
Lexoni edhe:
Vendosja e komandës së divizionit të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, një sinjal i qartë ndaj Serbisë dhe ndikimit rus
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Saga kuvendore vazhdon. Për të 19-tën herë është kundërshtuar kandidatura e deputetes Albulena Haxhiu. Kryesuesi Avni Dehari mbyll seancën, duke caktuar datën e seancës tjetër pas 48 orësh. Refuzimi i kandidaturës së zonjës Haxhiu nuk ka asgjë parimore. Ajo është deputetja femër më e votuar, me mbi 150 mijë vota! Ardhja e saj në pozitën e ministres së Drejtësisë nuk është rastësore. Juriste e diplomuar, luftëtare e dëshmuar për çështjen e Kosovës, madje me familje që nga gjyshi, si dhe familja e bashkëshortit. Kundërshtare aktive e marrëveshjeve të pista, deri në tradhti, të Hashim Thaçit me dostat e tij. Vërtet, opozitarizmi i saj me aktivistët e LVV ka qenë i vrazhdët, por krejt i pranueshëm në raport me politikën qorre të PDK-së me aleatët e saj.
-Lëshimi, kompromisi që i kërkohet LVV-së për ta ndërruar kandidaten Haxhiu me ndonjë tjetër, është sa i papranueshëm, aq edhe provokativ. Sepse:
a) Ligji zgjedhor e përcakton se propozimi dhe posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, në rastin konkret, LVV-së;
b) Kushtetuta e ka të ligjësuar votimin e fshehtë. Dhe në zbatimin e kësaj norme ligjore, me të drejtë, ngulmon Lëvizja Vetëvendosje. Hezitimi është frikë e opozitës së dëshpëruar, sepse nuk arrijnë t’i kontrollojnë deputetët e tyre, siç bëjnë me votimin aklamativ, fiktiv, të rremë! Pikërisht, ky fakt domethënës flet mjaftueshëm se bllokuese të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe të formimit të institucioneve të tjera kuvendore, është opozita PAN-iste, forcë e dyshuar si palë me Serbinë.
LVV ka ftuar partitë parlamentare për një kompromis të votimit në grup edhe për postet e tjera kuvendore, një zgjidhje të shpejtë, por edhe brenda kritereve ligjore. Edhe këtë propozim, gjithnjë brenda kornizës ligjore, opozita e refuzoi lehtësisht!
Prandaj, refuzimi i kandidaturës së Albulena Haxhiut nuk ka asgjë parimore. Përkundrazi, është mbulesë e qëllimit tashmë të njohur: largimi i Albin Kurtit dhe partisë së tij nga qeverisja e mëtejme. Pra, seancat maratonë janë thjesht një lojë cinike e opozitës për ta zgjatur ngërçin politik dhe për të minuar legjitimitetin e zgjedhjeve, duke e bartur fajësinë e bllokimit te partia fituese, LVV, me arsyetimin klishe se formimi i institucioneve kuvendore dhe qeveritare është përgjegjësi e partisë fituese.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".