Opozita nuk do të arrijë ta sfidojë qeverinë e Vetëvendosjes

Opozita nuk do të arrijë ta sfidojë qeverinë e Vetëvendosjes
Opozita nuk do të arrijë ta sfidojë qeverinë e Vetëvendosjes

Idriz Zeqiraj

  • 25 March 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Fitorja, pothuaj se, plebishitare e Lëvizjes Vetëvendosje, me pak rrjedhje nga zgjedhjet e kaluara, ka demoralizuar dhe bobësuar mjaftueshëm partitë opozitare. Përjashto LDK-në, e cila gadi ka dyfishuar rezultatin nga zgjedhjet e kaluara, partitë e PAN-it ende shkërryejnë, vjelin klientelën elektorale nga burimet e përmendura më sipër.

 

-Diferenca në përqindje e LVV me partitë e opozitare, është tmerrësisht domëthënëse. Mungesa e reformave brenda partiake, nuk e favorizon opozitën për ngritje. "Peshku qelbët nga koka", prandaj përjashtohet mundësia e reformave të partive të PAN-it. Shqiptarët janë të shokuar nga riciklimi i kandidaturave të eksponentëve të krimit në radhët e opozitës të konsumuar, të dërrmuar politikisht e moralisht. Lufta pak mujore, nuk të shpërblenë përjetësisht, edhe nëse nuk je i mëkatuar.

Fatmirësisht, LDK-ja nuk ka ngarkesa penalizuese, por, orekset karrieriste nuk po i shqitën dot. Reformat e nismuara, asnjëherë nuk përfunduan. Dhe, kjo është pengesa serioze, që vazhdon ta ngulfatë partinë zëmadhe të engjëllit Rugovë. Shansin, pothuaj se, të gatshëm, e ka LDK-ja, për t`u bërë pjesë e pozitës qeverisëse, duke u koalicionuar me partinë fituese, LVV. Dhe, duhet bërë, jo thjeshtë për leverdi të partisë, por, parasegjithash, për hirë të Kosovës, e cila, duke qenë para proceseve të hapura politike, duhet një subjekt serioz, siç është LDK-ja, e pakriminalizuar, të bëhet pjesë e bashkëqeverisjes me LVV.

E përsërisim, shqiptarët e Kosovës, madje edhe të përbotshëm, janë fort të zhgënjyer nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sepse skena politike, rrast e kontaminuar, e kriminalizuar nuk solli risira të prekshme. Dëshmi e qartë është riciklimi i deputetëve të sotëm dhe kuadro të organizatave ilegale kriminale të djeshme! Dhe, është e tmerrshme që të risjellish në pushtet eksponentët që kanë përgjakur ushtarakët luftëbërës të FARK-ut, LDK-në dhe anepërtej, "cep e n´cep" Kosovën. Kjo përbënë një krim të tërthortë të LDK-së. Dhe, ndëshkimi i partisë, herëdokur, do të jetë sa i pritshëm, po aq i prekshëm.

Opozita qoftë ajo PAN-iste apo e bashkuar, që nënkupton edhe LDK-në brenda saj, nuk do të arrijë ta sfidojë qeverinë e Vetëvendosjes. Një ujdi e supozuar e opozitës së bashkuar, për ta bojkotuar krijimin e Qeverisë Kurti, do të provokonte zgjedhje të tjera. Forca mbështetëse e Vetëvendosjes është mbrojtja e sovranitetit të Kosovës "cep e n"cep". Përkundër opozitës aktuale, e cila e kishte heshtur tradhtinë e shtetarëve dhe të pushtetarëve të saj, të shantazhuar dhe të kërcënuar me dosje faktike të krimeve, përkatësisht, konspiracionin për dorëzimin e Veriut të Kosovës, në këmbim të lirisë personale e grupore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".