Lexoni edhe:
SHBA dhe BE duhet të kenë politikë të qartë lidhur me lëvizjet taktike e politike të Serbisë në Veri të Kosovës
Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri
Denoncimi publik kundër "listës serbe" dhe të ashtuquajturës "brigada e veriut" nga ana e nënkryetares së Zveçanit, si dhe raportimi i incidenteve të muajve të fundit, në Policinë e Kosovës prej vet komunitetit serb në veri, janë një shembull shumë domethënës e trimërues dhe treguesi më i mirë që flet publikisht se krimit në veri po i shkëputen rrënjët.
-Qytetarët serb në veri të Kosovës, jo vetëm që janë duke u distancuar, por kanë filluar edhe ta denoncojnë zyrtarisht krimin te organet e Policisë, ndaj dhe nevojitët shtrirje akoma më e fortë e institucioneve të sigurisë atje, për ta çrrënjosur me themel dhe pamundësuar tërësisht, tash e tutje veprimtarinë e bandave kriminale dhe grupeve terroriste serbe në veri. Akuzat e fundit që kanë filluar të drejtohen direkt, nga vet qytetarët serb të veriut të Kosovës kundër "listës serbe" dhe formacioneve paramilitare që duket se ende vazhdojnë të fshihen atje, janë një tregues i vërtetë i cili paralajmëron shkëputjen e serbëve lokal nga ndikimi i bandave kriminale dhe strukturave të nëntokës terroriste serbe, si dhe kërkojnë integrimin e tyre në jetën politike e institucionale të Republikës së Kosovës, akt që duhet frymëzuar e mirëpritur krahëhapur, ofruar mundësitë e thellimit dhe dhënë hapësirën e merituar, nga institucionet përkatëse dhe shteti i Kosovës!
Atmosfera e krijuar, pas vendosjes së rendit e të ligjit dhe qetësimit të gjendjes në veri të vendit, duhet shfrytëzuar edhe në zgjedhjet e radhës për ndryshim dhe ndëshkim të bandave politike të "listës serbe" dhe terroristëve të të ashtuquajturës "brigada e veriut", që shantazhojnë dhe kërcënojnë qytetarët lojal serb, ndaj shtetit të Kosovës, me votën e lirë të qytetarëve lokal. Zërat që denoncojnë këto grupe e formacione kriminale tashmë dëgjohen lirshëm dhe shtohen përditë e më tepër, siç veproi së fundi me denoncimin e saj publik edhe nënkryetarja e komunës së Zveqanit, Natasha Tomaniq, duke akuzuar hapur "listën serbe" dhe organizatën terroriste serbe “brigada e veriut”, se pikërisht ato, janë përgjegjësit për djegien e lokalit të saj. Nënkryetarja e Zveçanit ka ritheksuar se nuk mund ta frikësojë askush, madje “lista serbe” as organizatat terroriste dhe se ajo do të bëjë një ndërtesë edhe më të madhe, sesa lokali që iu dogj sepse tanimë ka besim të plotë, që rendi dhe ligji edhe në veri, do të jenë prioritet i shtetit të Kosovës, por edhe i qeverisjes lokale që do të ndërtohet me zgjedhjet e reja, në muajt në vijim. Zonja Tomaniq ka sqaruar mbarë opinionin, se grupet kriminale në veri të Kosovës nuk e kanë më sundimin që kishin dikur, ndaj dhe punësimi i serbëve në institucionet e shtetit të Kosovës po iu pengon shumë atyre! Dhe megjithëse “Nuk mund të akuzoj askënd personalisht, nuk frikësohem të them hapur, se nuk është askush tjetër, përpos "listës serbe" ose mbetjeve të të ashtuquajturës "brigada e veriut" që kanë djegur në mënyrë qyqare lokalin tim, ngase ata janë kundër punësimit të serbëve lokal në institucionet e Kosovës.
Arsyeja është se, ata kishin sundimin në këtë pjesë të Kosovës, dhe tani që u ka dalë nga dora situata në terren, qëllimet e tyre, janë, që ta pengojnë punën tonë”, ka thënë Tomaniq në një intervistë për mediet kosovare. Por janë vetëm disa element kriminal serb, që nuk po u konvenon që serbët të punësohen në institucionet e Kosovës, kurse shumica e qytetarëve serb, janë të gatshëm që të punojnë dhe inkuadrohen në institucionet e Kosovës, nëse u jepet mundësia. “Sa më përket mua unë atyre nuk iu frikësohem dhe tani do të bëj një ndërtesë edhe më të madhe dhe do të sjell këtu njerëz nga jugu, që ta dinë këtë”, që po ndodhë në veri, nga mbetjet e bandave kriminale, ka shtuar ajo. Tomaniq ka shpjeguar se si ka ndodhur djegia e lokalit të saj. Ajo ka thënë se ka dal te lokali për të parë çfarë ka ndodhur dhe ka vërejtur se xhamat fare nuk kanë qenë të thyer, ka qenë vetëm një pjesë nga ku keqbërësit kanë hedhur mjetin shpërthyes brenda, e zjarri ka shpërthyer në mes të lokalit. Dhe ky akt vandal e frikësues nuk ka mundësi të ndodhë për ndonjë arsye tjetër, si p.sh. nga energjia elektrike apo diçka tjetër, pasi ka konstatuar qartë se vetëm një pjesë e vogël e xhamit ka qenë e thyer dhe mjeti shpërthyes është hedhur nga jashtë, pra nga individët që qëllimisht e kanë sulmuar lokalin tim, për te më frikësuar dhe shantazhuar, por unë nuk frikësohem as shantazhohem prej tyre.
Denoncimi publik kundër "listës serbe" dhe të ashtuquajturës "brigada e veriut" nga ana e nënkryetares së Zveçanit, si dhe incidentet sporadike, që në vijimësi, po raportohen, në Policinë e Kosovës prej vet komunitetit serb në veri, janë një shembull shumë domethënës e trimërues dhe treguesi më i mirë që flet publikisht se krimit në veri po i shkëputen rrënjët, ku qytetarët serb, jo vetëm që janë duke u distancuar, por kanë filluar edhe ta denoncojnë zyrtarisht krimin te organet e Policisë, ndaj dhe nevojitët shtrirje akoma më e fortë e institucioneve të sigurisë atje, për ta çrrënjosur tërësisht dhe pamundësuar tash e tutje veprimtarinë e bandave kriminale dhe grupeve terroriste serbe në veri.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".