Përsëritja e zgjedhjeve në katër komunat e Veriut të Kosovës, rrezik potencial për rikthimin e kriminelëve në pushtet

Përsëritja e zgjedhjeve në katër komunat e Veriut të Kosovës, rrezik potencial për rikthimin e kriminelëve në pushtet
Përsëritja e zgjedhjeve në katër komunat e Veriut të Kosovës, rrezik potencial për rikthimin e kriminelëve në pushtet

Gani Qarri

  • 19 January 2024 - 07:46

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Fillimi i nënshkrimit të peticionit nga pjesëtarët e minoritetit serb në komunat e veriut të Kosovës, përveç se do të qojë në përsëritjen e zgjedhjeve në këto komuna, që është edhe një tregues se serbët lokal, duan të distancohen nga politika e bojkotit të shtetit të Kosovës, nëse lejohet pjesëmarrja e “listës serbe” dhe ajo fiton serish zgjedhjet, është pothuajse 100% e sigurt, se ajo do të rikthehet në pushtet bashkë me problemet e njohura, të vjetra dhe të reja, kur dihet mirëfilli, se një pjesë e kriminelëve dhe terroristëve serb, që morën pjesë edhe në aktin terrorist të Banjës, ishin pjesëtar të “Listës Serbe”.

Në fakt pjesëtarët e minoritetit serb, brenda pak kohësh, po dëshmojnë edhe një herë, se Serbia është problemi për Kosovën, ngase ata, për herë të dytë po i nënshtrohen respektimit të plotë të ligjit dhe zbatimit të kushtetutës së Kosovës, duke hequr dorë edhe nga përdorimi i tabelave ilegale me akronime serbe dhe pajisur me tabela të ligjshme "RKS" të shtetit të Kosovës! Kjo dëshmon se presionet dhe shantazhet atyre u vinin nga grupet kriminale e paramilitare të dorës së zgjatur të Serbisë, të ashtuquajturës “listë serbe”, që në këto komuna e kishte marr pushtetin në mënyrat më kriminale të mundshme dhe pengonte publikisht integrimin e qytetarëve serb duke i kërcënuar ata që të mos e njohin shtetin tonë dhe të mos bashkëpunojnë me institucionet legale të Republikës së Kosovës.

Në fakt, përsëritja e zgjedhjeve në veri, është edhe një dëshmi tjetër e angazhimit ligjor të institucioneve të shtetit të Kosovës për ti integruar qytetarët lojal serb të këtyre komunave të cilët, siç dihet dhe është kuptuar më në fund edhe nga faktori ndërkombëtar, për vite të tëra ishin mbajtur peng e të izoluar nga bandat kriminale dhe organizatat terroriste serbe, si dhe të abuzuar nga Serbia zyrtare, deri në atë shkallë, sa që edhe zgjedhjet e vitit të kaluar u detyruan ti bojkotonin. Por tani njëkohësisht, ky është edhe momenti vendimtar, që institucionet e Kosovës, Kuvendi, Presidenca, Qeveria dhe mbi të gjitha KQZ-ja, ta rishqyrtojnë seriozisht të drejtën e pjesëmarrjes së “listës serbe” në këto zgjedhje, ngase rikthimi i tyre në pushtet, do ta bëjë edhe rikthimin e problemeve të vjetra në veri, pa të cilat lista serbe nuk mund të mbijetojë politikisht.

Kështu që kjo, është koha e fundit, kur dhe duhet kërkuar nga shteti, hetime të detajuara lidhur me të gjitha incidentet që ky subjekt politik duke qenë në krye të bandave kriminale dhe grupeve terroriste serbe i ka shkaktuar në veri të vendit tonë, përfshi sulmet kundër institucioneve legale të Republikës së Kosovës. Akte të cilat detyrojë medoemos organet ligjvënëse të shtetit, t`ia ndalojnë jo vetëm pjesëmarrjen në këto zgjedhje, por edhe veprimtarinë të ashtuquajturës "listë serbe", kësaj dore të zgjatur të Serbisë në Kosovë, e cila përveçse është dëshmuar se ishte pjesëmarrëse në të gjitha veprat kriminale, mbetet edhe vatër e kriminelëve dhe terroristëve serb në Kosovë. Prandaj pikësëpari duhet të hetohen, zbulohen dhe ndëshkohen në mënyrë të merituar ligjore, të gjithë prijësit e bandave kriminale dhe pjesëtarët e organizatave të ndaluara terroriste serbe nga ky subjekt politik, i cili duhet të ri-startojë si subjekt i ri partiak, të deklarohet se e pranon shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës, për të gëzuar të drejtën ligjore për pjesëmarrje në zgjedhjet e lira e demokratike, që organizohen në Kosovë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".