Distancimi i qytetarëve serb nga grupet kriminale në pjesën veriore të Kosovës është shenjë pozitive

Distancimi i qytetarëve serb nga grupet kriminale në pjesën veriore të Kosovës është shenjë pozitive
Distancimi i qytetarëve serb nga grupet kriminale në pjesën veriore të Kosovës është shenjë pozitive

Gjon Keka

  • 12 March 2024 - 07:44

Shkruan: ANALISTI-Gjon Keka

Sa më parë që t'i priten rrënjët kriminalitetit në gjithë Kosovën ashtu edhe në pjesën veriore të Kosovës , aq më mirë është për vetë shtetin e Kosovës si dhe për vetë komunitetin serb atje i cili duhet të integrohet në institucionet e Republikës së Kosovës dhe jetën normale, të lirë e në paqe si të gjithë qytetarët e Kosovës. Sundimi i rendit e ligjit dhe i kushtetutshmërisë në tërë vendin edhe në atë pjesë të Kosovës është shumë i rëndësishëm që Kosova të funksionojë dhe të ngritët si një shtet demokratik i së drejtës dhe evropian.

-Zërat e qytetarëve të komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës kundër grupeve kriminale e bandave në atë pjesë tregon për zgjimin e këtij komunitetit nga gjumi,duke e lënë kështu të flas arsyeja mbi të gjitha, një gjë e munguar deri më sot,sepse kanë filluar ta shohin ngadalë realitetin e ri dhe të ardhmen brenda institucioneve dhe shtetit të Kosovës dhe jo të grupeve kriminale e bandave të nxitura nga politika destruktive serbe në Serbi.

Ngadalë por po vije koha që ta kuptojnë komuniteti serb në Kosovë se janë qytetarë të republikës së Kosovës,sepse kështu Kosovës do t'i hiqet një gjemb që i është vënë pa të drejtë mbi kurriz që nga çlirimi i Kosovës dhe pavarësisë së saj, duke i qëndruar problemi i komunitetit serb edhe pse ky komunitet ka të drejta më shumë se çdo pakicë tjetër në Evropë sërish kjo gjemb i ra Kosovë në kurriz me gjithë politikën destruktive serbe dhe të grupeve kriminale që shkaktonin vazhdimisht probleme në pjesën veriore të vendit. Distancimi dhe denoncimi i qytetarëve të komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës është një shenjë pozitive se ato nuk duan të ndikohen nga grupet kriminale, as të udhëhiqen nga grupe të tilla ,por duan që vetë në mënyrë të lirë dhe demokratike t'i zgjedhin përfaqësuesit e vetë dhe të punësohen e të integrohen kështu ngadalë në institucionet e republikës së Kosovës.

Edhe zgjedhjet që janë paraparë të mbahen në atë pjesë të Kosovës do të jetë një mundësi për vetë serbët që t'i zgjedhin të zgjedhurit e tyre pa ndikimin dhe pa i lënë duart e grupeve kriminale të ndikojnë në vullnetin e lirë të tyre dhe në votat e tyre. Sigurisht që e lehtë nuk do të jetë,dhe nuk pritet një ndryshim i shpejtë ,por sikur shihet distancimi dhe denoncimi i këtyre grupeve kriminale në pjesën veriore është ndoshta fillimi i ndryshimit të mentalitet në atë pjesë dhe të pranimit të realitetit dhe përfshirjes së qytetarëve të saj në institucionet demokratike të republikës së Kosovës dhe zgjedhjen e të zgjedhurve të vetë me anë të votës së tyre.

Kosova është shtet i ri demokratik, ku të gjithë pakicat kanë të drejta më të mëdha se vetë qytetarët shumicë të republikës së Kosovës, prandaj komuniteti serb në atë pjesë të Kosovës duhet vetëm ta respektojë kushtetutën,të bëhet pjesë e institucioneve të lira e demokratike të Kosovës dhe kështu të bëhet si komunitet kontribuues i demokracisë, lirisë, i forcimit të rendit, ligjit dhe respektimit të shtetit të Kosovës si shtet edhe i tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".