
Lexoni edhe:
Vjen mesazhi për politikanët: Krijoni institucionet e Republikës së Kosovës, Parlamentin dhe Qeverinë
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Duke pasur parasysh faktin se, pas ndryshimeve më të reja në administratën amerikane dhe rikthimin e serishëm të Donald Trumpit në krye të SHBA-ve, papritmas gjendemi në situatën kur është rritur në mënyrë të theksuar pasiguria e aleancave ekzistuese të sigurisë ushtarake në Evropë dhe botë. Të gjitha vendet perëndimore kanë ndërmarrë iniciativat më të mira të mundshme për përshtatjen e strategjive dhe krijimin e aleancave të reja ushtarake, për mbrojtje sa më efektive nga kërcënimet e mundshme ruse dhe të satelitëve të saj në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor.
-Në kuadër të kësaj nisme, si nevojë e kohës, duhet të shihet edhe marrëveshja e tri vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Shqipëria dhe Kroacia. Pas acarimeve të theksuara të kohëve të fundit në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, Kosova dhe Kroacia ndjehen të kërcënuara drejtpërsëdrejti nga Serbia hegjemoniste, me të cilën kanë edhe kufij të gjatë ndërshtetëror.
Andaj, habit fakti se edhe në këto momente historike, kur kujtojmë me kaq shumë nderim, nostalgji, respekt dhe pietet të pafund, se si presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, i madhi Bill Klinton, para 26 vitesh, arriti ta njësonte gjithë faktorin ndërkombëtar për ndërhyrjen ushtarake të NATO-së kundër Serbisë fashiste, që t’i shpëtonte shqiptarët e Kosovës nga shfarosja gjenocidiale e okupatorit serb, sot të lë pa mend mosunifikimi arkaik i partive shqiptare, të cilat edhe 26 vite pas çlirimit, përveçse nuk arrijnë të unifikohen, as gjejnë gjuhë të përbashkët për të mirën e vendit dhe popullit të vet, fusin edhe përçarje ndërmjet njerëzve të një gjuhe dhe kombi të përbashkët, siç janë shqiptarët e shumëvuajtur, në kohën kur formohen edhe aleanca ndërmjet shteteve për të garantuar mbrojtjen nga agresorët e mundshëm, si Serbia hegjemoniste, e cila rrezikon gjithë rajonin!
Ndërsa sa i takon marrëveshjes së tri vendeve, duke pasur parasysh se dy nga këto tri shtete, si Shqipëria dhe Kroacia, kanë kohë që janë vende anëtare të NATO-s, me Deklaratën për Forcimin e Bashkëpunimit Mbrojtës, e cila u nënshkrua pak ditë më parë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, që mund të jetë iniciuar apo edhe frymëzuar nga vet SHBA-të dhe shtetet e fuqishme Perëndimore, veçanërisht për Kosovën, kjo nismë është edhe hapi më i qëlluar drejt forcimit të alternativave mbrojtëse dhe krijimit të aleancave strategjike, si mundësi që Kosova të avancojë më shumë dhe në mënyrë sa më të suksesshme në aspektin e mbrojtjes, pasi ne si shtet i ri ende nuk kemi siguruar një rrugë të qartë për anëtarësim të shpejtë në Aleancën Veri-Atlantike, nismë që do të forcojë edhe më tepër marrëdhëniet e këtyre vendeve dhe afrojë ato edhe më shumë me shtetet anëtare të NATO-s, si dhe me vet udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian.
Kështu që, edhe nëse kjo aleancë nuk nënkupton apriori krijimin e një blloku ushtarak apo aleance ushtarake të mbrojtjes, pas përkeqësimit të gjendjes në Bosnjë, të tri këto shtete si pjesë e rajonit, ndajnë të njëjtin shqetësim për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë edhe në Evropën Juglindore. Andaj, duke pasur parasysh angazhimin e Aleancës Veri-Atlantike në sigurimin e stabilitetit të rajonit, përkundër deklaratave se kinse NATO nuk kishte rol në procesin e konsultimit, me Deklaratën për Forcimin e Bashkëpunimit Mbrojtës ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat janë anëtare të Aleancës në fjalë, përveçse lehtëson ngarkesën në angazhimet e vendeve të NATO-s, është edhe një mesazh për NATO-n që tregon se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia janë të gatshme të bashkëpunojnë edhe më ngushtë se deri më tani dhe të marrin më tepër përgjegjësi në aktivitetet mbrojtëse të Aleancës për sigurinë rajonale!
Deklarata e nënshkruar, e cila përfaqëson marrëveshjen trepalëshe midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, edhe nëse për momentin NATO nuk thotë se ishte e përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë marrëveshje, gjendja e acaruar politike që aktualisht mbretëron në Bosnjë-Hercegovinë, e cila në çdo moment mund të eskalojë dhe të prodhojë pasoja të parashikueshme për mbarë rajonin, veçanërisht për Kosovën dhe Kroacinë, që kufizohen drejtpërsëdrejti me Serbinë hegjemoniste me pretendime të hapura territoriale edhe ndaj vendit tonë, ku nacionalizmi serbomadh mund të ketë plane për interferime politike apo edhe territoriale, shtete të caktuara të NATO-s, dhe misioni paqeruajtës i saj në Kosovë, si KFOR-i, mund të kenë ndikuar, të paktën indirekt, në marrëveshjen e arritur ndërmjet tri vendeve. Përndryshe, Shqipëria dhe Kroacia, si vende anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, nuk do të mund të nënshkruanin marrëveshje në kundërshtim me qëndrimet e NATO-s në rajon.
Për aq më tepër, bashkëpunimi ushtarak ndërmjet tri vendeve është nxitur edhe nga paralajmërimet e përditshme të administratës së presidentit Trump për reduktimin e “angazhimit të SHBA-ve në NATO dhe vendet evropiane”, ndaj në shtetet apo rajonet ku ulet prania e NATO-s, edhe nëse ajo nuk largohet tërësisht, nxit dhe detyron shtetet e prekura që të formojnë aleanca dhe bashkëpunime të mbrojtjes, gjë që është shumë e nevojshme veçanërisht për Kosovën.
Pra, edhe nëse ajo nuk mund ta zëvendësojë mbrojtjen që garanton NATO, formimi i kësaj aleance është hap shumë i qëlluar, pasi që Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e këtyre dy vendeve anëtare të NATO-s, dhe është një aleancë, cila megjithatë mund të ofrojë mbrojtje më të sigurt dhe garantojë veprimtari më të koordinuar ndërmjet tri vendeve, për t’i mënjanuar bashkërisht dhe me sukses pasojat negative që nga Bosnja mund të reflektohen për të keq edhe në Kosovë e Kroaci, nga të cilat, në rast të cenimit të Kosovës, doemos do të preket edhe Shqipëria.
E derisa nga NATO deklarohet se janë të njohur me marrëveshjen e arritur dhe vet zyrtari i kësaj Aleance thekson se Shqipëria dhe Kroacia kanë kontribuar edhe më parë për stabilitetin rajonal të Ballkanit Perëndimor për shumë vite, duke përfshirë edhe angazhimin e tyre në kuadër të misionit të NATO-s KFOR në Kosovë, në kohën kur Rusia ushtron presion të paparë dhe përmes Serbisë paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin në rajon, marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë më 18 mars në Tiranë, gjatë një vizite të ministrit Ejup Maqedonci dhe atij kroat të mbrojtjes, Ivan Anushiq, siç u tha edhe nga ministritë përkatëse të Mbrojtjes, dëshmon rëndësinë e veçantë që ka Deklarata për “një përgjigje të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të vënë në pikëpyetje paqen dhe stabilitetin e rajonit!"
Përveç faktit se me këtë marrëveshje Kosova do të përfitojë shumë nga përvojat e të dy këtyre shteteve anëtare të NATO-s, përfshirë edhe trajnimet e ndryshme të ushtarëve të vendit tonë, duke qenë se Serbia hegjemoniste me pretendimet e saj të hapura territoriale veçanërisht ndaj Kosovës, si dhe regjimet autokratike në rajon paraqesin kërcënim të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin Perëndimor, është koha e duhur që nga Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe luftimin e kërcënimeve hibride, si dhe të koordinimit në politikat për integrime euroatlantike, pa vonesa të mëtejme, është e domosdoshme të kalohet drejtpërdrejt në formimin e një aleance të vërtetë ushtarake, ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, për mbrojtje të përbashkët, si dhe garantimin e sigurisë dhe të paqes në Ballkan!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".