Serbia është shtet i bllokuar me murin e blinduar nga NATO-ja

Serbia është shtet i bllokuar me murin e blinduar nga NATO-ja
Serbia është shtet i bllokuar me murin e blinduar nga NATO-ja

Nexhat Haziri

  • 29 November 2023 - 21:21

 Shkruan: ANALISTI-Nexhat Haziri

Kërcënimet së fundi nga autoritetet serbë të cilat janë shpeshtuar në ditët e fundit në drejtim të Kosovës, janë vetëm pjesë e fushatës zgjedhore atje, sidomos ajo se ushtria do të kthehet në Kosovë, në tokën serbe , e të tjera, janë parulla nga e kaluara e regjimit të Millosheviqit, që mjerisht partitë politike në Serbi, pa dallim pozitë dhe opozitë po mundohen që ta aktivizojnë dhe mobilizojnë elektoratin e tyre atje për qëllim votash.

 

Është për keqardhje që akoma kjo politikë po mbretëron në Serbi, por është fat i mirë që janë vetëm për konsum të brendshëm politik në Serbi. Në përgjithësi vringëllimi i armëve në Ballkan po bëhet nga lider autokrat që për qëllim kanë ruajtjen e pushtetit të tyre. Mesazhet që vijnë nga NATO, si nga sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, me takimin e fundit të aleancës më të fortë ushtarake në botë që po mbahet tani në Bruksel, por edhe me vizitat paraprake në rajon, janë mesazhe të forta për Beogradin zyrtar dhe për të gjitha ata lider luftënxitës siç është rasti edhe me Dodikun e Republikës serbe në BH, se NATO nuk do të jetë një vëzhguese e kërcënimeve dhe orvatjeve për destabilitet në Ballkan, por do të intervenojë për të ruajtur dhe mbrojtur paqen në rajonin ku kjo aleancë ka prezencën e saj siç është rasti me Kosovën, por edhe shtet anëtare të aleancës, siç është Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia. Pra janë mesazhe të qarta që shkojnë në adresë të Beogradit zyrtar dhe unë mendoj se elita politike në Serbi është e vetëdijshme se NATO, nuk do të tolerojë asnjë veprim në drejtim të provokimit të situatës në rajon, sidomos në raport me Kosovën, përkundër sulmit nga një grup kriminal serb ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, që prapa tij qëndronte Beogradi zyrtar e për të cilin Serbia do të ndëshkohet. Pra edhe pse mund të themi se mesazhet që vijnë nga NATO për Serbinë mund të duken si të vonuara, por ato janë të qarta dhe shumë konkrete për Serbinë, se ajo nuk mund të llogaritë në krizën e luftës në Ukrainë nga sulmi i paprovokuar i Rusisë , dhe luftën në lindjen e mesme në mes organizatës terroriste Hamas dhe Izraelit, dhe shpërqendrimin e NATOS nga rajoni i Ballkanit, për të provokuar luftë me fqinjët e saj, në këtë rast me Kosovën por edhe me shtetet e tjera të rajonit si Bosnja apo edhe ndonjë aneksim të Malit të Zi. NATO është e përqendruar në rajon me të gjitha kapacitet ushtarake dhe politike me çka e dëshmojnë edhe deklaratat që vijnë nga qendra e saj kryesore në Bruksel por edhe me vizita dhe deklarata të zyrtarëve më të lartë të aleancës

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".