Kosova, me politikbërës të tillë, po humb besimin edhe te partnerët ndërkombëtarë

Kosova, me politikbërës të tillë, po humb besimin edhe te partnerët ndërkombëtarë
Kosova, me politikbërës të tillë, po humb besimin edhe te partnerët ndërkombëtarë

Gani Qarri

  • 23 April 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në fakt, nga ajo që është parë deri më tani, megjithëse partitë përfundimisht kaluan mospajtimet për votimin e raportit që verifikon mandatet e deputetëve dhe ligjvënësit e rinj u betuan si deputetë të legjislaturës së dalë nga votimet e 9 shkurtit, ata dështuan të zgjidhnin edhe kryesinë dhe kryetarin/en e Kuvendit, pasi që me Albulena Haxhiun, kandidate të LVV-së – një propozim që më tepër tingëllon si formë e manovrimit politik edhe nga LVV – as për të tretën herë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta përmbyllë konstituimin dhe dështoi që ta zgjidhte kryekuvendarin/en.

 

-Duke pasur parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë, përveç miratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe dhënien formale të betimit nga deputetët e legjislaturës vijuese, më 19 prill do duhej zgjedhur kryesia dhe kryetari i Kuvendit, si dhe të votohej edhe për Qeverinë e re, ngase vendit tonë, në gjendjen e paqëndrueshme aktuale, urgjentisht i nevojiten institucione të reja dhe të qëndrueshme qeverisëse.

Përndryshe, tendenca e qëllimshme për mosformimin e institucioneve mund të konsiderohet edhe si një kërcënim për stabilitetin demokratik në Kosovë; ngërç institucional ky që po dëshmon publikisht se sistemi politik i Kosovës ka nevojë urgjente për një reformë të thellë kushtetuese, në mënyrë që përfundimisht të shmangen krizat e tilla të përsëritura, siç po ndodh kohët e fundit.

Me këtë mënyrë sharlatane të sjelljeve nga partitë aspak serioze dhe pa vetëdije të mjaftueshme politike, Kosova po turpërohet botërisht edhe para faktorit ndërkombëtar, i cili e lavdëroi dhe vlerësoi jashtëzakonisht lart votuesin e emancipuar të vendit tonë.

Kosova, me politikbërës të tillë, po humb besimin edhe te partnerët ndërkombëtarë dhe irriton veçanërisht shumë qytetarët, të cilët në mënyrë aq dinjitoze votuan për legjislativin dhe qeverinë e re, duke u shkuar dëm jo vetëm besimi i shprehur ndaj sharlatanëve të tillë politikë, por duke u keqpërdorur nga ata në mënyrën më të ndytë edhe vota e qytetarëve për lojëra politike.

Andaj, i habitur me sjelljet tejet joserioze të fëmijaqëve politikë të Kosovës, edhe Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, pas atij gjerman, anglez, etj., ka thënë se është shumë e rëndësishme që të formohen institucionet sa më shpejt në Kosovë.

Në tentimin e tretë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, në vend se ta propozonte një emër tjetër, si Saranda Bogujevci – që përveçse ka përvojë me udhëheqjen e seancave të Kuvendit edhe nga mandati i kaluar, realisht është edhe personi i duhur dhe meritor për këtë post, e cila, siç u tha, do të votohej edhe nga parti të tjera përveç LVV-së – deputetët, pasi miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe bënë betimin, nuk votuan emrin e Albulena Haxhiut të propozuar nga LVV për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, duke bërë që të dështojë edhe dy herë radhazi zgjedhja e kryeparlamentarit/es së Kuvendit.

Kësisoj, siç u shpreh edhe Matti Nissinen, derisa jetojmë në një situatë globale ku zhvillimet e reja nuk ndalen, në seancën e 21 prillit, në orën 15:00, duhet të paraqitet një emër tjetër dhe, sa më parë që të jetë e mundshme, të formohen institucionet funksionale të shtetit tonë.

Përndryshe, gjërat nuk presin, kurse reformat që janë aq të nevojshme në Kosovë duhet të jenë në gjendje të ecin përpara. Prandaj, sa më shpejt që të kemi një qeveri të re dhe një Kuvend të ri të formuar, do të ishte në të mirën e shtetit dhe të popullit të Kosovës, siç e tha edhe vetë z. Nissinen.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".