
Lexoni edhe:
Oroshi: Albulena Haxhiu duhet të thërrasë një konferencë për shtyp dhe të bëjë tërheqjen nga kandidimi për Kryetare të Parlamentit
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Nëse i besojmë sloganit se votimi i fshehtë është shenjtëria e demokracisë, atëherë fitorja e përsëritur e LVV-së dëshmon kredibilitetin, besueshmërinë e fituar nga shumica e popullit të Kosovës. Premtimin e madh për ndryshim e bëri realitet në zgjedhjet e 14 shkurtit 2025.
-Zotimin sa të bujshëm, aq edhe tmerrues të Kurtit me LVV-në e tij: "Kriminelët dhe hajnat në burg", pjesërisht, e realizoi, duke i shporrur nga pushteti "komandantët" kriminelë dhe hajna zyrtarë. Por, në burg nuk arriti t’i dërgojë. Pak syresh i mori Gjykata e Hagës. Por, shumësia numerike vazhdojnë ta gëzojnë lirinë e përgjakur, duke bërë jetë përrallore, nga zhvatja e pasurive të brezave shqiptarë. Vërtet, duket absurde refuzimi i prerë i ndërrimit të kandidaturës për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiut. Por, në fakt, më shumë se një teke inatçore, është parimi, i cili justifikon bllokadën dhe mohon kompromisin për këtë çështje. Nëse ajo i tha kriminel, ballas, një kryeparlamentari, njëherësh, kryetar i Organizatës ilegale kriminale SHIK, ajo as nuk fyu dhe nuk shpifi, duke e rithënë vetëm një të vërtetë eprore.
LVV, përveç ndryshimit të pushtetit, bëri ndryshimin tjetër të madh, shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veriun e Kosovës. Ndërkohë që Hashimi, praktikisht, veriun ia kishte dorëzuar Serbisë dhe lobonte, me pagesë, për ta bërë dorëzimin edhe juridikisht: "Veriun edhe ashtu nuk kemi qasje, e kemi humbur", - thoshte Hashimi. Ai ishte peng i dosjeve penalizuese dhe Serbia e shantazhonte. Shërbimi sekret francez, përmes agjentit francez Arnaud Danjean, sipas Pierre Siramy, drejtor i DGSE, e rekrutoi Hashimin në Zvicër, duke e bërë atë agjent edhe të Serbisë.
Kryeministri Edvin Rama, mik për zemër i Vuçiqit, e ligjësoi "pazarin" e Hashimit: "Veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt!" Ndërsa Kurti i qortoi të gjithë, me reagimin e prerë: "Nuk kam tokë për të falur".
Sekreti i fitoreve të përsëritura të LVV-së është besimi, për ruajtjen e tërësisë territoriale në kufijtë ekzistues. Pra, për PAN-in ka një mosbesim të madh, për shkak të flirteve me Serbinë. Vranë kundërshtarët politikë shqiptarë, ushtarakët luftëbërës të Ibrahim Rugovës, veprimtarët e LDK-së, për ta marrë pushtetin e pamerituar, me dhunë e përgjakje! Përgjatë pushtetit të tyre kriminal, me vjedhje zyrtare industriale dhe makro-kontrabandë me kriminelët serbë, tashmë - nongrata - të DASH. Dhe, megjithatë, duan sërishmi të kthehen në pushtet, për të vazhduar me krime dhe hajni zyrtare si më parë.
Me heshtjen e saj, LVV po tregon qyqarllëk. Opozita PAN-iste është e rafinuar dhe përfide në poshtërësi. Sa herë që LVV provon që ligjërisht të veprojë kundër ish-shtetarëve dhe ish-pushtetarëve, si me VETTING, Byronë për verifikimin e pasurive të paligjshme, ata i stopojnë vendimet e Qeverisë së LVV-së, duke i dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe në Komisionin e Venecias.
Ndërkohë, opozita krijoi koalicionin paszgjedhor - PLAS -, pra, PDK-LDK-AAK dhe Lista Serbe, krejt të jashtëligjshëm dhe antikushtetues. Pse e heshtin këtë krijesë monstruoze krerët e koalicionit të ligjshëm LVV-GUXO-ALTERNATIVA?! Sepse opozita me koalicionin në fjalë ka bërë shkelje kushtetuese.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".