Lexoni edhe:
Vendimi i Kurtit për themelimin e fabrikës së municionit, hap i rëndësishëm dhe strategjik
Shkruan: ANALISTI-Skender Kapiti
Zgjidhja në Ballkan nuk mund të bëhet në dëm të interesave dhe territoreve shqiptare. Për stabilitetin, shqiptarët nuk duhet të paguajnë më ashtu siç e kanë bërë për më shumë se një shekull. Ata nuk duhet të pranojnë asnjë “zgjidhje” që synon të kënaqë orekset serbe, as nëse dikush në Perëndim mendon se kjo do të minimizonte shanset e Rusisë për ndikim në Ballkan. Po ashtu, asnjë "zgjidhje" që do të minimizonte mundësitë që Rusia të shkaktojë shqetësime në Ballkan nuk është e pranueshme. Nuk mund të shpërblehet Serbia me territore shqiptare, edhe pse Perëndimi ka interes të shkëpusë Serbinë nga ndikimi rus.
-Sa më shumë të përkëdhelur dhe sa më shumë të përfitojë Serbia në Ballkan, aq më shumë fuqizohet ndikimi rus. Europa dhe Perëndimi kanë bërë një gabim të madh historikisht duke mbështetur dhe përkëdhelur Serbinë dhe Rusinë.
Anglia, Franca dhe shtetet e tjera ish-perandori kolonialiste, të cilat tani e kanë kuptuar kërcënimin rus, kanë harruar se çfarë kërcënimi ishte për Perëndimin Bashkimi Sovjetik. Një Serbi në BE do të ishte një kalë Troje për Rusinë.
Një Serbi e fortë shërben për forcimin dhe ndikimin rus në rajon. Një Serbi e dobët, dhe një Serbi në kufijtë e saj historikë, është kushti kryesor për stabilitetin dhe një zgjidhje afatgjatë në Ballkan. Perëndimi duhet të përkrahë zgjidhjen e çështjes shqiptare, sepse ajo ende është e pazgjidhur, dhe jo me zgjidhje proserbe që dëmtojnë territoret shqiptare. Ka vetëm një Kosovë, së cilës i kanë mbetur ende territore nën Serbi, dhe nuk ka "Kosovë Veriore" si problem që është artificialisht emërtuar dhe ndarë. Zgjidhjet afatshkurtra nuk janë të mjaftueshme, sepse ato konservojnë moszgjidhje dhe krijojnë mundësi për konflikte në të ardhmen e afërt.
Dhe ende Europa dhe Amerika nuk e kanë mësuar këtë mësim?
“… nëse ka mundësi të sjellim zgjidhje të mira për të gjithë, mendoj se duhet të jetë prioritet i Amerikës për të gjetur rrugë të besueshme për mbylljen e konflikteve. Të gjithë duhet të ndërrojnë fletën dhe të flasin më shumë për anëtarësimin në NATO dhe BE. Stabiliteti në Ballkan do të ishte i dobishëm për të gjithë”, ka thënë Bolton.
Republika e Kosovës ka bërë zgjidhjen më të mirë, duke siguruar që serbët si minoritet në Kosovë gëzojnë liri dhe të drejta të barabarta, si asnjë tjetër në botë. Nuk kuptohet se çfarë zgjidhje tjetër duhet të bëhet, kur shqiptarët në Luginën e Preshevës janë minoriteti më i kërcënuar dhe më i rrezikuar nga dëbimi dhe asimilimi në Europë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".