Kjo është pasqyra reale e gjyqësorit të Kosovës, në vend të ndëshkimit po ndihmohet subvencionimi i korrupsionit dhe krimit

Kjo është pasqyra reale e gjyqësorit të Kosovës, në vend të ndëshkimit po  ndihmohet subvencionimi i korrupsionit dhe  krimit
Kjo është pasqyra reale e gjyqësorit të Kosovës, në vend të ndëshkimit po  ndihmohet subvencionimi i korrupsionit dhe  krimit

Dardan Grapci

  • 25 January 2024 - 18:48

Shkruan:ANALISTI- Dardan Grapci

Gjykata e poshtër, më mirë ti kishte lënë të lirë krejtësisht ata të dyshuar dhe akuzuar për aferën e subvencioneve sesa të shpall aso aktgjykimesh me të cilat po ja marrin edhe vetes fytyrën, duke dhënë këso dënimesh qesharake ndaj personave të cilët kanë realizuar vjedhje me miliona euro. I akuzuari Bejtush Gashi për veprën penale “Ndihmë” në kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfetit”, është dënua me dënim unik me gjobë në shumë prej 5 mijë eurove, kurse Arbër Avdijaj është dënua me dënim unik me gjobë në shumë prej 6 mijë eurove për dy vepra penale të kryera në vazhdim, dhe atë për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Mashtrim me subvencione”. Dënim simbolik me gjobë në të holla i është shqiptuar edhe të akuzuarit të tretë Sadush Kabashit në shumën prej j 5 mijë eurove për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

 

Ky dënim është qesharak. -Sikur që duket, për, për shumicën e rasteve të veprave penale e kriminale në Kosovë më me rëndësi për gjyqtarët po është që vrasësit, përdhunuesit dhe hajnat politik të lihen të lirë ose dënohen simbolikisht, se sa ta zbatojnë ligjin në përpikëri dhe të shqiptojnë dënime meritore të cilat do të kishin edhe efekt frikësimi e vetëdijesimi për të tjerët, që të mos bëjnë veprime të tilla kriminale e vepra penale, sepse do ta pësonin nga zbatimi i pa kompromis i ligjit. Në këtë rast, duke u nisur me shkas, nga ky rasti i grupit të fundit të dënuar kinse për aferën “Subvencionet 3”. Dua ti pyes gjyqtarët: Pashë Zotin më tregoni nga sa pare i keni marrë për me jua dhënë këtë dënim qesharak këtyre tre të akuzuarve?! Po e bëjë këtë pyetje publike sepse askush nuk mundet të më bindi që nuk keni marrë pare nga familjarët e të akuzuarve. More marre duhet me ju ardhur që në emër të ligjit po korruptoheni dhe po e shkelni rregulloren e gjyqësorit. Me të vërtetë kjo është përtej secilit skandal. Unë atëherë nuk po i kuptoj gjyqtarët pse ankohen dhe kërkojnë ndihmë nga policia për dallaveret, për kinse ndjekjen e vepër kryesve të akteve kriminale, kur ashiqare po dihet shumë mirë shumë nga ata janë u pjesëmarrës në korrupsion dhe dallavere gjyqësore. Prandaj nuk ka mbetur asgjë tjetër veç ti luten Zotit këta gjyqtar e prokuror të korruptuar që Ligji i Vettingut mos të hyj në fuqi fare, se ndryshe të gjithë, ama pothuajse gati të gjithë kanë për të ikur nga sistemi, dhe jo vetëm kaq, ata duhet të llogaritin edhe për penalizim, me çka kanë me u flladitë shumë prej tyre për shumë vite brenda mureve të burgut sepse e meritojnë atë. Pra deri këtu kanë arritur institucionet tona të drejtësisë kosovare ku prokuroria dhe gjyqësori, po shërbejnë si ombrellë e sigurt e strehimit të krimit të organizuar dhe mafies, edhe pse me ligj e kushtetutë, këto institucione që janë shtyllat kryesore ligj zbatuese të shtetit, në këtë detyrë të shenjtë janë duke dështuar, jo rastësisht, por me vetëdije janë në funksion të avokatisë besnike të krimit të organizuar. E këtë pra më së miri po e dëshmon ashiqare dhe katërçipërisht super skandali me subvencionet në fushën e bujqësisë, një abuzim spektakular por që procesi gjyqësor që është duke vazhduar me “episode” të njëpasnjëshme, nga të cilat po duket hapur që abuzuesit me ligjin në vend se të ndëshkohen ata realisht vetëm po pastrohen, po amnistohen. Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj këtyre personave për veprën penale “shpëlarje parash” qysh me 18 nëntor 2020. Në aktakuzë është propozuar edhe konfiskimi i pasurisë së paluajtshme, pronë e të pandehurve, “e cila gjatë fazës se hetimeve ka rezultuar të jetë pasuri e fituar me vepër penale, por verdikti final i Gjykatës Themelore në Prishtinë, siç thuhet në aktgjykimin e përsëritur me Kërkesë të Gjykatës së Apelit, të akuzuarit janë dënuar vetëm simbolikisht me të holla dhe pasuria e tyre e dyshuar se është krijuar me vepër penale ka mbetur e pa prekur, e pa cenuar! Tani më shtrohet pyetja se deri kur do të lejohet e të tolerohet kjo formë e bashkëjetesës së gjyqësorit me nëntokën e zezë të krimit të organizuar. Kjo formë e ndëshkimit zbulon ashiqare bashkëjetesën besnike të gjyqësorit me rrjetet e fuqishme të mafies dhe të krimit, prandaj sa më shpejt Kuvendi dhe Qeveria duhet ta finalizojnë ligjin e Vettingut sepse zvarritja e tij shkon në përfitim të blerjes së kohës nga drejtësia e korruptuar që besnikërisht po ja bënë avokatinë nëntokës së krimit të organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".