
Lexoni edhe:
Oroshi: Ne shqiptarët fajin ua lëmë të tjerëve dhe nuk bëjmë një analizë politike se si jemi duke vepruar
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Mjerisht, propaganda e pakontrolluar e partive opozitare e ka deformuar deri në ato përmasa të kuptuarin drejt, jo vetëm të çdo ideje e mendimi pozitiv, por edhe akteve shumë të rëndësishme dhe skajshmërisht pozitive, duke i bastarduar deri në ato nivele degjenerimi, sa të mos kuptohet më qartazi nga qytetarët kur është mirë dhe kur është keq, si përpjekja më konspirative, me qëllim të keq, për t’u dhënë njëtrajtshmëri ngjarjeve që meritojnë vlerësimet më të larta me zhvillimet rutinore, të cilat janë pjesë e përditshmërisë dhe nuk bartin në vete ndonjë rol me rëndësi për popullin dhe shtetin e Kosovës!
-Parë realisht, nëse kihet parasysh fushata e propagandës së paskrupullt të partive opozitare, se me ardhjen e Trump-it në postin e Presidentit të SHBA-ve, forcat amerikane "do të tërhiqen" nga Kosova, sot jo vetëm në kontekstin e propagandës së ulët opozitare, por edhe në zhvillimet e kohës që po kalon bota, vendosja e Komandës së Trupave Amerikane për Ballkanin në Kosovë, por jo në Mal të Zi, as në Maqedoninë e Veriut, që janë edhe vende anëtare të NATO-s, është një ndër vendimet më të rëndësishme gjeostrategjike që ka mundur të ndodhte në gjithë dekadën e fundit, në shtetin tonë të ri dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Andaj, jo pritja, por vendosja e komandës së divizionit të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, përveçse është një sinjal i qartë ndaj Serbisë dhe ndikimit rus në rajon, është edhe një dëshmi me ndikim real afatgjatë të miqësisë së përhershme që po forcohet dita-ditës dhe bëhet lidhje e pashkëputshme ndërmjet shtetit tonë me SHBA-të, si dhe një tregues shumë pozitiv se edhe Ushtria e Republikës së Kosovës ka avancuar me hapa aq gjigant, sa ka fituar besimin e SHBA-ve si superfuqi botërore dhe të NATO-s, si aleanca më e madhe euroatlantike, që sot, krahas trupave ndërkombëtare, gjendet kudo, madje jo vetëm në "Defender" dhe në ushtrimet që mbahen në shtetin tonë, por edhe në vende të huaja, krahas ushtarëve të SHBA-ve dhe të Paktit NATO!
Kështu që, siç shprehet me shumë të drejtë dhe në mënyrë plotësisht të arsyetuar edhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, zoti Ejup Maqedonci, vendi ynë në këtë edicion shumë të rëndësishëm të ushtrimit të madh ushtarak, përveçse si qendër e vendosjes së një komande kaq të lartë ushtarake amerikane, si Defender Europe 2025, do të ketë një rol shumë më të zgjeruar dhe të veçantë e tepër më të rëndësishëm edhe ushtarak, duke marrë pjesë drejtpërdrejt edhe me njësitë e veta më të mira elite dhe shërbyer si qendër e komandës ushtarake amerikane për gjithë Ballkanin Perëndimor.
Madje, përkundër propagandës dashakeqe se “pse”, megjithëse Kosova po bën “hapa të mëdhenj” drejt anëtarësimit në NATO, ende nuk ka një plan konkret për njohjen e plotë ndërkombëtare dhe heqjen e pengesave që vijnë nga brenda vetë aleancës, përveçse është çështje politike, ne nuk e dimë paraprakisht se nuk ka ende një plan, ngase faktikisht plan mund të ketë, por ende nuk është shpalosur publikisht, ndaj dhe është zgjedhur pikërisht kjo mënyrë veprimi, si pjesë e po atij plani, derisa Komanda Ushtarake e SHBA-ve vendoset në vendin tonë, por jo në Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut, që janë edhe vende anëtare të NATO-s.
Prandaj, përveç shembullit pozitiv të vendosjes së një komande kaq të lartë të Ushtrisë Amerikane dhe zhvillimit të edicionit shumë të rëndësishëm të ushtrimit të madh ushtarak të NATO-s, Defender Europe 2025, janë nga pikët më pozitive për besueshmërinë e lartë dhe parapërgatitjet e nevojshme praktike edhe në terren, për pranimin e Kosovës në aleancën më të madhe botërore ushtarake, si Pakti NATO!
Në kuadër të plotësimit të nevojave dhe hapave paraprakë për pranimin e Kosovës në NATO, është edhe rritja masive e buxhetit për ushtrinë në mandatin e Qeverisë Kurti, si një domosdoshmëri strategjike, që Kosova edhe këtë vit të jetë përsëri nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë, si Defender Europe 2025, i cili organizohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, që është vërtet për t’u krenuar edhe me avancimin e ushtrisë tonë të re dhe shtetit tonë të ri, si dhe me politikën largpamëse të vendit tonë – Republikës së Kosovës, që dëshmon se përveçse është kthyer në faktor të rëndësishëm stabiliteti rajonal, ka krijuar edhe premisat e nevojshme, veçanërisht për forcimin e marrëdhënieve ushtarake me mikun tonë më të madh dhe partnerin më të fuqishëm ushtarak në botë, si SHBA.
E siç njoftoi kryeministri në detyrë i Kosovës, z. Albin Kurti, më 13 qershor do të nënshkruhet edhe marrëveshja kornizë për bashkëpunimin e Republikës së Kosovës në mbrojtje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa Kosova është përzgjedhur për të pritur edhe komandën e divizionit të Ushtrisë Amerikane dhe pjesëmarrës të tjerë të NATO-s, e cila do të udhëheqë të gjitha operacionet që do të realizohen në rajonin e Ballkanit, ushtrimi i tretë i këtij lloji që Kosova do të presë në territorin e saj dhe do të marrë pjesë edhe vetë me mbi një mijë ushtarë të zgjedhur të Forcave të Sigurisë së Kosovës në operacionin ushtarak të NATO-s, që do të zhvillohet brenda dhe jashtë vendit tonë.
Kështu që, siç informoi edhe vetë kryeministri Kurti, në mandatin e tij është investuar vërtet shumë për të bërë hapa sa më të avancuar, përfshirë dyfishimin e numrit të ushtarëve, trefishimin e buxhetit, katërfishimin e trajnimeve ushtarake jashtë vendit dhe rritjen masive të blerjeve të armatimeve dhe municionit, që edhe mund të vlerësohet si zhvillimi më i suksesshëm dhe akti më i rëndësishëm në plotësimin e kushteve për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Paktin NATO.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".