Në Shqipëri dhe në Kosovë, janë krijuar dy mentalitete shoqërore

Në Shqipëri dhe në Kosovë, janë krijuar dy mentalitete shoqërore
Në Shqipëri dhe në Kosovë, janë krijuar dy mentalitete shoqërore

Florim Zeqa

  • 25 April 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Deshëm apo s’deshëm që ta pranojmë, shoqëria shqiptare sot po përballet me dy identitete të krijuara nga e kaluara, por edhe si produkt i zhvillimeve të mëvonshme politike, nga të cilat identiteti kosovar po rrezikon të shkëputet përfundimisht nga ai shqiptar për shkak të dallimeve historike dhe kulturore të trashëguara nga regjimet komuniste në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi.

 

-Shqiptarët, edhe pse të ndarë për afro 50 vite, që jetuan nën dy regjime të kundërta, i mbante gjallë shpresa dhe i përafronte ideali i përbashkët i bashkimit kombëtar, i bashkonte gjuha, kultura dhe traditat unikate që nuk i ka asnjë komb tjetër në botë.

Megjithatë, përgjatë kësaj ndarjeje 50-vjeçare janë krijuar dy mentalitete të kundërta shoqërore; njëri liberal (në ish-Jugosllavi) dhe tjetri diktatorial (në Shqipëri)!

Paslufta në Kosovë nuk është shkaku i ndërtimit të një kulture politike të veçantë në Kosovë dhe as i një pengese në përmbajtje, por ishte një mundësi e mirë për bashkëpunim më të ngushtë mes dy shteteve shqiptare në Ballkan (Shqipërisë dhe Kosovës).

Fatkeqësisht, ishin politikat e pakoordinuara ndërshtetërore që prodhuan kundërthënie mes një populli të ndarë ndër shekuj!

Pavarësia e Kosovës është një hap i madh drejt bashkimit kombëtar, të cilin fatkeqësisht politikanët e dy shteteve shqiptare (Shqipëria dhe Kosova), së paku deri më tani, nuk arritën ta përdorin për të mirë dhe në funksion të bashkimit kombëtar!

Vënia e njëpasnjëshme e barrierave artificiale të dy shteteve ndaj njëra-tjetrës u bë pengesë e bashkëpunimit vëllazëror të shqiptarëve!

Për dallim nga politika, e cila po ndikon në shpërbërjen e identitetit të përbashkët kombëtar, diaspora shqiptare është duke e bërë të kundërtën, duke e shndërruar atë në një etnitet më të formësuar kombëtar!

Ndarjen dhe fragmentizimin e mërgatës shqiptare në shtetet evro-perëndimore janë duke e bërë shtetet respektive me trajtimin e shqiptarëve sipas përkatësisë shtetërore dhe jo sipas përkatësisë kombëtare!

Emërtimet si “shqiptarë” dhe “kosovarë” janë rezultat i zhvillimeve të mëhershme historike që pasuan ndarjen e territoreve shqiptare pas vitit 1918.

Pikërisht për shkak të asaj ndarjeje të mëhershme fatkeqe në emërtim, ndodhi krijimi i shtetit të Kosovës, i ndryshëm nga ai i Shqipërisë si në formë ashtu edhe në përmbajtje, me tendencë dhe prapavijë politike të ndërrimit edhe të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, që sot bota demokratike po i trajton shqiptarët si një popull autokton me dy etnitete të kundërta!

Politikanët në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të jenë më të kujdesshëm për të penguar krijimin e dy identiteteve të reja shqiptare të shekullit 21 në Ballkan.

Jo vetëm në aspektin figurativ, por edhe në atë praktik, ka kohë që mërgata shqiptare e ka arritur që ta bëjë realitet ‘Bashkimin Kombëtar’ me organizimin e përbashkët të aktiviteteve, qofshin ato kulturore apo sportive!

Në mërgatë nuk ekzistojnë ndarjet në baza shtetërore, por për fat të keq, i kemi ndarjet partiake dhe fetare që po i dëmtojnë edhe nismat më të shëndosha të mërgatës sonë, duke ndikuar tejët negativisht në shpërbërjen e identitetit të përbashkët kombëtar, duke e shndërruar atë në një komunitet me diversitet politik dhe fetar, por edhe të fragmentuar në aspektin gjuhësor dhe kulturor!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".