Asociacioni me autorësi kosovare, pa pyetur Beogradin

Asociacioni me autorësi kosovare, pa pyetur Beogradin
Asociacioni me autorësi kosovare, pa pyetur Beogradin

Hajrullah Ternava

  • 23 December 2023 - 19:56

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava 

Në këto rrethana të formimit të Asociacionit në komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndërmjetësit ndërkombëtar po i japin sinjal qeverisë së Kosovës që kur është çështja te Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbë, dhënien e vërejtjeve harmonizimit të plotë me Kushtetutën e Kosovës, të mos hezitojnë ta bëjnë atë, pavarësisht reagimeve që vijnë nga Beogradi, pasi që propozimi i dhënë nga ana e BE-së mbanë autorësi kosovare dhe është i pa ndikuar nga Beogradi, pavarësisht pse ekipi që e ka hartuar ka qenë në përbërje të pa varur ndërkombëtare. 

-Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë mediet ka folur pikërisht për çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, Aneksit të Implementimit dhe Draft-Statuti të Asociacionit. Lajçak ka thënë se ekipi i tij ka shqyrtuar disa herë çështjen e formalizimit sipas kërkesës së Kosovës dhe ka treguar se ia kanë dhënë Kurtit disa opsione dhe se po presin përgjigje. Emisari sllovak ka thënë se sipas pikëpamjes së Bashkimit Evropian s’është e nevojshme që Serbia të nënshkruajë Statutin e Asociacionit, meqë Drafti është dizajnuar të jetë dokument i brendshëm i Kosovës dhe se me nënshkrimin dhe të Kosovës edhe të Serbisë do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, gjë që Lajçak thotë se s’është e tillë. E për këtë draft statut, sipas Lajçakut ishin pajtuar paraprakisht edhe pala kosovare edhe ajo serbe.

“Në tetor, të dy liderët shprehën gatishmërinë e tyre në parim për ta pranuar Draft-Statutin evropian për themelimin e Asociacionit. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Kurti e kushtëzoi pranimin e Statutit me nënshkrimin nga Kosova dhe Serbia të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, aneksit të saj, si dhe të vetë Statutit. Në të njëjtën kohë, Serbia ka paraqitur pyetje shtesë për sqarim. Kështu pra, aktualisht zbatimi është në pritje për shkak të këtyre kërkesave nga palët, dhe po punojmë fort për t’i adresuar ato në cilësinë tonë si lehtësues. Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e normalizimit sipas kërkesës së Kosovës, si dhe i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim, dhe aktualisht po presim përgjigjen e tyre”, ka potencuar Lajcak. Ai po ashtu ka treguar se Bashkimi Evropian kërkon nga Serbia që me çdo kusht ti përmbahet respektimit dhe zbatimit të plotë të marrëveshjes që do ta ketë edhe kusht vendimtar për procesin e integrimit në BE, madje për këtë Serbia duhet të deklarohet para fundit të muajit janar të vitit vijues. “Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024.

Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizmin e Marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë, ka deklaruar Lajçak. Në këtë rrafsh ai ka potencuar se nuk ka peshë kërkesa e Kosovës që Serbia ta nënshkruajë Statutin. “Sipas pikëpamjes sonë, kjo nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, ka shtuar Lajçak. Ai po ashtu ka treguar se tani në proces është duke u diskutuar çështjen e formalizimit shtesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj me Qeverinë e Kosovës. “Paralelisht, ishim nikoqirë të ekspertëve ligjorë serbë në Bruksel për të diskutuar aspekte të ndryshme të dokumentit. Kjo është legjitime pasi që ky draft është i detajuar dhe i gjerë. Por të mos harrojmë se pranimi i tekstit të Statutit është vetëm një element i procesit dhe nevojiten hapa shtesë nga pala kosovare për themelimin e Asociacionit”, ka potencuar Lajçak.

Gjithsesi se ky fakt tregon mjaftueshëm se Kosova duhet ta shfrytëzon maksimalisht potencialin profesional akademik dhe juridik, për ti dhënë statutit të Asociacionin atë formë dhe përmbajtje që do të jetë plotësisht i harmonizuar me kushtetutën, model i ngjashëm me statutin e Asociacionit ekzistues, që nuk interferon me asnjë element në kompetencat e nivelit të lartë të shtetit, pra pa kompetenca paralele të pushtetit të cilat do ta rrezikonin në faza të mëvonshme stabilitetin dhe funksionalitetin normal të shtetit unitar, ashtu siq është përcaktuar edhe me ligje e kushtetutë. Është në interesin e Kosovës që Asociacioni në pritje të themelohet në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, dhe Kosova ta vazhdoj rrugën e zhvillimit të sajë pa pengesa si shtet demokratik i pavarur ku të gjithë qytetarët e sajë i gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta në përputhshmëri me ligjet e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".