Rënia e nderit: Nga Vlerat Tradicionale te Maskarada e Pamoraliteti

Rënia e nderit: Nga Vlerat Tradicionale te Maskarada e Pamoraliteti
Rënia e nderit: Nga Vlerat Tradicionale te Maskarada e Pamoraliteti

Gurakuç Kuçi

  • 07 December 2023 - 09:26

Shkruan:Dr. Gurakuç Kuçi

Shoqëria jonë, e cila dikur u krenua për vlerat e theksuara në respekt dhe ngritje shpirtërore, tani po shkërmoqet me një vullnet të pamenduar për të hedhur veten në një batak të pashpirt. Në këtë epokë, nderi është zëvendësuar nga një maskaradë e pandjeshme, ku vlerësohet më tepër një “sellfi” i shkrepur në ndonjë diskotekë të zhurmshme sesa një darkë e qetë leximi në qoshe të një biblioteke.

Prapambeturia ka zënë vendin e dijes, ndërsa shfaqja publike ka zëvendësuar thellësinë e mendimit. Të dalësh me një telefon të ri është shpallur si sukses i pamohueshëm, ndërsa një libër në dorë është kthyer në një objekt të pazakontë, që bie në hije të ngërçit të komoditetit digjital. Gjuha e rrugës, e pasuruar nga fjalë vulgare dhe bota e errët e përdhunimit verbal, shpërfaqet si një formë e komunikimit më e vlefshme se gjuha e sofistikuar e letërsisë.

Ndërkohë, vlerësimi i një lokali të famshëm ka kapur peshën e një shtëpie private, duke sjellë një distancë të pamenduar mes individit dhe intimitetit të tij. Në këtë kontekst, mënyra se si një person paraqitet në publik ka më shumë rëndësi se çfarë ai është në thellësi.

Përtej kësaj, shqetësimi më i madh është se më krenari është të bartësh një armë, se sa të bartësh një vlerë morale. Paradoksalisht, pasuria materiale ka zënë vendin e lavdisë dhe nderit. Sot, nuk është më puna se si i arrin paratë, por sa e shpejtë mund t'i fitosh ato. Droga është bërë një zgjedhje e mrekullueshme për të shpëtuar nga bota e tmerrshme e pamundësive dhe zhgënjimeve, duke hedhur në harresë se çdo ngritje pasohet me një rënie.

Familja, që ishte në një strehë e vlerave tradicionale, tani është  një konstrukt i shpërbërë, i shpërndarë nga presionet e një shoqërie që çmojnë veten mbi marrëdhëniet njerëzore. Ndërsa sfidat e shoqërisë moderne bëjnë presion mbi strukturën e saj, ndjenjat e të humburit dhe mërgimi emocional përpiqen të mbulojnë një boshllëk që nuk ka krahasim.

Në këtë peizazh të humbur dhe të marrëdhënies në rënie, melankolia shtrihet si një plakje mbi shpirtin tonë kolektiv. Trishtimi dhe frika për të ardhmen ngjallin një ndjenjë të thellë të humbjes dhe mospërfilljes, duke bërë që shoqëria të ecë përpara në një dëshirë të çuditshme për vetëdorëzim.

Në këtë kontekst, mbrojtja e familjes nga degradimi dhe prishja e gjinisë njerëzore shtrihen si themele prej rërë. Familja, si një qelizë e shoqërisë, duhet të përballet me presionet e tronditura dhe të kuptojë se rënia e saj ka pasoja të mëdha për të gjithë. Bashkëjetesa dhe respekti ndaj rolit të secilit anëtar janë thelbi i stabilitetit familjar.

Religjioni, si një ndriçues i rrugës së humbur, lëshon dritë në këtë peisazh të errët. Mungesa e besimit ka lënë një boshllëk shpirtëror, duke hapur rrugën për humbje të tjera. Nëse nuk rivendosim lidhjen tonë me vlerat themelore morale dhe spirituale, rreziku është që të vazhdojmë në këtë rrugë të humbjes së identitetit dhe thelbit njerëzor.

Në këtë peisazh të degraduar, s'ka pse të befasohemi nga vala e vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës, plaçkitjeve dhe papërgjegjshmërive tjera. Shoqëria është kthyer në një arenë ku mënyra se si të shpërfaqesh publikisht ka më shumë rëndësi se integriteti dhe vlerat e tua njerëzore. Ndërsa ecim përpara me këto bëma, duke mbyllur sytë para një realiteti të errët, ku vetëdija individuale dhe kolektive ka humbur shpirtin dhe melankolia ka mbuluar trishtueshmërinë e një bote që po merr fund, është koha sa nuk është bërë vonë të trokasim në ndërgjegjën tonë individuale dhe kolektive.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".