Lexoni edhe:
Analisti i njohur del me konkluzion: Ka një rrugë ligjore për të ndaluar veprimtarinë e Listës Serbe
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Pavarësisht arsyeve për të cilat partia në pushtet (LVV) ka vendosur të kundërshtojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, ky veprim mund të ketë ndikime të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
-Do të ishte iluzive të pritej që Lista Serbe të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj shtetit të Kosovës. Pavarësisht nëse Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje apo jo, ajo nuk mund ta rrezikojë legjitimitetin e zgjedhjeve në Kosovë.
Duke marrë parasysh këtë, nuk ka kuptim të humbet kohë dhe energji duke u marrë me Listën Serbe për të vënë në pikëpyetje marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Përkundrazi, mosdistancimi i Listës Serbe nga Millan Radoiçiq dhe lidhjet e saj me ngjarjet e dhunshme në veri të Kosovës, që kontribuojnë në imazhin e saj si forcë destruktive politike, duhet të ndikojnë në ndërgjegjën e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo nuk duhet të bëhet pengesë për përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Andaj, partia në pushtet (LVV) duhet të tregohet më pragmatike në veprimet e saj politike dhe, pa asnjë hezitim, ta pranojë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për çertifikimin e Listës Serbe.
LVV-ja duhet ta ndërpresë menjëherë lojën e pingpongut me Listën Serbe dhe të fokusohet në realitetin zgjedhor dhe interesat madhore të shtetit, duke u përpjekur për rikthimin e marrëdhënieve të mira me BE-në dhe SHBA-të.
Më pragmatik do të ishte një mendim pozitiv që në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës t’i hiqen vendet e rezervuara për minoritetet (serbët), duke zvogëluar në minimum ndikimin e Listës Serbe apo kujtdo tjetër në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Pra, ndryshimet kushtetuese duhet të jenë një imperativ i ngutshëm për legjislaturën e re të Parlamentit, si parakusht për heqjen e ‘vetos’ së minoritetit serb, i cili ka krijuar një bllokim të thellë për shtetin e Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".