
Lexoni edhe:
Qeveria e re, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duhet të hartojë projekte të veçanta për zhvillimin e fshatit shqiptar
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Premtimi për anëtarësimin e Kosovës në BE nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, duket krejtësisht i pasinqertë, përderisa dialogu me Serbinë vazhdon të përdoret si mjet presioni, ndërkohë që Serbia po e minon stabilitetin politik në rajon përmes veprimeve destruktive.
-“Ndërtimi i besimit” është një term që BE-ja përdor për të justifikuar mungesën e vullnetit politik për të marrë vendime të guximshme ndaj Kosovës dhe për ta trajtuar me standarde të njëjta si vendet e tjera të rajonit!
Vendosja e kushteve të pabarabarta nga ana e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e trajtuar më shumë si problem sigurie sesa si partner të barabartë në rrugën drejt integrimit evropian, është kthyer në retorikë të vazhdueshme, thuajse Kosova është produkt dhe shkaktare e krizave në rajon!
Prezenca e forcave paqeruajtëse (KFOR), të sigurisë (EULEX), si dhe e stafit të zgjeruar diplomatik në Kosovë, e thotë të kundërtën e deklarimeve të zyrtarëve të BE-së.
Përdorimi i termit ‘de-përshkallëzim’ nga ana e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, nuk përputhet me realitetin e krijuar në Kosovë përgjatë këtyre viteve të fundit pas shtrirjes së sovranitetit në veri të vendit.
Shtrirja e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit, si kusht bazik i parashtruar ndaj qeverive paraprake, tashmë është përmbushur në plotni nga qeveria aktuale. Andaj, çdo kërkesë dhe kushtëzim shtesë është presion shtesë ndaj Kosovës për ta gjunjëzuar në dialog me Serbinë!
Termi ‘de-përshkallëzim’ duhet të pasohet me heqjen e menjëhershme të masave të padrejta ndëshkuese ndaj Kosovës.
Termi ‘kompromis’ duhet t’i drejtohet Serbisë dhe jo Kosovës! Shteti ynë ka bërë kompromise të tepërta, të papara dhe padëgjuara në vendet demokratike, me diskriminim pozitiv të pakicës serbe në raport me pakicat tjera në Kosovë.
Të drejtat dhe privilegjet që i gëzon komuniteti serb në Kosovë, nuk i gëzon asnjë komunitet tjetër në rajon dhe në asnjë shtet të Bashkimit Evropian!
Vendi i Kosovës ka qenë prej vitesh në familjen e Bashkimit Evropian, pasi i ka përmbushur me kohë të gjitha obligimet e parashtruara. Andaj, çdo kërkesë shtesë e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës duhet kuptuar si tendencë për përdorimin e Kosovës si ‘monedhë’ për kusuritje me Serbinë në qarqe të caktuara të Bashkimit Evropian!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".