Finalja e suksesshme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, çelësi kryesor i perspektivës së integrimit

Finalja e suksesshme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, çelësi kryesor i perspektivës së integrimit
Finalja e suksesshme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, çelësi kryesor i perspektivës së integrimit

Hajrullah Ternava

  • 09 November 2023 - 17:07

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Situata politike që po zhvillohet tani edhe në veri të Kosovës me një tension shumë më të butë, po na jep shpresa të besojmë se tani çështja e një pajtimi me Serbinë është një zgjidhje më e përafërt, e sidomos tani që edhe Kosova po jep sinjale për pajtimin rreth krijimit të Asociacionit , por gjithsesi me kompetenca që bazohen vetëm në Kushtetutën e Kosovës i ngjashëm me Asociacionet e ndryshme evropiane. Duke pasur parasysh një shtensionim të madh të situatës politike e të sigurisë në vend, pas atyre zhvillimeve dramatike e të rrezikshme në veri të vendit, tash është momenti që edhe Qeveria e Kosovës, por edhe lidershipi i gjerë politik i përfaqësuar në Kuvend, ti marrin seriozisht mesazhet e BE-së që vijnë në adresë të shtetit tonë për perspektivën e Kosovës në BE, dhe përshpejtimin e procesit për përafrim dhe integrim.

 

Përmbyllja e suksesshme e dialogut me Serbinë dhe Asociacioni mbi bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së shtetit të Kosovës, për të garantuar dinamikë më të shpejtë të integrimit dhe zhvillimit, janë parakusht që BE i ka vendosur tani edhe në raport me Kosovën në rrugëtimin drejtë BE-së. Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi tha të mërkurën se për Kosovën rruga evropiane vjen përmes dialogut të suksesshëm, prandaj edhe duhet të dyfishohen përpjekjet që të përmbyllet me sukses, duke u zbatuar marrëveshjet nga të dyja palët në proces. Këto komente Oliver Varhelyi i ka bërë në konferencën e përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, derisa është pyetur nëse ka ndonjë vendim për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që është një hap i parë në rrugëtimin e gjatë për anëtarësim. Varhelyi tha se është aplikacioni i parashtruar nga Kosova, por që Këshilli ende s’ka kërkuar nga Komisioni që të jap mendim për këtë. “Po ka një aplikacion për anëtarësim të parashtruar nga Kosova. Këshilli nuk ka kërkuar ende nga Komisioni që ta jap mendimin. Ne jemi gati ta japim mendimin. Nuk është detyra ime ta interpretoj qëndrimin e Komisionit ose shteteve anëtare”, tha fillimisht ai. Mirëpo tutje, Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë të BE-së shtoi se për Kosovën rruga evropiane vjen përmes dialogut të suksesshëm, dhe se përpjekjet duhet të dyfishohen. “Për Kosovën rruga evropiane po vjen mes dialogut të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun e tyre të suksesshëm”, tha ai në konferencën për media pasi Komisioni Evropian miratoi Paketën e Zgjerimit 2023, duke ofruar një vlerësim të detajuar të gjendjes dhe progresit të bërë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia dhe për herë të parë edhe Ukraina. Ndryshe, detyrimi i Kosovës për themelimin e Asociacionit është përfshirë edhe në Raportin e Progresit. Sipas raportit, drafti i muajit maj të këtij viti, i paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut, që ishte propozuar nga Serbia është hedhur poshtë, pasi theksohet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut. Andaj, BE-ja kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë më 21 tetor në Bruksel. Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale. Prandaj me këtë çfarë u tha deri më tani qartë po vërehet se gjërat kanë nisur të lëvizin drejtë një pajtimi të detyrueshëm që po e kërkon koha, e që u miratua nga të dy palët me marrëveshjen e Ohrit, dhe nëse ndodhë ky pajtim shumë shpejt edhe shteteve tjera të Ballkanit do t’iu hapen dyert e BE-së, dhe mbas kësaj të gjitha shtetet do të jetojnë në një përfshirje me shtetet e BE-së, që tani nuk do të ketë më pengesa për lëvizje të qytetarëve si në BE e më gjerë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".