Zvarritjet e fillimit të punës së seancës konstituive po bëhen për blerje kohe

Zvarritjet e fillimit të punës së seancës konstituive po bëhen për blerje kohe
Zvarritjet e fillimit të punës së seancës konstituive po bëhen për blerje kohe

Florim Zeqa

  • 18 April 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Thënë të vërtetën, nuk e kam pritur një sjellje kaq të papërgjegjshme të Albin Kurtit si fitues me 42 % të zgjedhjeve, i cili në njërën anë po sillet si ‘fitues i padiskutueshëm’, kurse në anën tjetër po e luan me mjeshtri ‘lojën e viktimës’!

 

-Si kryeministër tashmë në dorëheqje, Albin Kurti po e keqinterpreton ligjin për dorëheqjen e zyrtarëve qeveritarë për të ruajtur pozitat e veta, duke rrezikuar kështu themelet ligjore të procesit demokratik, madje edhe duke marrë vendime të paligjshme në mbledhjet e Qeverisë së dorëhequr!

Retorikën e “fituesit të padiskutueshëm” Albin Kurti po e përdor për të shmangur përgjegjësinë e mungesës së shumicës parlamentare në Kuvend!

Mungesa e 61 votave të LVV-së, përveçse shenjë e brishtësisë së pushtetit, është tregues se Kurti nuk e ka kontrollin e mjaftueshëm të skenës politike edhe pas fitores së madhe numerike!

Ish-kryeministri në detyrë, tashmë në dorëheqje, Albin Kurti, mungesën e 61 votave për ta kaluar një raport të komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve në seancën konstituive të Kuvendit, po mundohet ta mbulojë me akuza për partitë e tjera jopartnere për bllokimin e seancës konstituive të Kuvendit të martën e kaluar, më 15 prill, dhe vazhdimin e saj të ditës së enjte, më 17 prill.

Pse nuk i pati të martën dhe as të enjten Kurti 61 votat e nevojshme në Kuvend, përgjegjëse nuk janë partitë opozitare, në këtë rast, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, që votuan kundër këtij raporti, pasi thanë se ndryshe do ta shkelnin ligjin.

Në fakt, Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje paraprakisht, sipas ligjit të ri për Qeverinë.

Edhe pse LVV-ja pretendon se në komisionin e përkohshëm u paraqit një letër e dorëheqjes së Kurtit nga posti i kryeministrit, ky nuk konsiderohet akt i njëmendtë i dorëheqjes pas fillimit të seancës konstituive.

Zvarritjet e qëllimshme të fillimit të punës së seancës së dytë konstituive po bëhen për blerje kohe nga partia fituese, LVV.

Ky është një ‘sui generis’ i ikjes së përgjegjësisë politike nga ana e partisë fituese!

Bllokada procedurale e LVV-së për çështje krejt formale po bëhet për përfitimin e 48 orëve të reja, për t’i ikur përballjes së votimit në Kuvend.

Duke e ndërlidhur këtë situatë paradoksale në mënyrë figurative me portretin e nobelistes "Nënë Terezë" në hollin e Kuvendit, edhe sot doli tym i zi!

Askush nuk e di edhe sa gjatë do të presin qytetarët e vendit daljen e 'tymit të bardhë' nga “lartësia” e Kuvendit të Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".