detyrohet ta bëjë përfundimisht ekstradimin e organizatorëve kryesor dhe komanduesve në teren të grupit terrorist, që u fut ilegalisht në territorin e Kosovës, vrau në detyrë policin, tani hero Afrim Bunjakun dhe e shndërroi në kazermë ushtarake manastirin ortodoks, të fshatit Banjë të Zveçanit. Njëkohësisht diplomati amerikan Wood ju ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE, për të ndërmarrë hapa konkretë përpara dhe të bëjnë përparim në zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut, kërkesë që SHBA vazhdon ta mbështes si rruga më e mirë për pajtimin e Kosovës dhe Serbisë”. Po ashtu, diplomati amerikan Wood theksoi se ShBA-të, e mirëpresin rritjen e numrit të KFOR-it në veri me qëllim të parandalimit të eskalimit të ri të situatës dhe provokimeve të reja nga jashtë, prani kjo që do të mbahet sa të jetë e nevojshme në varësi prej situatës. Wood shtoi gjithashtu se institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat ju kundërvunë sulmit terroristë në veri, kanë kryer një intervenim të suksesshëm duke parandaluar eskalimin në përmasa më të mëdha, kështu që SHBA ka vlerësim pozitiv dhe përgëzon Policinë e Kosovës për reagimin e shpejt dhe profesional, ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit. Njëkohësisht SHBA çmon po ashtu shumë lart edhe koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in si gjatë sulmit ashtu edhe gjatë hetimit”, ka deklaruar Wood duke theksuar se UNMIK-u, ka kohë që e ka përmbushur misionin e tij, dhe tani është koha të shkojë, sepse nuk ka më asnjë rol në qeverisjen e Kosovës. Andaj krejt kjo flet më së miri se Kosova aktualisht vërtetë është në pozitën më të favorshme të mundshme, që të rezistojë sa më fuqishëm, dhe kërkoj me sa më shumë vendosmëri nga Serbia dhe shtetet përreth që ta pranojnë bashkëpunimin dhe kërkesën për ekstradimin e komanduesve të grupit terroristë, në Kosovë. Vetëm ekstradimi i terroristëve para organeve të drejtësisë së Kosovës, do të ishte zgjidhja e vetme dhe mënyra më e mirë për shtensionimin e vërtetë të situatës në veri, pasi që edhe vetë banorët lokal serb, tash e sa vite, kanë qenë nën presion dhe të rrezikuar nga grupi terrorist serb, i cili në veri, ka vepruar për një kohë në ilegalitet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".