Kamerat në vendvotime i japin fund abuzimit dhe shpërdorimit të votës së lirë qytetare

Kamerat në vendvotime i japin fund  abuzimit dhe shpërdorimit të votës së lirë qytetare
Kamerat në vendvotime i japin fund  abuzimit dhe shpërdorimit të votës së lirë qytetare

Dardan Grapci

  • 22 March 2024 - 07:55

Shkruan: ANALISTI - Dardan Grapci

Është jo vetëm për tu mirëpritur por edhe për tu mbështetur pa rezervë projekti i kërkuar nga KQZ-ja për instalimin e kamerave vëzhguese në të gjitha vendvotimet për zgjedhjet e radhës kurdo që mbahen ato, sepse me këtë sistem vëzhgimi dhe monitorimi vjen edhe fundi i historisë së vjedhjes masive të votave dhe kriminalizimit të procesit zgjedhor nga nëntoka kriminale, grupet mafioze të interesit të strehuara nëpër klanet e partive politike të cilat madje në të kaluarën kanë kërcënuar dhe shantazhuar votuesit edhe para kutive të votimit.

-Instalimi i kamerave vëzhguese nëpër vendvotime ishte një projekt i cili kaherë ishte kërkuar, është debatuar në KQZ, është diskutuar edhe në kuadër të komisioneve parlamentare, është propozuar që të financohet me shuma të ndryshme sipas specifikave të paraqitura nga administrata e KQZ-së, por në fund është dështuar. Pra ka munguar vullneti politik i ish qeverive të mandateve të kaluara për ta mbështetur dhe financuar, sepse një vëzhgim i tillë siguron transparencë të plotë në proces votimi dhe numërimi, dhe nuk lë hapësirë për të manipuluar sepse gjithçka në lëvizje brenda qendrave të votimit, dhe në vendvotime është publike, monitorohet dhe regjistrohet. Prandaj me të drejtë ka paraqitur kërkesë edhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka vendosur që t’i referohet Ministrisë së Financave, që Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i rritet buxheti për vitin 2024 pikërisht për shkak të kërkesës që ka bërë ky institucion për më shumë transparencë në procesin e zgjedhjeve të reja me projektin e instalimit të kamerave.

Kjo kërkesë duhet të mbështetet edhe nga partitë politike por edhe nga Shoqëria Civile, dhe nëse eventualisht ndodhë që qeveria të deklaron se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për këtë projekt, atëherë KQZ duhet të udhëzohet që të kërkon edhe donacione nga organizatat ndërkombëtare për modernizimin e organizimit të proceseve zgjedhore duke qenë plotësisht transparente, aq sa e lejon ligji dhe të eliminohet manipulimet të cilat në të kaluarën kanë qenë të përmasave të ndryshme, nga gabimet minimale e deri në vjedhje industriale të votave.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".