Lexoni edhe:
Pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc, politika kosovare pa dallim pushtet dhe opozitë kanë rënë prej provimit të politik-bërjes
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Sulmi i fundit terrorist serb, qëllimisht dhe i drejtuar enkas kundër infrastrukturës më të rëndësishme të Republikës së Kosovës, për ndryshim nga akti terrorist i vitit të kaluar në Banjë, që kishte për qëllim vrasjen e sa më shumë njerëzve, akti terrorist në kanalin e ujësjellësit “Ibër-Lepenc”, përveç ndërprerjes së ftohjes së termocentraleve A dhe B, kishte për synim edhe shpërthimin e këtyre dy termocentraleve, që vërtetë, paraqiste një rrezik shumë serioz dhe të paparashikuar për sigurinë kombëtare, ekonominë dhe stabilitetin politik, në gjithë Republikën e Kosovës.
-Sulmi i pashembullt terrorist dhe subversiv serb në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, nuk ishte një incident i thjesht, as akt i ndodhur në rastësi, por një veprim i hapur terrorizmi në vazhdën e sulmeve të mirëmnduara, i nxitur dhe subvencionuar nga Vuçiqi, BIA serbe dhe struktura të specializuara ushtarake të Serbisë, përmes terroristëve serb, si njëri nga aktet më serioze terroriste të pasluftës në Kosovë, për destabilizimin afatgjatë dhe në përmasa të gjera, për pamundësimin e furnizimit të mese 700-800 mijë qytetarëve me ujë të pijes, ekonomive e institucioneve me energji elektrike, dhe lënë ata në mes të dimrit pa ujë, pa rrymë dhe pa ngrohje qendrore në një pjesë relativisht të madhe të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, vetëm fakti domethënës se BE, SHBA dhe mbarë faktori ndërkombëtare, dënuan publikisht dhe me zë të unifikuar, sulmin terrorist serb, në kanalin e ujit Ibër Lepencë, duke shprehur mbështetje të hapur, për Qeverinë e Kosovës, e treguar solidaritet të plotë me Kosovën kundër terrorizmit dhe destabilizimit të synuar politik, nga kriminelët serb, nuk i lejuan hapësirë opozitës së inkriminuar, që me gjithë përpjekjet, ta shndërronte edhe këtë akt terrorist serb, në politizim banal dhe arkaik kriminalo-opozitar, e cila në vend se ta dënonte sulmin terrorist serb, menjëherë dhe pa rezervë, ajo filloj ti përsërisë dhe parafrazojë në origjinal, akuzat e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit kundër shtetit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke shkuar deri atje, sa pa fije turpi, ndonjëri ta quante inskenim të Kurtit e tjetri edhe film!!!
Krejt kjo, me synimin e paramenduar politik, për dobësimin e pozitës së kryeministrit dhe qeverisë Kurti, në nivel të brendshëm dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës, pak para zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat vetëm rreth dy muaj më vonë do të mbahen në Kosovë.
Duke qenë se Kosova për herë të parë që nga paslufta ka një qeveri dhe kryeministër të përkushtuar për rend e ligj, shtrirjen e shtetësisë në veri, ruajtjen e sovranitetit shtetëror, paprekshmërinë e integritetit territorial në çdo cep të vendit dhe avancimin e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, i cili që nga fillimi i mandatit, ka mbajtur qëndrim të vendosur dhe në vijimësi është dëshmuar në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe atyre të qytetarëve, kryeministri i Kosovës përveç sulmeve nga Vuçiqi e Serbia dhe terroristëve serb, pothuajse njëkohësisht dhe në linjë të njëjtë me Vuçiqin, ka qenë vazhdimisht edhe në shënjestër të opozitës së inkriminuar dhe grupeve të brendshme kriminale, me shpresën se në këtë mënyrë dhe duke bashkërenduar akuzat me Serbinë, do të arrijnë ta ulin prestigjin e kryeministrit dhe rrëzojnë Qeverinë e Kosovës, gjë që, përkundër premtimeve të njëpasnjëshme, të rrejshme, nuk kanë arritur ta realizojnë asnjëherë.
Rast për të cilin Policia po i zhvillon hetime intensive, ku janë kryer bastisje e arrestime, si dhe janë mbledhur dëshmi e prova materiale, për të cilin kryeministri Kurti ka theksuar se qëllimi i këtij sulmi, përveç destabilizimit politik, ishte përqendruar edhe në dëmtimin sa më të rëndë të prodhimit të energjisë elektrike dhe pamundësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në pjesën më të madhe të Kosovës dhe shkaktimin e kaosit total në këto ditë dimri, me përmasa jashtëzakonisht të mëdha, po të arrinte efektet e planifikuara nga terroristët.
Edhe bastisjet e Policisë së Kosovës, rezultuan me disa persona të arrestuar dhe siguruan dëshmi e prova materiale, lidhur me aktin terrorist serb në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, andaj duke qenë se pas sulmit të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor dhe në afërsi të objektit të Komunës në Zveçan, ky ishte sulmi i tretë dhe më i rëndi terrorist serb, brenda 72 orësh kundër Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti është takuar të hënën edhe me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, në vendin tonë.
Bastisjet në vendet e dyshuara dhe arrestimet e shpejta të kriminelëve serb, të realizuara nga Policia e shtetit të Kosovës, pas këtij akti të rëndë terrorist, dëshmojnë suksesin, vigjilencën e lartë, bashkëpunimin e vijueshëm me banorët lokal dhe aftësitë shembullore të policisë së vendit tonë, për kapjen në kohë rekorde të terroristëve serb, vendosjen e tyre të shpejt para drejtësisë dhe sanimin urgjent të dëmtimeve të shkaktuara nga ata, si pjesa më domethënëse e shtetndërtimit dhe procesin e forcimit të rendit e sundimit të ligjit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.
Ky është edhe mesazhi më i qartë për të gjithë kriminelët e terroristët serb si dhe të gjithë argatët e Vuçiqit, në mesin e të cilëve, nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe shqipfolës të regjur, të vjetër e të rinj, të vënë në shërbim të Serbisë, që kanë për qëllim prishjen e rendit e qetësisë publike, dëmtimin e infrastrukturës dhe destabilizimit të gjendjes politike në vend, përmes akteve terroriste, është edhe një garanci më tepër, se të gjithë do të përballen me drejtësinë e shtetit të Kosovës dhe se shteti është i aftë ti zbulojë e kap shpejt autorët e akteve terroriste, tu përgjigjet në çdo kohë dhe jap goditjen e merituar të gjithë atyre që provojnë destabilizimin e vendit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, nga çfarëdo akter dhe mercenar, që provojnë të involvohen në akte të tilla a të ngjashme terroriste në çdo pjesë të territorit të Kosovës!
Është fatkeqësi për këtë vend dhe popull, që edhe opozita e inkriminuar e lidhur, fort me rrjete mafioze, korruptive dhe kriminale, të krijuara dhe rrënjosura thellë në çdo pore të enteve e institucioneve nga nivelet komunale deri te ato më të lartat juridike e administrative shtetërore derisa ata ishin në pushtet, ka nxitur e keqpërdorur çdo rast e mundësi, për të krijuar krizë dhe nxitur probleme politike deri te përpjekjet e hapura, për minimin e integritetit territorial, të shtetit tonë veçanërisht në veri dhe pamundësimin e mbajtjes nën kontroll dhe mbrojtjen me sukses të kësaj pjese jetike të Republikës së Kosovës, nga shteti dhe Qeveria Kurti.
Opozitë e cila ka dalë hapur edhe kundër hapjes së Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe ka mbështetur publikisht çdo akuzë të Vuçiqit, deri te absurditeti i llojit se armatimi, pajisjet ushtarake dhe mjetet e rrezikshme terroriste, që kapeshin nga policia në veri, “ishin inskenime”, apo edhe “filma” të Albin Kurtit, siç u deklarua së fundi edhe sharlatani më qesharak politik që aktualisht ka Kosova, “gospodin” Ramush Haradinaj pas aktit terrorist serb në kanalin Ibër Lepencë, të cilin duket se zgjedhjet e ardhshme do ta përcjellin përfundimisht në pensionim, të përjetshëm nga politika.
Por përkundër të gjithave, gëzon fakti se përveç suksesit në kapjen e shpejt të terroristëve serb dhe reagimit të menjëhershëm ndërkombëtar, të cilët dënuan ashpër e në mënyrë unike sulmin dhe dolën njëzëri dhe publikisht në mbështetje të Qeverisë së Kosovës, edhe pasojat e atakut terrorist serb në kanalin e ujit të Ibër Lepencit, ka shenja domethënëse dhe shumë premtuese, që do të sanohen po ashtu shumë shpejt edhe me zgjidhje alternative, të qarkullimit të rrjedhës së ujit të kanalit Ibër-Lepencë, duke bërë që të mos ketë pasoja afatgjata për infrastrukturën dhe sigurinë energjetike të Republikës së Kosovës, falë intensitetit shembullor dhe seriozitetit maksimal me të cilin po merret Qeveria për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga terroristët serb.
Fakti se ky sulm, ishte një akt i drejtpërdrejtë terrorist për destabilizimin në përmasa të gjera ekonomike, energjetike, qytetare dhe politike të Republikës së Kosovës, i cili do të ndikonte edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit, e dëshmoi edhe reagimi i menjëhershëm i faktorit ndërkombëtar, duke u solidarizuar shpejt dhe njëzëri me Kosovën, si dhe duke dalë publikisht e në mënyrë unike, në mbështetje të Qeverisë së vendit tonë, rast për të cilin Policia akoma po i zhvillon hetimet dhe bastisjet e nevojshme, që kanë rezultuar me arrestime dhe siguruar dëshmi e prova materiale, në bazë të të cilave të gjithë kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë dhe ligjin e Republikës së Kosovës”, për aktin e lartcekur terrorist dhe aktet tjera kriminale e terroriste, përkundër parafrazimit besnik nga opozita e inkriminuar, të akuzave të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit kundër shtetit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".