Lexoni edhe:
Analisti i njohur pret që Trump të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Nisja e procesit të votimit jashtë Kosovës më 9 janar për Diasporën nuk mund të prodhojë efekte shumë të mëdha në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Këtë që po them e bazoj në faktin se numri i mërgimtarëve të regjistruar në KQZ si votues potencial është tepër i vogël (rreth 100 mijë) në krahasim me numrin e madh të mërgimtarëve në shtetet evropiano-perëndimore!
-Ky numër i vogël e shpërfaq interesimin jashtëzakonisht të ulët të mërgimtarëve për të votuar përmes postes nga shtetet evropiano-perëndimore.
Akoma më i vogël mund të jetë numri i atyre që votojnë përmes Ambasadave dhe Konsullatave.
Megjithatë, në rezultatin zgjedhor mund të ndikojnë mërgimtarët që do të motivohen dhe stimulohen nga partitë politike për të ardhur në Kosovë më 9 shkurt, siç kishte ndodhur katër vjet më parë, përkatësisht në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Sa u përket numrave të dalë nga shorti, dy numra janë simbolikë. I pari, 112 i Listës Serbe, që është numër emergjent i Policisë, dhe i dyti, 118 i Vetëvendosjes, i cili po ashtu është numër emergjent i Ndihmës së Parë (Pronto Soccorso) në Itali.
Tek numrat e tjerë nuk shoh ndonjë simbolikë të veçantë!
Renditja e partive politike, ashtu siç është hedhur shorti, nuk duhet të ndikojë në mënyrën se si qytetarët ta ndryshojnë preferencën e tyre në ditën e zgjedhjeve!
Kjo për faktin se votuesi fillimisht kërkon "siglën" e partisë politike, pastaj bën preferencën e kandidatëve brenda listës së përzgjedhur. Si do që të jetë, votuesit e kanë kohën e mjaftueshme që ta mbajnë në mend numrin e subjektit të preferuar. Andaj, gjasat janë shumë të vogla që të votohet gabimisht një subjekt politik!
Sa i përket koalicionit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën Socialdemokrate, edhe pse është një koalicion me gjasat më të vogla për fitore, do të jetë përcaktues për themelimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve, e cila do t’i përcaktojë kahet e politikës kosovare për katër vitet e ardhshme. Ndryshe, është herët të flitet për mundësitë e një qeverie të qëndrueshme para përfundimit të zgjedhjeve.
AAK dhe NISMA do të jenë më të preferuarat e partive "të mëdha" për të qeverisur me vendin pa e ndarë fifti-fifti pushtetin, siç ka ndodhur në të kaluarën mes PDK-së dhe LDK-së.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".