
Lexoni edhe:
Presidenca ka detyrim që të garantojë funksionimin e institucioneve, kur ato dështojnë
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Mungesa e Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve funksionale të shtetit, përveçse po shkel parimin kushtetues që i obligon të gjithë deputetët dhe partitë pa dallim për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët në konstituimin e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për krijimin e institucioneve legjitime të shtetit, ka hendikepuar rëndë edhe përfaqësimin legjitim të shtetit të Kosovës përballë faktorit ndërkombëtar.
Presidenca ka detyrim që të garantojë funksionimin e institucioneve, kur ato dështojnëLexoni edhe:
-Partitë e inkriminuara, me pozicionimin e tyre konspirativ – ashtu siç përflitet hapur nga shumë zëra – vërtet duket të jenë të shantazhuara drejtpërdrejt nga Serbia për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, me qëllimin e keq që të pamundësohet për një kohë sa më të gjatë krijimi i Qeverisë dhe funksionimi kushtetues i institucioneve të shtetit të Kosovës. Qëllimi është që vendi ynë të mos ketë forcë legjitime për të marrë vendime, për të nënshkruar marrëveshje dhe për të folur në emër të Kosovës me faktorin ndërkombëtar.
Loja e maskarenjve politikë për të mos konstituar Kuvendin vërteton edhe njëherë më tepër se më të interesuar për mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës vazhdojnë të tregohen politikanët dhe parlamentarët anglezë, si dhe përfaqësuesi i Gjermanisë, sesa partitë e inkriminuara, të cilat po dëshmojnë publikisht se për miq të tyre njohin vetëm të ashtuquajturën “Lista Serbe”, me të cilën e kanë miratuar edhe “Zajednicën” me aklamacion në Kuvend, si dhe Aleksandër Vuçiqin, më shumë sesa popullin dhe shtetin e Kosovës.
Moskonstituimi i Kuvendit, përveçse përbën shkeljen më flagrante të vullnetit të qytetarëve, pas 16 dështimeve radhazi, flet fort dhe publikisht se këta deputetë dhe këto parti nuk e kanë merituar votën e qytetarëve tanë.
Sjelljet e tyre janë një maskaradë që po dëmton rëndë edhe marrëdhëniet bilaterale të Republikës së Kosovës me faktorin ndërkombëtar, gjë që tashmë është shndërruar në turp publik dhe po kthehet në krizë të thellë legjitimiteti për gjithë sistemin shtetëror dhe demokratik të Republikës së Kosovës!
Edhe vizita e Presidentit të Këshillit të Evropës, Antoni Costa, që ndodhi pikërisht në kohën kur deputetët e rinj, për të 16-tën herë me radhë, përsëritën lojën meskine për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, dëshmoi se mungesa e institucioneve shtetërore të vendit tonë është bërë problem i madh edhe në rrafshin diplomatik. Ndërkohë partitë e inkriminuara politike i japin vetes luksin për pazare të fshehta, në dëm të shtetit, duke vënë interesat personale e grupore mbi ato shtetërore.
Dhe ashtu siç theksoi edhe Presidentja më 15 maj, u bë një muaj i plotë nga thirrja e seancës së parë konstituive më 15 prill, por fatkeqësisht, edhe pas 16 përpjekjeve, nuk pati rezultat në konstituimin e Kuvendit, ndërsa partitë politike vazhdojnë maskaradën e qëllimtë të bllokadës institucionale, e cila tashmë ka filluar t’u shkojë në nerva të gjithë qytetarëve!
Paaftësia e partive politike për të konstituar Kuvendin përbën shkeljen më të rëndë të vullnetit të qytetarëve – një akt i turpshëm që ka kaluar në një krizë legjitimiteti për gjithë sistemin demokratik në Kosovë, derisa çështjen e konstituimit të Kuvendit partitë e inkriminuara po e përdorin si mjet të ulët për të vënë interesat personale mbi ato shtetërore të Republikës së Kosovës.
Kjo dëshmon se maniakëria e partive të inkriminuara politike, maskaradën e moskonstituimit të Kuvendit e kanë kthyer në lojë të pistë agjenturore, për të shkaktuar bllokadë të tërësishme institucionale, e cila po i shkakton dëme të mëdha popullit dhe shtetit të Kosovës, duke bllokuar mbi 800 milionë euro, të parapara për vendin tonë nga BE – lojë tepër e ndytë që duhet të nxisë një reagim të fortë mbarëqytetar dhe të çojë në protesta masive në rrugë.
Kjo për vetë faktin se, siç tha edhe Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani, pasojat kryesore të moskonstituimit të Kuvendit nuk po i bartin partitë, por vendi dhe qytetarët. Andaj, nëse edhe pas takimit me "liderët" e partive politike bllokada vazhdon, Presidentja e vendit duhet të shqyrtojë masa më të ashpra – fillimisht duke dërguar çështjen e bllokadës në Kushtetuese për shqyrtim dhe marrjen e një mendimi orientues. E po qe se as këshillimi orientues i Kushtetueses për zhbllokimin e gjendjes nuk ndihmon, Presidentja medoemos do të detyrohet të bëjë thirrjen e zgjedhjeve të reja, si formë e fundit e presionit të domosdoshëm, në mënyrë që të zgjidhet ngërçi aktual!
Kurse Kushtetuta e Kosovës, ndër veprimet themelore, parasheh parimin e ndarjes së pushteteve, apo parimin e kontrollit dhe balancës, që është një ndër vlerat kryesore të demokracisë dhe parakushtet për funksionimin kushtetues të institucioneve. Një ndër shtyllat që parashihet aty është edhe legjislativi.
Në anën tjetër, siç u shpreh Presidentja, moskonstituimi i Kuvendit mund t’i duket dikujt se dëmton vetëm politikanë apo parti të caktuara, por jo – pasojat kryesore i bart vendi ynë dhe të gjithë qytetarët tanë pa dallim”, tha ajo ndër të tjera.
Duke qenë se nga mungesa e Kuvendit funksional, në gjendjen e krijuar aktuale, po rrezikohet publikisht ky parim kushtetues, Presidentja në takimin e parë me udhëheqësit e partive politike i ka inkurajuar ata që, në funksion të realizimit të këtij parimi kushtetues, të gjejnë zgjidhje të përbashkët për konstituimin e Kuvendit – akt i cili, përveçse do të siguronte funksionimin kushtetues të institucioneve, do të hapte rrugë edhe për krijimin e qeverisë së re.
Përndryshe, ky ishte vetëm takimi i parë, dhe nëse shihet e nevojshme, Presidentja u shpreh se nga java e ardhshme do t’i takojë liderët e partive individualisht, në mënyrë që të krijohet një disponim minimal, që mund të rritet me kalimin e kohës – kohë e cila shpresojmë të mos jetë e gjatë, siç u shpreh në fund edhe vetë Presidentja!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".