Transformimi i ushtrisë së Kosovës duhet të shoqërohet edhe me zhvillimin e industrisë ushtarake

Transformimi i ushtrisë së Kosovës duhet të shoqërohet edhe me zhvillimin e industrisë ushtarake
Transformimi i ushtrisë së Kosovës duhet të shoqërohet edhe me zhvillimin e industrisë ushtarake

Gani Qarri

  • 29 November 2024 - 07:02

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duke qenë se FSK, si forcë simbolizon Ushtrinë e shtetit të Kosovës, e cila u themelua pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse, më 1 janar të vitit 2009 dhe aktualisht ndodhet në proces të transformimit në ushtri të rregullt, proces që faktikisht duhet të përfundojë në vitin 20028, kur nga 4000 trupa, sa ka aktualisht, Ushtria e Kosovës parashihet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë, pjesa e fazës së dytë e transformimit të saj, duhet të shoqërohet edhe me themelimin dhe zhvillimin e industrisë ushtarake të mbrojtjes, si dhe prodhimit të municioneve vendore, brenda në Kosovë, në mënyrë që plani i transformimit dhe ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse, të mos varet vetëm nga jashtë, por të ecë e përparojë paralelisht, duke u mbështetur edhe në kapacitete të veta ushtarake, për një transformim sa më të suksesshëm dhe të gjithanshëm, brenda afateve të parapara kohore, të FSK-së në ushtri të rregullt.

 

-Ndaj dhe gëzon shumë fakti, se pas dyfishimit të numrit të ushtarëve, trefishimit të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, shtimin e trajnimeve të ushtarëve, oficerëve dhe ushtarakëve të niveleve të ndryshme jashtë vendit dhe finalizimit të raportit të fizibilitetit, në koordinim me SHBA-të, e partnerët e tjerë ndërkombëtar nga shtetet e NATO-së, pikërisht në shënimin e Ditës së Forcave të Mbrojtjes së vendit tonë dhe në prag të festës së Pavarësisë kombëtare, kryeministri Albin Kurti nënshkroi vendimin e hapjes së fabrikës së parë të Municionit dhe projektimit të dronëve, apo fluturakeve pa pilot, në Kosovë, që është një hap shumë i madh e vendimtar për furnizim të pavarur me municion dhe fluturake si pjesë e domosdoshme e armatimit më modern të ushtrive bashkëkohore dhe garanci për zhvillim të qëndrueshëm të Ushtrisë së Kosovës në situatat e paqëndrueshme aktuale politike dhe ushtarake në Evropë dhe botë.

Siç dihet buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025, do të jetë për 54 milion euro më i lartë dhe do të arrij shifrën e 207.8 milionë eurove, e duke qenë se kohëve të fundit janë shtuar edhe përgatitjet e oficerëve të niveleve të ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vende të ndryshme të NATO-së, si dhe janë trajnuar ushtarakët e FSK-së, për përdorimin e dronëve edhe municionet që do të prodhohen nga fabrika në Kosovë do të jenë të standardeve të NATO-së, kështu që vendimi për hapjen e fabrikës së prodhimit të municionit, ishte i domosdoshëm dhe akt i patejkalueshëm për plotësimin e nevojave të Ushtrisë së Kosovës si dhe laboratorit për dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Kosovë, si hap vendimtar për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë së Kosovës!

Andaj përveç investimeve të vazhdueshme në ushtri, me nënshkrimin e një vendimi kaq me rëndësi, si ky për hapjen e fabrikës së municionit dhe fluturakeve pa pilot në Kosovë, kryeministri i vendit, po vërteton edhe njëherë më tepër, se prioritet i Qeverisë së tij, që nga fitimi i zgjedhjeve dhe ardhja në pushtet, ka qenë forcimi i mbrojtjes dhe armatosja moderne e Ushtrisë së Kosovës, e cila me prodhimin e municionit dhe fluturakeve pa pilot në Kosovë, si dhe hedhjen e hapave të parë për ngritjen e industrisë ushtarake vendore, për një kohë relativisht të shkurtër do të ketë mundësi furnizimi të qëndrueshëm në mënyrë të pavarur nga jashtë dhe përveç forcimit të ushtrisë garanton edhe operacionalitet të plotë dhe zhvillim të vazhdueshëm, të veprimeve të nevojshme të Ushtrisë së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".