Prokuroritë dhe gjykatat të pastrohen urgjentisht nga ish-punonjësit e UDB-ës

Prokuroritë dhe gjykatat të pastrohen urgjentisht nga ish-punonjësit e UDB-ës

Gani Qarri

  • 21 February 2024 - 19:13

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Faktet të cilat nga dita në ditë, po dalin në sipërfaqe, dëshmojnë katërçipërisht, se në institucionet e drejtësisë, si në prokurori dhe gjykatat e Kosovës, vazhdojnë të jenë të instaluar individ të cilët i shërbejnë publikisht UDB-s serbe dhe pengojnë me të gjitha mjetet e mundësitë zhvillimin e hetimeve dhe mbajtjen e gjykimeve kundër të akuzuarve serb. Gjykatës dhe prokuror të inkriminuar në sistemin e drejtësisë së Kosovës, zvarritin qëllimisht edhe gjykimin e të akuzuarve për krime luftë, sikur se, ndodhi edhe me rastin e fundit, gjykim që në fakt pritej të fillonte, por Prokuroria Speciale as me këtë rast, nuk u tregua në nivel të detyrës, duke mos e deleguar prokurorin për ta mbrojtur dhe dëshmuar dosjen e hetimit të zhvilluar kundër të akuzuarit serb për krime lufte.

 

Dhe pikërisht vetëm për shkakun që Prokuroria e turpit, nuk ka dërguar asnjë përfaqësues në seancë, këtë të marte, dështoi të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj kriminelit të akuzuar serb Dejan Raçiq, në Gjykatën Themelore në Prishtinë i cili akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë, proces ky që duhet të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, pasi që gjykata ka shterur të gjitha mundësitë për sigurimin e të akuzuarit në procedurë penale, ndaj legjislacioni i tanishëm i Kosovës e mundëson edhe këtë formë të gjykimit. Siç ka sqaruar gjykatësi përkatës, paraprakisht rastin e kishte pasur prokurorja Drita Hajdari, por megjithëse ajo është pensionuar, PSRK-ja nuk e ka bërë fare zëvendësimin me një prokuror tjetër për dosjen e akuzës, sikur që e parasheh ligji, ndaj megjithëse është vendosur të mbahet gjykimi në mungesë, ka dështuar përfaqësimi dhe mbrojtja e dosjes nga ana e Prokurori të Prokurorisë Speciale. Krimineli i akuzuar Dejan Raçiq, i lindur në fshatin Videj në Klinë, i nacionalitetit serb, dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile dhe akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, ndaj Prokuroria më 27 nëntor 2023, edhe është ngritur aktakuzë kundër tij. Dejan Raçiq në cilësinë e ushtarakut rezervist të Serbisë, akuzohet se në kundërshtim me rregulltat e të drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë sulmit kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, ka përdorur dhunë dhe veprime tjera çnjerëzore duke kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.Andaj, Raçiq akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 të Kodit Penal të inkriminuar si “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.7 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, por siç duket Prokuroria Speciale nuk dëshiron gjykimin e tij, ndaj dhe nuk dërgon prokuror, për përfaqësimin dhe mbrojtjen e aktakuzës, kundër kriminelit serb të luftës Dejan Raçiq, akt që duhet dënuar në mënyrën më të rëndë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".