Oroshi: Albulena Haxhiu duhet të thërrasë një konferencë për shtyp dhe të bëjë tërheqjen nga kandidimi për Kryetare të Parlamentit

Oroshi: Albulena Haxhiu duhet të thërrasë një konferencë për shtyp dhe të bëjë tërheqjen nga kandidimi për Kryetare të Parlamentit
Oroshi: Albulena Haxhiu duhet të thërrasë një konferencë për shtyp dhe të bëjë tërheqjen nga kandidimi për Kryetare të Parlamentit

Nue Oroshi

  • 24 May 2025 - 08:57

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Partitë tona politike, edhe pas zgjedhjeve, gjithmonë deri në përfundim të mandatit të deputetëve të tyre, siç duket, veprojnë sikur të jenë në fushatë elektorale. Të bësh ngërç politik është një gjë shumë jo parimore, pavarësisht se kush janë aktorët e këtij ngërçi politik. Unë i shoh të gjitha partitë politike fajtorë përse është shkaktuar ky ngërç politik.

 

-Nëse kandidatja Albulena Haxhiu 20 herë nuk votohet nga deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, çka duhet të presë ajo që vetë nuk tërhiqet? Ajo duhet të thërrasë një konferencë për shtyp dhe të bëjë tërheqjen nga kandidimi për Kryetare të Parlamentit dhe t’iu mundësojë edhe tri partive ish-opozitare që të vijnë deri te kompromisi dhe të votojnë një kandidat tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që ky post i takon Vetëvendosjes me kushtetutë. E në këtë mënyrë të bëhet zhbllokimi i Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Por fati i keq është se partitë tona politike asnjëherë nuk i vendosin interesat shtetërore mbi interesat personale dhe ato partiake. Pra, kemi vetëm politikanë që i marrin votat dhe krejt puna e tyre që bëhet është se si të qëndrojnë sërish në politikë dhe si, pas katër vitesh, të rizgjidhen përsëri. Me një fjalë, nuk kemi politikanë shtetarë që dinë ta udhëheqin shtetin, por vetëm të zihen me njëri-tjetrin. Ky veprim i të gjitha partive politike shqiptare ka nxjerrë në shesh shumë gjëra që duhet në të ardhmen t’i dijë votuesi. Ka nxjerrë në shesh se partitë tona politike nuk kanë projekte për zhvillimin e shtetit të Kosovës, por projektet e tyre janë projekte klanore e partiake për t’u pasuruar, qoftë edhe në dëm të boshtit kurrizor të Republikës së Kosovës.

Më kujtohet kur, në fillimin e formimit të institucioneve të reja në Kosovë, kur duhej të bëhej marrëveshja për themelimin e Qeverisë, kishte ngurtësime politike për një koalicion në mes të LDK-së dhe PDK-së, pasi që PDK kërkonte postin e kryeministrit. Në këtë rast, ish-presidenti Rugova i pati kërkuar PDK-së që të propozojë disa emra për Kryeministër të Kosovës, dhe në mesin e këtyre disa emrave, personi që u pranua për Kryeministër ishte dr. Bajram Rexhepi. Me këtë veprim u bë zhbllokimi institucional dhe u formuan institucionet e Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".