Emisari amerikan Gabriel Escobar vjen me mesazhe të qarta për liderët e shtetit të Kosovës

Emisari amerikan Gabriel Escobar vjen me mesazhe të qarta për liderët e shtetit të Kosovës
Emisari amerikan Gabriel Escobar vjen me mesazhe të qarta për liderët e shtetit të Kosovës

Gjon Keka

  • 13 March 2024 - 07:34

Shkruan: ANALISTI-Gjon Keka

Gjithmonë motorët në dialog i ka ndez ShBA ,edhe pse kishte përpjekje gjatë vizitës së fundit nga emisari evropian z. Lajçak që i bëri Prishtinës ,sërish dialogu mbeti aty ku u ndalën palët dhe ndërmjetësuesit së bashku. Vizita e emisarit amerikan z. Escobar në Prishtinë ka për qëllim pikërisht ndezjen e këtij motori ,pra të dialogut që palët të ecin përpara. Po ashtu vizita e emisarit amerikan z. Escobar në Kosovë do të përcjellë mesazhet e qarta të Uashingtonit zyrtar në këtë pjesë të rajonit e veçanërisht për Kosovën dhe rrugën e saj përpara si atë të dialogut ashtu edhe të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe integrimit në institucionet euroatlantike.

-Sigurisht se ardhja e z. Escobar në Kosovë do të sjell me vete edhe kërkesat e vazhdueshme të ShBA rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura me parë dhe të mbajtjes së fokusit kah e ardhmja dhe posaçërisht tek hapësira e palëve për të arrit kompromiset rreth çështjeve të caktuara brenda dialogut pastaj rreth ruajtjes së paqes e stabilitetit në gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Po ashtu emisari amerikan do të vijë dhe do të takohet në mënyrë tepër të ftohtë me zyrtarët qeveritar të Kosovës duke ditur se ka një ftohje të raporteve në mes të qeverisë dhe zyrtarëve amerikan,kjo tanimë shihet tepër qartë.

Emisari z. Escobar do të vijë dhe do të sjellë në tavolinë në njërën anë mesazhet amerikane ,këshillat dhe nxitjen për dialog e përfundimin e tij si dhe zbatimin e tyre sa më parë, ndërsa në anën tjetër ai do të prezantoj edhe pasojat që mund të kenë palët nëse nuk arrin t'i zbatojnë marrëveshjet dhe të përkushtohen për zgjidhje të çështjeve nëpërmjet dialogut. Pra më saktësisht ai do të vijë me shkopin dhe karrotat njëkohësisht,kjo tanimë është e qartë. Edhe pse mund të thuhet se vizita e emisarit z. Escobar është ndoshta përpjekja e fundit e tij para zgjedhjeve në SHBA dhe BE për t'i nxitur palët që t'i zbatojnë me ngutë marrëveshjet e arritura dhe të përfundojnë dialogun me anë të një marrëveshje përfundimtare dhe njohjen e realitetit nga Serbia të Kosovës së pavarur si shtet,ashtu që të ecin të dy vendet drejt udhës së integrimit në familjen evropiane.

Është e mundur që në kuadër të takimit që ai do të zhvillojë në Kosovë ,Qeveria e Kosovës do të mund të kërkojë që emisari z. Escobar të ndikojë tek vendet evropiane apo më mirë t'i bëjë thirrje zyrtarëve të Bashkimit Evropian që t'i hiqen sanksionet Kosovës të cilat janë vendosur pa të drejtë ,duke ditur se kush në fakt ishte problemi në të vërtetë. Dhe krejt në fund z. Escobar do t'ia bëjë të qartë zyrtarëve në Kosovë se ShBA qëndron pranë atyre që punojnë për një Kosovë demokratike, evropiane që i zgjidhin problemet me dialog dhe janë kontribues të paqes e lirisë,që mbështeten në një partneritet e miqësi të sinqertë me ShBA-n ,si dhe që marrin për bazë këshillat e tyre për të ardhmen e Kosovës si anëtare e ardhshme e Këshillit të Evropës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".