Oroshi: Ne shqiptarët fajin ua lëmë të tjerëve dhe nuk bëjmë një analizë politike se si jemi duke vepruar

Oroshi: Ne shqiptarët fajin ua lëmë të tjerëve dhe nuk bëjmë një analizë politike se si jemi duke vepruar
Oroshi: Ne shqiptarët fajin ua lëmë të tjerëve dhe nuk bëjmë një analizë politike se si jemi duke vepruar

Nue Oroshi

  • 22 May 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Politika ndërkombëtare apo ajo botërore nuk funksionon dhe nuk ka funksionuar asnjëherë në një pajtim të plotë të shteteve të ndryshme për çështje politike që ndodhin në botë. Me këtë rast dua të them se edhe brenda shteteve që janë pjesë e aleancës ka mendime dhe orientime politike të ndryshme. Por gjithmonë ne shqiptarët fajin ua lëmë të tjerëve dhe nuk ndalemi asnjëherë të bëjmë një analizë politike se si jemi duke vepruar dhe si jemi duke u sjellë brenda vetvetes.

 

-Ne shqiptarët mendojmë se shtetet përkrahëse të Republikës së Kosovës nuk dinë asgjë për veprimet tona brenda përbrenda. Në anën tjetër, ata përmes shërbimeve të tyre sekrete i kanë informatat e dorës së parë rreth orientimit politik që kanë partitë tona në Kosovë. Lënia e hapur e terrenit forcave pro-aziatike, pro-ruse e pro-serbe, që janë për shkatërrimin e shtetit të Kosovës, vetëm për grumbullimin e votave që po bëjnë partitë politike në Kosovë, është një njollë e zezë që nuk mund të shlyhet lehtë. Ne shqiptarët këto çështje duhet t’i luftojmë; me një fjalë, njëherë duhet pastruar shtëpia brenda përbrenda dhe më pas të fillojmë kritikat ndaj të tjerëve se pse nuk e kemi një përkrahje që duhet ta kemi. Shpeshherë më vjen të vjellë kur i shoh disa të ashtuquajtur analistë politikë apo disa persona me mjekra dhe pantallona të shkurtra që me aq fanatizëm e luftojnë orientimin perëndimor shqiptar dhe e mbrojnë orientimin lindor. Ata dhe ato kanë harruar se janë shqiptarë, por edhe një gjë e kanë harruar: reagimin e forcave atdhetare shqiptare.

Si është e mundur të pritet katër vite dhe të mos lëshohet leja për një muranë të Gjergj Kastriotit në Prizren, apo si është e mundur që po në të njëjtin qytet ka pesë vite që është lëshuar leja për Monumentin e heroit Adem Jashari dhe nuk bëhet asnjë hap që ky monument të vendoset në vendin e duhur? Kush është kjo forcë politike që vepron brenda Ministrisë së Kulturës, Qendrës Rajonale në Prizren dhe Komunës së Prizrenit që i bllokon këto dy projekte kombëtare?! E në anën tjetër, për restaurimin e hamameve aziatike dhe mbeturinat e tjera osmane në Republikën e Kosovës investohet restaurimi i tyre me miliona euro nga mjetet e taksapaguesve shqiptarë të Kosovës, dhe mjete të dyshimta të TIKA-së turke. Natyrisht se këtu një rol kryesor e ka TIKA turke. Pra, Ministër i Kulturës de facto në Republikën e Kosovës nuk është Hajrullah Çeku, por Ministër de facto i Kulturës në Republikën e Kosovës është shefi i TIKA-s turke në Kosovë, kurse Hajrullah Çeku dhe Kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj, si duket, janë vetëm nënshkruesit e vendimeve të Drejtorisë së TIKA-s së Turqisë. Dhe në anën tjetër themi: pse po na vendos sanksione Evropa dhe Amerika?

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".