Masat e BE-së kundër Kosovës duhet pezullohen, Qeveria po e dëshmon dhe pasqyron me fakte situatën në Veri të stabilizuar dhe të shtensionuar

Masat e BE-së kundër Kosovës duhet pezullohen, Qeveria po e dëshmon dhe pasqyron  me fakte situatën në Veri të stabilizuar dhe  të shtensionuar
Masat e BE-së kundër Kosovës duhet pezullohen, Qeveria po e dëshmon dhe pasqyron  me fakte situatën në Veri të stabilizuar dhe  të shtensionuar

Gani Qarri

  • 14 December 2023 - 07:41

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Për ta dëshmuar dhe me fakte autentike gjendjen e stabilizuar dhe pothuajse gati komplet të shtensionuar në veri të Kosovës, në mënyrë që të arsyetohet me argumente edhe kërkesa për heqjen e masave kufizuese të BE-së, ndaj shtetit tonë, policia e Kosovës, në veri të vendit, ndonëse në numër të reduktuar, plotësisht sipas rekomandimeve dhe kërkesës së BE-së, ka arritur ta menaxhojë situatën me sukses të plotë dhe ka fituar edhe besimin e minoritarëve serb, të cilët të lehtësuar nga çlirimi i presionit të bandave kriminale të krye terroristit Milan Radojçiq kanë filluar të vet-afrohen për bashkëpunim dhe integrimin e tyre, në realitetin e ri, të krijuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

-Madje përveç shtensionimit në veri, edhe sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit e korrupsionit janë pjesë e kushteve të BE-së për heqjen e masave kufizuese të vendosura padrejtësisht, nga BE kundër Kosovës, veprime këto të cilat me sukses po vazhdon ti zbatojë qeveria e vendit së bashku me mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar të sigurisë, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in. Prandaj ministrat e Bashkimit Evropian, në kuadër të takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, për paketën e zgjerimit të bllokut evropian, siç merret vesh, kanë diskutuar të martën edhe për progresin e dukshëm që ka shënuar Kosova. Këshilli i BE-së mirëpret hyrjen në fuqi edhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe në pjesën e konkluzave, ku flitet për Kosovën, fton Qeverinë që të bëjë akoma më shumë në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pjesa më e madhe e konkluzave, që i kushtohen Kosovës, ka të bëjë me situatën e sigurisë në veri, dialogun me Serbinë, dhe kushtet për heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës, një nga të cilat përmenden zgjedhjet e parakohshme lokale që kërkohet të përsëriten në veri të vendit tonë. Në fakt Këshilli Evropian dënon ashpër edhe “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave të Kosovës, më 29 maj 2023. Kurse në kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, deklarohet se minoritarët serb duhet të marrin pjesë pa asnjë parakusht dhe të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar me vet dëshirë.

Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, por shprehë keqardhje për mungesën e implementimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, si dhe çështjeve tjera të arritura në dialog. Drafti i konkluzave përmban edhe thirrjen e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesit të Lartë që më së voni, deri në janar të vitit 2024, të bëjë propozimin për ndryshimin e kritereve të kornizës negociuese të Serbisë, për të përfshirë në te si kusht, edhe zbatimin e Marrëveshjes nga Serbia, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Pikërisht përfshirja e obligimit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të BE- si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel, më 27 shkurt, dhe aneksi i implementimit të marrëveshjes me 18 mars në Ohër, të bëhen, siç thonë në BE, “ligjërisht obliguese“.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".