Trajtimi që po i bëhet Kosovës është i padrejtë

Trajtimi që po i bëhet Kosovës është i padrejtë
Trajtimi që po i bëhet Kosovës është i padrejtë

Gjon Keka

  • 14 March 2024 - 07:42

Shkruan: ANALISTI - Gjon Keka

Nuk e kuptoj pse z. Escobar pse vetëm me kryeministrin Kurti paska problem komunikimi e me të tjerët jo. Në çfarë niveli të komunikimit ka problem ai më Kurtin, sepse shihet se e gjithë kritika dhe fajin për të gjitha këto pengesa ia lë Kurtit dhe Qeverisë së tij, gjë që nuk është e vërtetë. Në vend se z. Escobar të bëjë trysni nga pala serbe e cila po luan më dy karrika , ai merret me Kosovën dhe Kurtin. Nga z. Escobar do të doja të shihja një politikë dhe diplomaci që merret me fajtorin e vërtetë e jo me fajtor imagjinar. Ja ku e keni Serbinë e cila vazhdimisht kur takohet me ju në Uashington e kudo, ju thotë ja ne po bëjmë atë që po mundemi, dhe sapo të dalin nga ai takim thonë ne nuk lëvizim nga orbita ruse, as ajo kineze etj.

-Trysnia duhet bërë kah pala që ka apetite dhe po shkakton konflikte e luftë, dhe jo nga pala e Kosovës që me mish e me shpirt dëshiron ta ruaj paqen, lirinë dhe sovranitetin e Kosovës. Të gjithë ju dhe në përgjithësi ndërkombëtarët deri dje keni kërkuar vazhdimisht sundimin e rendit, ligjit dhe të kushtetutshmërisë, atëherë nëse dje keni kërkuar që Kosova të ketë sundim të rendit e ligjit,pse sot, po e nxirrni si fajtore pikërisht Qeverinë e Kryeministrit Kurti i cili po mundohet ta shtrijë sundimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e republikës së Kosovës , po kështu edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Si çështja e targave, ashtu edhe kjo e monedhës,i takojnë i takojnë një shteti sovran dhe janë pjesë e respektimit të sundimit të rendit dhe ligjit dhe kushtetutshmërisë. Do të doja të shihja më shumë mbështetje ndaj Kosovës në vendimet e saj sovrane dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Po ashtu do të do të doja të shihja që po bëni trysni nga pala serbe që mos të merret me punët e brendshme të Kosovës, sepse Kosova është shtet dhe ka të drejtën e vetë sovrane si në lidhje me vendimin për monedhën e euros, ashtu edhe për vendimet tjera që i shërbejnë sundimit të rendit dhe ligjit e forcimit të shtetit të së drejtës dhe sovranitetit në gjithë vendin.

Është e kuptueshme që Kosova dhe kryeministri Kurti duhet të koordinohet dhe të punojë ngushtë me ShBA dhe vendet mike evropiane, por njëkohësisht duhet që mos të kërkohet që çdo vendim ,çdo lëvizje e Qeverisë së Kosovës të bëhet problem politik dhe të futet në tavolinën e dialogut, për qejf të Serbisë, politikës së saj destruktive dhe prolonguese në mënyrë të vazhdueshme të dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare. Mendoj se qasja dhe trajtimi që po përdoret ndaj Kosovës si nga emisari Escobar dhe disa vende të bashkësisë ndërkombëtare, nuk i shërben demokracisë, dhe paqes në këtë pjesë të Evropës.

Do të ishte shumë më produktive sikur z. Escobar dhe vendet tjera të bashkësisë ndërkombëtare ta këshillojnë dhe të bëjnë trysni ndaj Serbisë që të pranoj realitetin e Kosovës së pavarur ,që të ecet përpara dhe të mos merret me Kosovën e cila nuk ka qenë asnjëherë në histori e tyre ,po një vend i pushtuar nga ta dhe sunduar dhe në fund e drejta e lirisë dhe të bërit shtet demokratik sërish iu kthye Kosovës edhe pse më shumë vonesë. Koha është që si z. Escobar ashtu edhe vendet tjera si dhe emisar tjerë evropian të merren më shumë me Serbinë t'ia rregullojnë dioptrinë se që nga vitet e 90' nuk e kanë ndërruar dioptrinë,pra të punojnë me Serbinë që të arrijë të shohë me dioptrinë e shekullit XXI dhe jo me ato të shekujve të luftës dhe iluzioneve të së kaluarës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".