Opozita nuk duhet të lëshojë akuza të pabaza por duhet ta vë pikën mbi ‘i’

Opozita nuk duhet të lëshojë akuza të pabaza por duhet ta vë pikën mbi ‘i’
Opozita nuk duhet të lëshojë akuza të pabaza por duhet ta vë pikën mbi ‘i’

Idriz Zeqiraj

  • 09 May 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Kryesuesi i seancave kuvendore, z. Avni Dehari, i pati dërguar një letër Presidentes Vjosa Osmani, për të ndërhyrë në zhbllokimin e Kuvendit, lidhur me konstituimin e tij dhe zgjedhjen e kryekuvendares/it. Këshilltari politik, Bekim Kupina, publikoi përgjigjen e Presidentes se është e gatshme kurdo që subjektet politike e ftojnë për takim. Por, deri më tani, Presidentja nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare. Partitë politike parlamentare mendojnë se ende nuk janë ezauruar, shterur mundësitë që zhbllokimi të bëhet nga brenda Kuvendit.

 

-Votimi aklamativ, i hapur, nuk arriti të zgjedhë kryetaren, sepse munguan votat për deputeten e propozuar nga LVV, Albulena Haxhiu. Opozita refuzimin e arsyeton se deputetja e ka fyer ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, duke e quajtur “kriminel”, madje është "përçarëse" dhe "nuk i shërben unitetit brenda Kuvendit". Pozita arsyeton se kandidatja Albulena Haxhiu është deputetja femër më e votuar, madje e të gjitha kohërave në Kosovë, me mbi 150 mijë vota.

Opozita nuk solli arsye bindëse për refuzimin e kandidaturës në fjalë. Ndërkohë që, duhej të sqaronte nëse është fyerje apo shpifje akuza e Albulenës për ish-kreun e Kuvendit, njëherësh edhe për kryetarin e organizatës ilegale kriminale SHIK. Z. Veseli e pranon që, së bashku me Hashim Thaçin dhe shokët tjerë të PAN-it, ka themeluar SHIK-un me 92 anëtarë. Realisht, kjo organizatë ka pasur 30 mijë anëtarë, por e ndarë në degëzime “Shqiponjat e Zeza”, BIA shqiptare e të tjera.

Opozita, sidomos ajo PAN-iste, nuk duhet të lëshojë akuza të pabaza, "si ... bajgën", por duhet ta vë pikën mbi “i”, të debatojë në Kuvend nëse deputetja Albulena ka fyer e shpifur, apo ka thënë një të vërtetë në shkallën më të lartë?! Bartësit e së vërtetës i linçojnë vetëm sistemet diktatoriale dhe assesi një Kuvend demokratik!

Akuza se Albulena Haxhiu ka qenë "përçarëse" gjatë ushtrimit të detyrës së ministres së Drejtësisë nuk qëndron. Edhe pse VETTING-u, në parim është aprovuar nga Kuvendi, për shkak të konfliktit të interesit është sabotuar e bojkotuar nga zhvatësit e pangopur e zuzarë, kryesisht “komandantë” mujsharë, ish-pushtetarë, partiakë hileqarë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe vazhdon bllokimi, përkatësisht sabotimi për BYRONË e Verifikimit të Pasurive të Paligjshme, të pambuluara me burime reale financiare. Këmbëngulja e ministres Albulena për ta zbatuar ligjin, për mbrojtjen e pasurive të brezave shqiptarë, jo vetëm që nuk është përçarje, por përkundrazi, duhet lavdëruar për punën e shkëlqyer që ka bërë dhe bën ende, qoftë edhe si ministre në detyrë.

Pozita, respektivisht LVV, bëri një përpjekje zhbllokuese duke aplikuar votimin e fshehtë, i lexuar në Kushtetutë si një e drejtë legjitime. Por, në larminë e interpretimeve të juristëve, ka mendime se kjo duhej bërë në fillim të seancës. Realisht, kjo relativizohet, kur në praktikë votimi aklamativ, i hapur, nuk e zgjidh çështjen, vjen në shprehje votimi i fshehtë, sepse Kushtetuta e pranon, madje edhe forma të tjera. Kushtetuta i pranon vetëm koalicionet parazgjedhore, por opozita e tanishme e bëri, kundërligjshëm, pas zgjedhjeve, përfshi edhe Listën Serbe!

Në interpretimin e Kushtetutës për zgjedhjen e kryekuvendares/it ka kundërthënie brenda ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në mes të juristëve. Disa thonë se 10 deputetë kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim të mirëfilltë kushtetues. Të tjerë e mohojnë, sepse deputetët ende nuk kanë formuar Grupet Parlamentare.

Mbizotëron mendimi se të drejtë ankese apo të parashtrimit të pyetjeve në Kushtetuese ka vetëm Presidentja. Natyrshëm, ajo duhet ta shfrytëzojë autoritetin kushtetues gjatë procedimit, ose gjatë zgjedhjes së Kuvendit, nëse ka pasur shkelje kushtetuese dhe si të veprohet më tej. Presidentes Vjosa Osmani nuk i mungon as aftësia dhe as guximi intelektual për të ndërhyrë brenda kompetencave kushtetuese të saj.

Me gatishmërinë e shfaqur për të diskutuar me partitë politike për krijimin e institucioneve shtetërore, brenda kompetencave neutrale dhe ekzekutive që ka si faktor në bazë të Kushtetutës. Pra, ajo pret të ftohet nga subjektet politike, pasi të jenë ezauruar, shterur mundësitë e zgjedhjes brenda sallës kuvendore, pa ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit, siç janë përcaktimi i datave dhe i afateve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".