Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum pasi Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit

Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum pasi Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit
Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum pasi Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit

Florim Zeqa

  • 11 March 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Edhe përkundër faktit se mund të përbëjë një provokim të mundshëm për Serbinë, veprimi i Kosovës për të kërkuar statusin e mysafirit special në Këshillin e Evropës është një hap i duhur drejt njohjes ndërkombëtare, përkatësisht, një hap i guximshëm drejt anëtarësimit në KiE.

 

-Përkundrazi, nëse Serbia vazhdon të kundërshtojë përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, mund të ketë pasoja më të rënda për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prag të vazhdimit të dialogut të Brukselit!

Andaj, është Serbia ajo që po e sfidon hapur Marrëveshjen e Ohrit dhe zotimet që ka marrë për të mos penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e jo kjo e fundit që po penalizohet padrejtësisht!

Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum të volitshëm politik pas reagimeve nga Bashkimi Evropian, i cili konsideron se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit me qasjen ndaj procesit të marrjes së statusit të mysafirit special të Kosovës në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Prandaj, sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është në kundërshtim të plotë me detyrimet e Marrëveshjes së Ohrit që ka marrë Serbia (Neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit).

Vendimi për heqjen nga rendi i ditës i statusit të ‘mysafirit special’ për Kosovën në Këshillin e Evropës duhet të kundërshtohet në mënyrë institucionale, përkatësisht nga Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke i bërë të qartë Këshillit të Evropës dhe BE-së, se lënia e Kosovës pas dyerëve të KiE-së, për më shumë se fitore e Serbisë, paraqet dështimin skandaloz për BE-në në detyrimin e Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ledhatimet e mëtutjeshme të Serbisë nga disa zyrtarë të BE-së mund ta çojnë rajonin e Ballkanit drejt trazirave të paparashikueshme!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".