
Lexoni edhe:
Oroshi: Presidentja është përgjegjëse për sukseset dhe dështimet e Qeverisë
Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri
Nëse një politikë ekonomike që pretendon të jetë “neutrale” në praktikë rezulton me mospërjashtim të Serbisë dhe penalizim të SHBA-së, atëherë kjo nuk është më neutralitet, por një asimetri që godet aleancat strategjike. SHBA-ja nuk është vetëm një partner ekonomik, por një garant i sigurisë dhe subjekt vendimtar në shtetformimin e Kosovës. Prandaj, një politikë që e vendos SHBA-në në një pozitë më të pafavorshme se Serbia, objektivisht përbën një rrezik për diplomacinë strategjike të Kosovës.
Oroshi: Presidentja është përgjegjëse për sukseset dhe dështimet e Qeverisë Lexoni edhe:
-Neutraliteti në teori nënkupton trajtim të barabartë, por në praktikë, në një shtet që varet nga mbështetja politike, ushtarake dhe diplomatike e SHBA-së, vendosja e tarifave ndaj këtij aleati dhe heqja e tyre ndaj një shteti që nuk e njeh sovranitetin e Kosovës është strategjikisht e pakuptimtë dhe politikisht e dëmshme.
Një moskoordinim institucional tregon për një dëm të madh që mund të na kushtojë tejet shumë. Prandaj, në këtë kohë e konsideroj të nevojshme një linjë të përbashkët që ndihmon në ruajtjen e unitetit kombëtar. E gjuha që po merr formë praktike, pra, moskonsistenca, është e panevojshme.
Pa dyshim, kjo situatë tregon për një mungesë koherence institucionale në politikëbërjen e jashtme. Kur presidentja — si simbol dhe zë i unitetit shtetëror — artikulon një pozicion në përputhje me interesin kombëtar dhe partneritetin strategjik, dhe qeveria e injoron apo e kundërshton atë, kjo sinjalizon dobësi strukturore dhe mungesë bashkërendimi institucional.
Kjo përçarje dëmton besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe jep një mesazh se interesi kombëtar po sakrifikohet për interesa afatshkurtra politike ose ideologjike.
Një shtet i vogël si Kosova nuk mund të përballojë luksin e një politike të jashtme të shkëputur nga partneritetet jetike. Kur simbolikisht dhe praktikisht i jep më shumë lehtësi ekonomike një shteti si Serbia — që vazhdon ta mohojë ekzistencën e saj — sesa SHBA-së, kjo nuk është më as diplomaci pragmatike, as autonomi strategjike. Kjo është rrëshqitje drejt një pozite të vetizoluar dhe kontradiktore, që përfundimisht mund të kushtojë shumë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".