PE me goditje serioze masave të padrejta të BE-së kundër Kosovës

PE me goditje serioze masave të padrejta të BE-së kundër Kosovës
PE me goditje serioze masave të padrejta të BE-së kundër Kosovës

Gani Qarri

  • 03 March 2024 - 08:51

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duket se më në fund, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, janë vetëdijesuar për veprimin e gabuar të vendosjes së masave të padrejta ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, lidhur me tensionet në veri vitin e kaluar, të cilat shumë shpejt u konstatua se ishin të inskenuara nga grupet kriminale serbe, dhe të telekomanduara nga qendra e tyre mafioze në Beograd, nën orkestrimin e presidentit kriminel serb Aleksandër Vuçiq.

 

 Gëzon shumë fakti, që Rezoluta e Parlamentit Evropian, përherë të parë e thekson fort dhe qartë, se Dialogu Kosovë-Serbi, duhet të përmbyllet me njohjen reciproke në mes të dy vendeve dhe bënë thirrje publike që të ndërmerren masa të ashpra ndaj Serbisë nëse rezulton se ajo më 24 shtator të vitit 2023, është përfshirë në sulmin e armatosur terrorist serb në Banjskë të Zveçanit. Njëkohësisht Parlamenti Evropian i bën thirrje BE-së që të miratojë edhe një qasje të balancuar për ndërmjetësimin ndërmjet palëve në bisedime, në mënyrë që të kapërcehet ngërçi aktual dhe kujton se dështimi i dialogut do të kishte pasoja të padëshirueshme edhe për rolin e BE-së, si një lojtar i besueshëm i politikës së jashtme”, thuhet ndër të tjera në Rezolutën e PE-së. Parlamenti Evropian, përmes rezolutës së miratuar ditën e enjte, përveçse shpreh keqardhje për masat ndëshkuese të vendosura padrejtësisht nga Këshilli kundër Kosovës, ju bënë thirrje publike të gjitha shteteve anëtare të BE-së, për heqjen e menjëhershme të këtyre masave ndaj Kosovës! Rezolutë e cila, po ashtu kujton se dështimi për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve do të ndikonte negativisht edhe në integrimin në BE të të dy vendeve. Prandaj “Parlamenti Evropian” përveçse mbështet normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, si dhe zhvillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa të mëtejshme, të angazhohen në dialog me mirëbesim, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në njohjen reciproke, thuhet në një ndër pikat e kësaj Rezolute.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".