Qeveria e Kosovës nuk e ka refuzuar Evropën, por këngën e Serbisë nëpërmes OSBE-s

Qeveria e Kosovës nuk e ka refuzuar Evropën, por këngën e Serbisë nëpërmes OSBE-s
Qeveria e Kosovës nuk e ka refuzuar Evropën, por këngën e Serbisë nëpërmes OSBE-s

Shefik Shkodra

  • 01 December 2023 - 17:19

Shkruan: ANALISTI-Shefik Shkodra

Qeveria e Kosovës mirë ka dhënë përgjigje. Askush s’ka çka kritikon dhe s’ka pse zhgënjehet në politikën kosovare. Kjo është e drejta e shtetit juridik dhe institucionet e këtij vendi, si çdo kund tjetër, janë përgjegjëse për integritetin territorial dhe sovranitetin. Po këto janë kurthet e politikës serbe nga Beogradi, në qoftë se mund të hidhet një gur mbi mur dhe të thuhet se, ky vend është pjesë përbërëse, përkatësisht Kosova është provincë e Serbisë.

 

Dëshmia më e mirë është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në truallin e Kosovës. OSBE po kërkon ndërmjetësim për zgjedhjet Parlamentare të Serbisë në Kosovë. OSBE ndërmjetësoi disa herë për zgjedhjet e Serbisë në trojet e Kosovës. Tash me ardhjen e një qeverie më ndryshe prej atyre të më parme, nuk po interpretohet ajo këngë. Evropianët shpeshherë ndodhën në mes këtyre dy vendeve me porosi, sidomos nga Serbia. Dhe tash kur nuk pranohet kjo mënyrë e zgjedhjeve për interesin e politikës serbe në Serbi, ka reagime edhe nga evropianët. Po pse OSBE nuk ndërmjetëson për komunat me shqiptarë, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës? Ndoshta pak më lehtë ishte puna me përfaqësuesit politikë të Kosovës. Më lehtë të ngarkohen e të gabohen. Dhe kjo nuk është hera e parë që kushtëzohet Kosova, njëherë me Shengenin e për të cilin na i tolloviti qytetarët disa herë me gënjeshtra edhe nga politika e përfaqësuesve të Kosovës. Shumë afate kanë skaduar dhe nuk lejuan që shqiptarët e Kosovës të udhëtojnë nëpër Evropë pa viza. Të mbahen në karantinë e vogël e qytetarëve të Evropës. Dhe këta qytetarë sikur të kishin qenë njerëzit më primitivë e më kriminelët, nuk është dashur të veprohet kështu për kaq kohë. Natyrisht, ishin disa kërkesa për rend e zvogëlim të korrupsionit, por s’ishte krejt aty qëllimi. Në një vend ku ka kushtetutë e institucione shtetërore nuk mund të luajë valle e të këndojë këngë për vete një vend tjetër. Me këtë, duhet të thuhet thjesht, nuk bën të kalërohet në arat e huaja dhe të shkretohet çdo gjë pa ndonjë marrëveshje e pa ndonjë reciprocitet, në këtë rast shumë i nevojshëm për tri komunat në jug të Serbisë. Thuhet se në ato komuna po ua merr të drejtën e pronës dhe çregjistrimin e popullatës pas largimit të familjeve nga ato lokalitete përkohësisht apo për gjithnjë. Në Medvegjë është edhe më keq se në këto dy komunat tjera. Po mirë, A. Vuçiq nuk bën kërkesë zyrtare me reciprocitet për të ndërmjetësuar OSBE, por OSBE sikur është ajo e prirë që të ndërmjetësoi pa ndonjë ujdi të konvenuar për dy palët. Do të thotë, përkëdhelja është gjithnjë ndaj Serbisë, jo edhe ndaj Kosovës. Këtë nuk mund ta kuptojë njeriu. Shumë kushtëzime për Kosovën nga Evropa asnjë për Serbinë. Nuk ka ndëshkime e lë më kërcënime për Serbinë. U bë çka u bë nga terrorizmi serb, me leje e përgatitje nga krerët e shtetit serb, nuk u pa gjykimi dhe ndëshkimi nga evropianët për këtë dhe jo vetëm për rastin e 24 shtatorit veç ky rast më i rëndi dhe me dimension e tendencë për një luftë të re. Për të tollovitur jo vetëm Kosovën, por edhe gjithë rajonin. Këtë e dinë mirë të gjithë evropianët. Kushtëzimet dhe ndëshkimet për Kosovën janë të shpeshta e të rënda edhe atëherë kur nuk është fare me vend, do të thotë, me pa të drejtë. Njëherë ndalesa në disa fusha e veprimtari si dënim ndaj Kosovës. Një kërcënim para do kohe ishte me anulimin e vendimit për Shengenin, për udhëtim të kosovarëve pa viza, pasi është marrë ai vendim, natyrisht si kushtëzim për Asociacionin e serbëve. Pas një përhapje të një lajmi, se Kosova mund të pranohet në Këshillin Evropian, po për ta fituar këtë hyrje, del një kërkesë, do të duhej që Qeveria e Kosovës të lëshojë pe në kërkesën e Serbisë. E Serbia gjithnjë duke pritur që, Kosova si preja të bie vetë në kurth. Këtë herë, të pranohen zgjedhjet Parlamentare të Serbisë në Kosovë. Pas gjithë atyre provokimeve terroriste për ta zhbërë shtetin e Kosovës, tash OSBE menjëherë e gatshme që ta ndihmojë Vuçiqin; pa pas parasysh sa shumë dëme i ka shkaktuar Kosovës, vetë ai Vuçiqi me grupin, pa e pas dënuar fare për ato kërcënime me luftë kundër Kosovës, pa ndjekjen e atyre terroristëve të përgatitur nga vetë ai si shef i shtetit. Ai vepron, mbase e kam thënë ndonjëherë, mu si në shekullin e XIX, me cuba hajna e kriminel, dhe jo si shtet juridik i shekullit të XXI. “Shkoni ju në Kosovë dhe plaçkitni e vrani! Rrëmbeni pasurinë e “arnautëve” të gatshme pa mundi! Paguani ndonjë bastard që t’i kërcënojë të tjerët që janë unikë për ta qeverisur atë vend! Ai vend është i joni!” Kështu diçka i marrin mësimet e Kishës ortodokse serbe me ata “akademikët” e tyre dhe politikën e zullumit që e bëjnë. Dhe këtë e quajnë projekt të shek. XIX. Pa ardhjen në pushtet të Serbisë njerëzit që edukojnë dhe dëshirojnë shtetin e tyre më parë dhe marrëdhëniet me fqinjët, nuk ka qetësi as Ballkani as Evropa. Qeveria e Kosovës mirë ka dhënë përgjigje. Askush s’ka çka kritikon dhe s’ka pse zhgënjehet në politikën kosovare. Kjo është e drejta e shtetit juridik dhe institucionet e këtij vendi, si çdo kund tjetër, janë përgjegjëse për integritetin territorial dhe sovranitetin. Po këto janë kurthet e politikës serbe nga Beogradi, në qoftë se mund të hidhet një gur mbi mur dhe të thuhet se, ky vend është pjesë përbërëse, përkatësisht Kosova është provincë e Serbisë. Dëshmia më e mirë është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në truallin e Kosovës. Pra me çdo kusht, të hyjë në ndonjë vrimë sa për t’u arsyetuar se “ne e sundojmë Kosovën”, se “ne jemi mbi atë hapësirë” dhe nuk është e pavarur dhe “nuk e pranojmë pavarësinë e saj,” etj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".