Marrëveshja midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, mund të ketë pasoja negative

Marrëveshja midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, mund të ketë pasoja negative
Marrëveshja midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, mund të ketë pasoja negative

Florim Zeqa

  • 25 March 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Marrëveshja trepalëshe e nënshkruar midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë mund të ndikojë në marrëdhëniet e këtyre vendeve me shtetet anëtare të NATO-s, si dhe me Bashkimin Evropian. Për shkak se kjo është një marrëveshje mes të pabarabartëve dhe pa partneritet me aleatin kryesor, që në këtë rast është NATO!

 

-Përderisa Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, Kosova nuk ndodhet gjëkundi në agjendën e anëtarësimit në Aleancën më të madhe ushtarake në botë. Pavarësisht vullnetit të mirë për bashkëpunim trepalësh në fushën e sigurisë rajonale, mungesa e përfaqësuesve të NATO-s në këtë marrëveshje e bën atë të pazbatueshme në rrafshin praktik.

Prandaj, kjo marrëveshje pa përfshirjen e NATO-s mund të ketë pasojat negative për vendin tonë, megjithëse Kosova ka prezencën më të madhe të trupave të NATO-s në rajon.

Kjo i bie, sikur “çeragjiu” t’i bëjë llogaritë pa “hangjiun”!

Pa NATO-n në këtë marrëveshje, të gjitha ujditë bien poshtë! Kur dihet fakti se Aleanca është faktori kyç i sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit!

Kosova duhet të jetë tepër e kujdesshme në aventurat e diplomacisë ushtarake. Ne nuk e kemi komoditetin të hedhim hapa të parakohshëm diplomatikë pa koordinim me NATO-n dhe SHBA-të, pasi nuk jemi faktorë që i determinojmë zhvillimet politike dhe as ato ushtarake në rajonin tonë, e lërë më të anashkalojmë faktorin kryesor të sigurisë sonë fizike dhe territoriale.

NATO nuk kishte asnjë rol në procesin e konsultimit në lidhje me Deklaratën për Forcimin e Bashkëpunimit Mbrojtës, e cila u nënshkrua pak ditë më parë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë!

Kjo flet shumë për ngutinë dhe papjekurinë tonë politike!

Deklarata e marrëveshjes trepalëshe midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë pa prezencën e NATO-s, më shumë e shpërfaq dobësimin e besimit në Aleancë sesa arritjen e një marrëveshjeje të dobishme për vendin tonë!

Për fund, dëshiroj t’ju rikujtoj politikanëve tanë dhe opinionit publik, se deri më tani, të gjitha veprimet e pakoordinuara me NATO-n dhe SHBA-të na kanë kushtuar me humbje të besimit me partnerët tanë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".