Planet luftënxitëse të Vuçiqit të parandalohen urgjentisht nga SHBA-ja dhe BE-ja

Planet luftënxitëse të Vuçiqit të parandalohen urgjentisht nga SHBA-ja dhe BE-ja
Planet luftënxitëse të Vuçiqit të parandalohen urgjentisht nga SHBA-ja dhe BE-ja

Gani Qarri

  • 31 January 2024 - 16:40

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Mjerisht faktori ndërkombëtar është duke i injoruar në vijimësi, paralajmërimet e vazhdueshme që rregullisht shfaqen hapur edhe nga opinioni publik serb, lidhur me përgatitjen e heshtur të Serbisë me skenar tinëzar mbështetës nga ana e Rusisë, për ndezjen edhe të një vatre të re lufte në Ballkan!

 

Një denoncim të hapur për përgatitjen e Serbisë për një luftë të re në rajon, këto ditë e ka bërë publikisht edhe avokati serb Çedomir Stojkoviq, sipas të cilit nuk ka më asnjë dyshim se Serbia po përgatitet intensivisht për luftë, kështu që faktori ndërkombëtar për ta izoluar dhe sanksionuar me kohë Serbinë, do duhej vepruar sa më shpejt, jo vetëm me masa ekonomike, por edhe masa parandaluese politike mbi të gjitha. Stojkoviq që para pak ditësh bëri homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ka bërë një ndërlidhje në mes Serbisë dhe Rusisë, përfshirë këtu edhe Kinën dhe planet e tyre për destabilizim të rajonit, madje sipas z. Stojkoviq, armatimi dhe pajisjet ushtarake që posedon aktualisht Serbia, janë pothuajse të gjitha të prodhuara në Kinë dhe Rusi. Kjo dëshmohet edhe me faktin se Aleksandër Vuçiq sapo ka shpallur edhe planet e reja për ushtrinë serbe me sisteme raketore AA nga Kina, sasi të mëdha të dronëve vetëvrasës nga Irani, sistemet e bllokimit elektronik nga Rusia, blerjet e mëdha të mjeteve luftarake të prodhuara edhe në Serbi, si dhe kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak për serbët nga Vuçiqi, ka deklaruar avokati Stojkovic. E pas shumë ngjarjeve të përbashkëta që Serbia shënoi së fundi publikisht me Rusinë, Hungarinë dhe Republikën Serbe, që të tria këto, vende-jo mike të Perëndimit, pavarësisht faktit që Serbia është edhe vend kandidat për integrim në BE, sipas avokatit Stojkoviq, “Rusia pikërisht përmes Serbisë, po përgatit konflikte të reja dhe njëri prej tyre po përgatitet mu në Ballkan. Kështu që edhe Aleksandër Vuçiq po përgatitet aktivisht për atë plan, me armatosjen e ushtrisë serbe që sipas tij është kërcënim i hapur për sigurinë e rajonit. Avokati serb ka theksuar lidhjet e Vuçiqit, janë të hershme me Putinin dhe në vitin 2019, Aleksandar Vuçiq mori medaljen Alexander Nevsky nga Vladimir Putin. Edhe Aleksandër Vulin, drejtor de facto i BIA-s serbe, merr një medalje nga drejtori i FSB-së ruse Bortnikov, kurse Milorad Dodik i jep një medalje Viktor Orbanit;– Vladimir Putin u jep medalje Dushan Bajatoviqit dhe Nenad Popoviqit etj. Dhe përderisa ministrja Danica Grujiçiq përfundon memorandumin për bashkëpunim me Federatën Ruse;– vetëm 5 muaj më parë Serbia dërgoi një organizatë terroriste paraushtarake në Kosovë, dhe ndërmori sulmin terrorist në Banjska përmes Milan Radojiçiqit. Milorad Dodik i cili mori një medalje nga Putin në qershor të vitit 2023, ai i jep medaljen Putinit në janar 2024 dhe kërcënon se “Republika Strpska” do të shkëputet nga Bosnja e Hercegovina, etj.... Të gjitha këto pista sipas Avokatit serb Çedomir Stojkoviq janë paralajmërues të rrezikshëm publik, të përgatitjeve serbo ruse të planit perfid, për hapjen e një fronti të ri të luftës në Ballkan, para hundëve të Bashkimit Evropian; KFOR-it dhe NATO-s, pavarësisht se tani më shumica e shteteve të Ballkanit janë edhe zyrtarisht, anëtarë të NATO-s.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".